Studim shokues për abuzimet me fëmijë nga Kisha Holandeze
Dhjetëra mijëra fëmijë kanë vuajtur nga abuzimet seksuale në institucionet katolike holandeze që nga viti 1945. Në këtë përfundim ka arritur një raport i një komisioni të pavarur. BBC raporton se në raport thuhet se zyrtarët katolikë nuk arritën të luftojnë abuzimin e shumëpërhapur në shkolla, seminare apo jetimore.
Bazuar në një pyetësor me mbi 34 mijë persona, raporti arrin në përfundimin se një në pesë fëmijë në institucionet katolike ishte pre e abuzimeve.
Hetimin e provokoi dyshimi për abuzim në një shkollë katolike në lindje të Hollandës.
Komisioni e nisi punën në gusht 2010 dhe studioi 1800 raporte për abuzimet në institucionet katolike. Në total u identifikuan 800 abuzues të dyshuar, nga të cilët 100 janë gjallë.
Muajin e shkuar dega holandeze e Kishës Katolike ngriti një fond për kompensimin e fëmijëve në varësi se sa i rëndë ishte abuzimi.
Korrespondentja e BBC thotë se përfundimet e raportit janë pritur me shumë interes nga popullsia holandeze, 29 përqind e të cilëve identifikohen si katolikë.