E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monopoli i vajit, fillon kontrolli te prodhuesit dhe grosistët

Ditët e fundit, rritja e çmimeve të shitjes për produktet ushqimore në tregjet e vendit ka vënë në lëvizje ministritë dhe institucionet e linjës me qëllim parandalimin e rritjeve artificiale të çmimeve si dhe frenimin e tregut informal. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me ministritë e linjës, ka ngritur grupin e punës me qëllim monitorimin dhe evidentimin e tregut për çmimet e shitjes së vajit ushqimor në të gjithë vendin. Ditët e fundit, çmimi i shitjes së vajit ushqimor në vend është rritur nga 180 lekë/kg në 240 lekë/kg. Sipas ekspertëve të bujqësisë, çmimet i vendos vetë tregu sipas kërkesë-ofertës, por grupi i punës do të evidentojë nëse kjo rritje çmimi ka baza objektive apo është pjesë e tregut informal, që rëndon pa të drejtë mbi konsumatorët. Në planin e punës të grupit të inspektorëve parashikohet të jenë dhe kontrollet përsa i përket cilësisë, llojit të vajit, peshës, emërtimit dhe etiketimit konform ligjit për ushqimet, etj. Sipas specialistëve, ky aksion synon t'i vijë në ndihmë industrisë së prodhimit të vajit në vend për rritjen e konkurrencës së ndershme dhe rritjen e prodhimit vendas. Kjo është hera e dytë, pas rritjes së çmimit të bukës, që institucionet e linjës organizohen në shkallë të gjerë për marrjen e masave kundër tregut informal dhe rritjes artificiale të çmimit të ushqimeve në tregjet e vendit.

IQK-ja, kontrolle sistematike në tregun industrial

Kontrollet nga Inspektorati Qendror Teknik në tregun industrial po vijojnë aktualisht përgjatë gjithë tregut në zonën jugore të vendit. Kreu i këtij Inspektorati, Ilir Kurti, bën me dije se specialistët e këtij institucioni janë duke ushtruar kontrolle të plota në tregjet joushqimore të qyteteve të Sarandës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Vlorës, ndërsa tregu i kryeqytetit është vazhdimisht nën mbikëqyrje. Sipas Kurtit, rastet e hasura dendësisht janë ato të elektroshtëpiakeve të prodhuara në mënyrë artizanale e që paraqesin rrezik të lartë për sigurinë e konsumatorit. “Kanë sekuestruar deri tani rreth 119 lavatriçe të prodhuara në mënyrë artizanale, të cilave u mungonin standardet e sigurisë për përdoruesit”, - theksoi Kurti. Ndërsa në lidhje me tregun e karburanteve, ai u shpreh se nga kontrollet e ushtruara nga 56 pika që iu nënshtruan këtij kontrolli rezultoi vetëm një pikë karburanti që në mënyrë abuzive tregtonte D2 për D1, ndaj së cilës u morën masat e duhura. Gjithashtu, Kurti bëri me dije se në tregjet e kontrolluara materialet më të dobëta janë kryesisht pajiset elektrike, të cilat janë konfiskuar menjëherë. Inspektorati ka filluar këto kontrolle pas konstatimit që tregu joushqimor shqiptar është i përbërë nga 70 për qind e mallrave fals me rrezikshmëri për konsumatorin

Durrës, Tatimet kontroll bizneseve për qiratë

Në qytetin e Durrësit ka nisur një kontroll i policisë tatimore dhe inspektorëve të Tatim-Taksave ndaj subjekteve që operojnë në këtë qytet. Dega e Tatimeve në Durrës ka nisur të verifikojë vendndodhjen e subjekteve që operojnë në qytetin bregdetar si dhe kontratat e qiramarrjes për subjektet që ushtrojnë aktivitet në objekte të marra me qira. Ky kontroll, që vjen pas një urdhri të nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, nga njëra anë pritet të eliminojë evazionin e mundshëm nga pronarët që japin objektet me qira për bizneset, duke deklaruar shuma më të vogla se ato realet, ndërsa do të zbusë edhe tatim-fitimin prej 10 për qind që bizneset do të paguajnë në vitin 2009. Bizneset e vogla sipas ligjit do të vazhdojnë të kryejnë pagesat e tyre bazuar në një xhiro të vendosur paraprakisht, ndërsa mbajtja e librave të shpenzimeve dhe shitjeve do t’u japin mundësinë që në marsin e ardhshëm të deklarojnë dhe xhiron vjetore reale. Nga të ardhurat e vitit si pasojë e shitjeve ata do të zbresin shpenzimet e kryera. Në bazë të kësaj diference do të përcaktohet dhe shuma e 10 përqindëshit që ata do të paguajnë si tatim-fitimi.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›