E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Selimit, Inis Gjoni shtyn për herë të dytë dëshminë e saj

SHKRUAN: Habjon Hasani 07-10-2011 13:44

Tiranë Inis Gjoni shtyn dëshminë në polici për vrasjen e të fejuarit të saj, Arjan Selimi. Burime nga grupi hetimor pohuan dje për MAPO-n se Gjoni është ftuar dy herë për të dhënë dëshminë e saj në polici, javën e fundit, por në të dyja rastet gjendja e saj shëndetësore ia ka bërë të pamundur marrjen në pyetje. “Kemi pasur dy kontakte gjatë ditëve të fundit për të marrë dëshminë e saj. Inis Gjoni e ka pasur të pamundur të vinte, pasi prej disa ditësh ka pasur shqetësime në stomak dhe gjendje jo të mirë shëndetësore. Në mirëkuptim është lënë që marrja e saj në pyetje të kryhet në një kohë të dytë. Kjo kohë do të jetë në varësi të përmirësimit të gjendjes së saj shëndetësore”, - janë shprehur hetues të çështjes për MAPO-n ditën e djeshme. Marrja në pyetje e Inis Gjonit është një procedurë standarde për hetimin e vrasjes së burrit me të cilin ajo bashkëjetonte, po aq sa edhe me interes për grupin e hetimit, i cili gjendet thuajse në pikën zero për zbardhjen e ekzekutimit të Selimit. Në momentin e vrasjes së Arjan Selimit, Inis Gjoni ka qenë me të motrën, në lagjen “Komuna e Parisit”, duke pirë kafe, dhe është informuar nga ajo mbi ngjarjen e rëndë. Inis Gjoni kishte nisur një jetë të re me Selimin, pas daljes së këtij të fundit nga burgu. Ajo është 6-muajshe shtatzënë, ndaj edhe krimi i rëndë ka ndikuar në gjendjen e saj shëndetësore. Gjatë dy javëve të fundit, policia ka marrë në pyetje me dhjetëra miq e të afërm të Selimit, të cilët pasi kanë dhënë detaje të lëvizjeve dhe të bisedave me të, të gjithë pa përjashtim kanë shprehur në polici se Arjan Selimi nuk kishte shfaqur asnjë shenjë se mund të kishte probleme me ndonjë person. Aktualisht, policia është e përqendruar në hetimin e vrasjes për shkak të ‘lidhjeve miqësore’ të Selimit, pasi informacionet e siguruara në rrugë operative nga hetuesit kanë vërtetuar se i dënuari i grupit të quajtur “Kompas”, pas daljes nga burgu shoqërohej me personazhe të spikatur në Tiranë, të cilët kishin të hapura një sërë problemesh. Nga ana tjetër, gjurmët dhe provat e mbledhura në vendngjarje kanë dhënë pak shpresë për gjetjen e ekzekutorëve të Selimit, e deri tani nuk ka ende asnjë të dyshuar të dorës së parë si ekzekutor i mundshëm i tij. Grupi i hetimit ka marrë në dorë rezultatet e ekspertizës balistike të gëzhojave të kallashnikovit, të gjetura në vendngjarje, por këto analiza nuk kanë çuar në asnjë pistë konkrete. Gjithashtu, këqyrja e tabulateve telefonike të Selimit dhe e telefonit të tij personal nuk ka dhënë asnjë indicio për ndonjë konflikt të mundshëm, duke e vështirësuar zbardhjen e këtij krimi. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se një ndër arsyet se përse vrasja e Selimit dyshohet si e lidhur dhe me të tjera vrasje të ndodhura në Tiranë në tri vitet e fundit, ka lidhje dhe me mekanizmin e vrasjes, ku në dy raste të tjera, një vrasje dhe një plagosje, është përdorur e njëjta metodë e befasisë dhe e goditjes me kallashnikov.

Dëshmia e Inisit

“Në mirëkuptim, është lënë që marrja e saj në pyetje të kryhet në një kohë të dytë. Kjo kohë do të jetë në varësi të përmirësimit të gjendjes së saj shëndetësore”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›