E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, çelet tenderi ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë

Ofertat për shitjen e 85 për qind të aksioneve shtetërore do të hapen më 21 maj 2008
Ervin Koçi

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka publikuar dje zyrtarisht shpalljen e tenderit të hapur ndërkombëtar për privatizimin e 85 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë publike, “ARMO”. Sipas informacionit zyrtar të METE-s, në datën 21 maj 2008 do të hapen ofertat e kompanive të interesuara për të blerë këtë paketë aksionesh. Ministria e linjës ka bërë publikimin në disa gazeta ndërkombëtare në lidhje me këtë privatizim, si "Financial Times", "Wall Street Journal", në revistën "Hydrocarbons Processing", në faqen e internetit të METE-s, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Procesi për privatizimin e ARMO-s është kryer nga kompania e njohur amerikane ligjore "Pattom Boggs", konsulente e qeverisë shqiptare në këtë privatizim.

Kushtet e privatizimit

Ndër kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë kompanitë e interesuara për blerjen e 85 për qind të aksioneve të ARMO-s, Këshilli i Ministrave ka përfshirë investitorët strategjikë pa lënë mënjanë dhe ata financiarë. "Investitorët strategjikë" duhet të jenë kompani që sigurojnë eksperiencë në fushën e përpunimit dhe tregtimit të naftës dhe gazit, që zotërojnë garanci financiare, të shprehura në zotërimin e një kapitali të paguar si dhe të një vlere neto të konsoliduar, në nivelet që përcaktohen në dokumentet e tenderit.
Deri në datën 21 maj 2008, kur do të hapen ofertat, do të zhvillohen disa takime si fazë njohjeje me ofertuesit, për çdo sqarim që do të dëshirojnë të bëjnë për këtë privatizim, ashtu dhe për të sqaruar çështje lidhur me dokumentacionin që do t’u vihet në dispozicion. Ndërkohë, METE vazhdon të zhvillojë procesin e marketingut të këtij privatizimi. Në këtë kuadër, të gjitha përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në shtete të ndryshme po u dërgohet materiali përkatës me qëllim që edhe ato të bëhen pjesë në këtë proces, duke rritur interesimin e kompanive që zhvillojnë aktivitet në fushat e përpunimit dhe tregtimit të naftës.

Fushata e marketingut

Në kuadër të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, Ministria e Ekonomisë këto ditë do të nisë edhe një fushatë marketingu. Kjo fushatë ka si qëllim prezantimin e ARMO-s si dhe kapacitetet e saj. Kështu, kompanitë e interesuara për t'u përfshirë në këtë proces do të kenë mundësi që të vizitojnë kompaninë dhe dy rafineritë e saj, si dhe të njihen me detaje më të hollësishme siç është dokumentacioni. Tashmë është përcaktuar se do të privatizohen nga investitori strategjik 85 për qind e aksioneve të ARMO-s, ndërsa do të përfshihen në këtë proces ish-pronarët e trojeve ku janë ndërtuar objektet e kompanisë si dhe një paketë për punonjësit e saj. Deri tani janë identifikuar rreth 20 kompani të ndryshme që janë të interesuara për këtë proces. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e kompanisë "Pattom Boggs", që ka kryer konsulencën e privatizimit të "ARMO"-s, janë shprehur optimistë për një privatizim të suksesshëm të kompanisë. Tenderi i fundit për privatizimin e kompanisë u zhvillua në fillim të vitit 2005, por me gjithë interesimin e 9 kompanive ky tender dështoi. Tenderi për kompaninë e vetme të naftës shqiptare mbeti vetëm në kuadër të shprehjes së interesit nga këto kompani, të cilat nuk preferuan të vazhdonin më pas procedurat për të arritur në blerjen e saj. Çmimi fillestar i shitjes së kompanisë së përpunimit të naftës ARMO llogaritet të jetë në vlerën 110 milionë euro. Në objektet që janë përfshirë në privatizimin strategjik të ARMO-s, janë dy uzinat e përpunimit të thellë të naftës në Fier dhe Ballsh, Qendra Shkencore e Kimi-përpunimit në Kuçovë, filiali i eksport-importit në Vlorë, si dhe 11 depozita nafte dhe karburantesh.

ARMO kërkon të prodhojë "eurodiesel"

Kompania publike e përpunimit dhe tregtimit të naftës, ARMO, ka planifikuar në objektivat e saj këtë vit edhe prodhimin e gazoilit “D1”, duke përshtatur dhe përmirësuar teknologjinë e nevojshme për këtë objektiv. Drejtori i Përgjithshëm i ARMO-s, Halim Dariu, tha se gjatë muajit shkurt do të zhvillohet gara me ofertë të hapur ku ftohen të gjitha studiot e specializuara, të cilat merren me studimin, projektimin e teknologjive për arritjen e prodhimit në vend të karburantit gazoil “D1”. ARMO është e interesuar që të arrijë prodhimin e gazoilit “D1” në vend. Por, për të arritur te ky qëllim, duhet të ketë më parë një projekt të qartë dhe të saktë, i cili të përmbajë të dhëna që lidhen me projektimin, teknologjitë që duhet të përdoren në bazë të parametrave që afrojnë dy uzinat e rafinimit të naftës në Ballsh dhe Fier, si dhe koston e nevojshme për këtë qëllim. Në bazë të një vendimi të qeverisë, parashikohet që në Shqipëri, pas datës 1 janar 2009, të mos lejohet tregtimi i gazoilit D2 për automjetet. Aktualisht, sasitë më të mëdha të importit të gazoilit në vend nga firmat grosiste janë të tipit “D2”. Ndërkohë, ARMO vazhdon të punojë për përmirësimin e cilësisë së gazoilit “D2”, duke synuar arritjen e standardit të BE-së lidhur me praninë në të të squfurit. Burime të ARMO-s bëjnë të ditur se që në vitin 2006, gazoili i prodhuar nga uzinat e përpunimit të naftës, falë përmirësimeve teknologjike të kryera, ka ardhur drejt përmirësimit të parametrave të cilësisë së gazoilit D2. Sot, përqindja e squfurit është 0,1 për qind nga 0,2 për qind që ka qenë niveli i tij mesatar gjatë viteve të fundit.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›