E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët numërues të votave, sot KQZ diskuton me Këshillin Studentor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje strategjinë e edukimit të shtetasve

Trajnimi i studentëve për efekt të plotësimit të komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë, do të jetë sot pjesë e diskutimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në bashkëpunim me Këshillin Studentor, KQZ duket se hap një etapë të re në cilësinë e administrimit zgjedhor, të paktën për sa i përket pjesës së saj të përgjegjësisë. Mbledhja e parashikuar për sot në mesditë përtej paralajmërimit për “krijimin” e një kontingjenti njerëzish në rezervë të komisioneve, do të sjellë në vëmendje një marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin Studentor, një organizëm që përfaqëson studentët. E shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit vendimmarrës, akti në fjalë rikthehet për të plotësuar jo vetëm një element problematik të proceseve zgjedhore, por edhe një ndihmesë që vetë KQZ jep në këtë rast. Sipas burimeve në këtë institucion përveç studentëve i mundshëm është edhe një trajnim i kategorive të tjera si gazetarët apo edhe njerëz të tjerë të kualifikuar që mund të shërbejnë si kuadër i kualifikuar, por edhe i përgjegjshëm për një numërim, votash korrekt. Për këtë arsye hapi që ndërmerret sot është një provë edhe për partitë politike në Shqipëri, të cilat si protagoniste të procesit elektoral kanë tagrin për të caktuar komisionerë në qendrat e votimit, apo edhe komisionet e dyta dhe të treta. Zëvendësimi në momentet e fundit, jo rrallëherë ka provokuar keqmenaxhim të procesit të numërimit të votave, si pasojë e futjes në veprim të kontingjentit të militantëve partiakë që janë në këtë pikëpamje element subversiv për zgjedhjet.

Ndërkohë, fushata elektorale duket të jetë në fazë konkrete për KQZ, edhe pse për partitë politike mbetet ende një axhendë e vitit të ardhshëm. Kështu dje, institucioni i drejtuar nga Arben Ristani ka miratuar strategjinë e edukimit zgjedhor të shtetasve, e cila konsiderohet si një “dokument bazik” për informimin e qytetarëve për procesin e votimit. “Qëllimi më specifik i strategjisë është gjetja e formave sa më bashkëkohore të komunikimit me shtetasit që gëzojnë të drejtën e votës, dhe jo vetëm...Ky fakt do të ndihmonte në rritjen e pjesëmarrjes në votim, rritjen në cilësinë e votimit, shmangien e gabimeve gjatë procesit për arsye mosnjohjeje apo dhe të fenomeneve negative që vihen re gjatë procesit zgjedhor në tërësi”, thuhet në vendimin e marrë dje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›