Studentët letër Berishës Ramës. Ne meritojmë një president konsensual
Shkodër – Këshilli i studentëve të Universitetit Luigj Gurakuqi, në Shkodër përmes një letre të hapur i janë drejtuar sot kryeministrit Berisha dhe liderit socialist Edi Rama lidhur me takimin mes tyre. Në letër studentët kërkojnë që dy liderët politikë t`i harrojnë ndasitë e tyre politike dhe të gjejnë konsensusin për kreun e shtetit.
Ato theksojnë në letrën e tyre se ky takim ka rëndësi kycce në integrimin e vendit, duke apeluar për gjetjen e konsensusit për një figurë që të përfaqësoj unitetin kombëtar dhe të ketë integritet moral.
Më poshtë letra e plotë e Këshillit Studentor të Unversitetit Luigj Gurakuqi.
” E vlerësojmë maksimalisht takimin tuaj, i cili do të realizohet sonte në orët e darkës në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve, dhe përmes letrave të hapura që u kemi dërguar secilit nga ju, jeni njohur me përpjekjen tonë, e cila mes të tjerash synonte një takim mes opozitës dhe mazhorancës për të biseduar mbi gjetjen e një presidenti konsensual, e mbi të gjitha mishërues i vlerave kombëtare, intelektuale dhe morale.
Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) ju përgëzon për takimin tuaj, nga i cili qëndrojmë me shpresën se do të dilet në një zgjidhje të arsyeshme, atë që aq shumë e dëshiron dhe meriton, populli ynë shqiptar. Integrimi i mëtejshëm i vendit është në duart tuaja, dhe sonte gjithçka mund të finalizohet me sukses.
Ndoshta ky mesazh publik i ardhur nga zëri studentor, rinor dhe brezi i të ardhmes së këtij vendi, mund të zgjojë tek ju ndjenjat e një përgjegjësie edhe më të lartë. Sonte, kulti i harresës duhet të mbizotërojë si tek njëri ashtu dhe tek tjetri sa i takon konflikteve, fërkimeve dhe tensioneve politike. Mendoni vetëm kaq: ne, fëmijët tuaj, meritojmë një të ardhme europiane, ashtu si mjaft bashkëmoshatarë në vendet perëndimore demokratike. Përveç mbarë kombit shqiptar, edhe mjaft ndërkombëtarë e zyrtarë të huaj i kanë sytë në takimin tuaj, duke pritur nga ju një zgjidhje të pranueshme, nga e cila mund të arrihet shumë shpejt edhe integrimi i mëtejshëm europian.
Në këtë letër të hapur publike, ju drejtohemi me zemrën të ngrirë, duke pritur me ankth takimin tuaj dhe shpresuar që më në fund, klasa jonë politike është e aftë t’i japë vendit dhe popullit, të cilin përfaqëson, atë çka ai aq shumë e meriton: Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një president me konsensus të gjerë politik, përfaqësues i unitetit popullor dhe një individ me moral e integritet të lartë, një njeri me profil atdhetar.
Duke shpresuar dhe besuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të drejtë dhe të pranueshme, po e mbyllim këtë letër të shkurtër.