E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Tafaj: Paketë bursash për nxënësit e profesionaleve

 

Paketë bursash dhe mundësi punësimi për ata që ndjekin arsimin profesional. Ministri i Arsimit dhe Shkencës premtoi gjithashtu më shumë investime në këtë sektor. Deklaratat u bënë dje gjatë takimit me delegacionin e Republikës Federale të Gjermanisë. Ky delegacion ndodhet në Shqipëri për bisedime teknike me palën shqiptare, për protokollin e bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani për vitin 2010-2011, në të cilin prioritet është edhe arsimi. Në lidhje me Arsimin dhe Formimin Profesional në Shqipëri,  Ministri Tafaj garantoi mbështetjen e MASH, për të mundësuar krijimin e një pakete për bursa dhe punësim për nxënësit që ndjekin shkollat profesionale. Ai propozoi edhe ngritjen e qendrës më të madhe të arsimit profesional në Shqipëri, një qendër pilot në Kamëz, e cila do t’i shërbejë gjithë Qarkut të Tiranës me një kapacitet rreth 1500 nxënës. Përfaqësuesja për Shqipërinë e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Angela Eckert, nga ana e saj shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane me asistencë teknike, për të arritur objektivat e programit ambicioz qeveritar në fushën e arsimit profesional. Gjithashtu Tafaj shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e suksesshëm, kontributin konkret dhe asistencën e Republikës Federale të Gjermanisë në fushën e arsimit parauniversitar dhe kryesisht në atë profesional.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›