Topalli fut në axhendën e sotme ngritjen e komisionit hetimor
Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që të jetë Kuvendi ai që do të përcaktojë datën e ngritjes së komisionit hetimor. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përfshin kërkesën e socialistëve për ngritjen e komisionit hetimor në rendin e ditës të seancës se sotme plenare. Projektvendimi “Për caktimin e datës së shqyrtimit në Kuvend të kërkesës së 35 deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009” është përcaktuar pika e fundit mes 19 çështjeve që do të presin miratimin e Kuvendit ditën e sotme. Seanca e sotme në Kuvend do të ketë në rendin e ditës 19 çështje, disa prej tyre të mbartura nga mbledhja e pezulluar e javës që kaloi. Ndër vendimet që do të diskutohen dhe do të hyjnë në procesin e votimit në seancën e sotme, do të jetë ligji për bonot e privatizimit, projektligji “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, “Për krijimin e shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, për disa ndryshime “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Po kështu, sot do të hyjë në procesin e votimit edhe akti normativ për pensionin suplementar të ish-ushtarakëve.