Studentët mes standardeve që rrëzojnë murin Shengen
Këshilli Kombëtar Studentor organizoi dje paradite, tryezën e diskutimit të hapur me temë “Standardet që rrëzojnë murin shengen” në përkujtim të 8 Dhjetorit. Në përkujtim të kësaj dite, si Dita Kombëtare e Rinisë, pluralizmit, ditës së kurajos, rënies së murit të Berlinit si dhe shembjes së komunizmit, Këshilli Kombëtar Studentor ka ftuar studentët në një bisedë-debat të hapur me protagonistët e viteve ‘90. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë përfaqësues të këshillave studentorë, kryetari i këshillit kombëtar studentor z.Qamil Dika, përfaqësues të këshillit rinor, si dhe një ndër protagonistët e studentëve të viteve ’90, Arben Imami, në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes. Në kuadër të integrimit përfundimtar të Shqipërisë, studentët e sotëm mbeten energjia e pazëvendësueshme për të përmbushur dëshirën e kahershme të bashkëmoshatarëve tanë të viteve ’90, “E duam Shqipërisë si gjithë Evropa”, u shpreh Dika në hyrje të fjalës së tij përshëndetëse. Më tej ai shtoi, se standartizimi sa më i shpejtë i çdo struktore në arsim dhe forcimi i lëvizjeve studentore do të lehtësojnë dhe forcojnë një integrim të sigurt për Shqipërinë. Gjithashtu këtë debat e përshëndeti dhe zoti Imami, i cili ka inkurajuar studentët duke sjelle shembullin e tij personal, në përballje me regjimin e ashpër totalitar të komunizmit të instaluar gjatë atyre viteve. Këshilli Kombëtar Studentor, ka qenë prezent dhe në koncertin festiv të organizuar në përkujtim të 8 Dhjetorit, ku me mijëra studentë kanë përkrahur dhe përqafuar simbolin e pluralizmit.