E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI shkëmbejnë akuzat e radhës ndaj njëra-tjetrës

14/01/2009  Rrëzimi i projektbuxhetit për Bashkinë e Tiranës në Këshillin Bashkiak të saj solli një tjetër përplasje mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte pikërisht kjo e fundit që bashkë me PD-në votoi kundër këtij projektbuxheti. Për këtë arsye, PS-JA nuk i kurseu kritikat ndaj këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të kryeqytetit. Por nga ana e tyre këshilltarët e LSI-së, duke argumentuar votën e tyre, nuk mund të mos shigjetonte po aq ashpër PS-në.

Qëndrimi i PS-së

Për këshilltarët socialistë në këshillin bashkiak të Tiranës votimi i këshilltarëve të LSI-së në sinkron me përfaqësuesit demokratë në këtë këshill erdhi vetëm për arsye të ngushta politike. Anëtarja socialiste Mimi Kodheli, ndalur në këtë çështje, vuri në dukje se “viti 2009 e gjen Tiranën pa buxhet të miratuar, ose ndryshe pa mundësinë për të realizuar punët e kërkuara nga qytetarët, sepse Ilir Meta e grupimi i tij janë bërë njësh me Partinë Demokratike kundër qytetit tonë, kundër interesave të qytetarëve, thjesht sepse ky është një vit elektoral”. Duke i mëshuar dhe më tej këtij qëndrimi, Kodheli nënvizoi se “për Ilir Metën, njësoj si për Partinë Demokratike, nuk kanë rëndësi nevojat e shumta të qytetarëve, që zgjidhen me buxhetin e rrëzuar mbrëmë, nuk kanë rëndësi rrugët, shkollat, kopshtet, qendrat sociale dhe lulishtet që përfshihen në financimin e këtij buxheti të rrëzuar me votat e tyre të përbashkëta, por ka rëndësi vetëm politika e vjetër e interesave të politikanëve që nuk e duan ndryshimin në të mirë të qytetarëve”. Njëkohësisht dhe PSD-ja përmes deputetes së saj Diana Çuli akuzoi se “më 2005-n LSI-ja shkaktoi humbjen e shumicës parlamentare të së majtës, tani shkakton humbjen e shumicës në këshillin bashkiak të kryeqytetit, këtë do të bërë LSI-ja edhe më 2009-n. Veprimi i djeshëm është një mesazh i qartë për qytetarët e Tiranës për të kuptuar se cilët janë politikanët që e keqpërdorin votën e tyre për interesa partiake personale apo për të mirëqeverisur”.

Argumenti i LSI-së

Grupi i këshilltarëve të LSI-së hodhi poshtë pretendimin e PS-së se mosvotimi i projektbuxhetit ishte për arsye politike. Sipas kryetares së këtij grupi Monika Kryemadhi, ky qëndrim nuk ka asnjë prapavijë politike, aq më tepër nuk është bërë për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike, por vetëm në shërbim të qytetarëve. “Ne kemi kërkuar nëse do të ketë investime edhe në rrugë të tjera të kryeqytetit, kemi kërkuar investime dhe në sistemin e ngrohjes në kopshte e çerdhe, rritje të pagave për sportistët e kategorisë së parë, si dhe ndërtimin e një thertoreje”, - u shpreh Kryemadhi. Mosmarrja në konsideratë e propozimeve të LSI-së për hartimin e këtij projektbuxheti ishte, sipas Kryemadhit, një nga arsyet që çuan në mosvotimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›