Studimet e pjesshme, Ministria cakton datën e fillimit, universitetet nuk kanë kuotat dhe tarifat
Jonida Tashi
Pas kalimit të afatit për nisjen e studimeve të ciklit të dytë, në të njëjtën situatë gjenden edhe ato me kohë të pjesshme. Ndërsa ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka vendosur që studimet e sistemit të pjesshëm dhe në distancë të fillonin në datën 23 tetor, vetëm dy ditë para nisjes së tyre, qeveria nuk ka miratuar ende tarifat e shkollimit për këto studime. Për rrjedhojë, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, nisja e këtyre studimeve do të shtyhet edhe më tej, pasi universitetet nuk kanë nisur ende procedurat e aplikimit dhe regjistrimit. Megjithëse vazhdimisht Ministria e Arsimit ka deklaruar se studimet e pjesshme do të çelen në ditët e parë të muajit nëntor, madje këtë vit para këtij muaji, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, për shkak të vonesave që qeveria krijon në marrjen e vendimit për tarifat e studimit, pasi kuotat për këtë sistem studimi miratohen nga vetë MASH-i.
Aplikimi
Procedurat e aplikimit për studimet me kohë të pjesshme pritet të hapen në ditët e parë të muajit nëntor, fill pas përfundimit të procesit të pranimit të studentëve në sistemin me kohë të plotë. Përzgjedhja e fituesve për studimet e pjesshme do të bëhet nga një grup i posaçëm, i ngritur në fakultetet përkatëse, ku kriter bazë për përzgjedhjen e kandidatëve do të jetë mesatarja e shkollës së mesme ku ata kanë përfunduar, si edhe kuotat e miratuara nga MASH-i. Ndërsa për kategoritë e tjera të individëve që dëshirojnë të ndjekin sistemin e pjesshëm të studimeve janë përcaktuar kushte të tjera pranimi. Kështu, kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, do ta fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë universitetet ku ata kërkojnë të studiojnë. Këtë vit, drejtuesit e universiteteve që ofrojnë studime me kohë të pjesshme propozojnë që kandidatëve që duan të vijojnë këto studime si fakultet të dytë, të mos i merret në konsideratë mesatarja e fakultetit të parë, por ajo e shkollës së mesme. Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; deklaratë individuale e kandidatit, sipas modelit të tërhequr pranë sekretarive të fakulteteve. Kandidatët që duan të vijojnë këto studime, para depozitimit dosjeve në sekretaritë mësimore të universiteteve përkatëse, duhet t’i plotësojnë ato me dokumentet e mësipërme. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie origjinale, siç përcaktohet më sipër, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kurse kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të.
Tarifat
Edhe pse ende nuk ka dalë ende një vendim që të fiksojë përfundimisht tarifën e shkollimit për studimet e pjesshme ka gjasa që ajo e vendosur një vit më parë nga qeveria Berisha të mbetet në fuqi, aq më tepër që për këtë vit, kryeministri vendosi të mos i rrisë taksat e studimit. Kështu, kandidatët që do të fitojnë të drejtën e studimit për studimet e pjesshme do të paguajnë një faturë financiare nga 50 deri në 150 mijë lekë në vit, kjo sipas degëve. Në tri degët e Fakultetit Histori-Filologji tarifa e studimit do të jetë 50 mijë lekë të reja, në Ekonomik, 70 mijë lekë, ndërsa te Juridiku plot 90 mijë lekë të reja. Aktualisht, tarifat e sistemit me kohë të pjesshme janë më të ulëta në universitetet e rretheve, ku edhe numri i kërkesave është disa herë më i vogël se Universiteti i Tiranës. Edhe për vitin akademik 2009-2010, në krye të listës për tarifat më të shtrenjta të studimit për sistemin e pjesshëm do të jetë Universiteti i Tiranës. Tarifën vjetore më të shtrenjtë për këtë universitet do ta ketë Fakulteti i Drejtësisë, me plot 90 mijë lekë të reja për çdo vit akademik, i ndjekur nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës dhe Ekonomiku në Universitetin e Tiranës me një tarifë shkollimi prej 70 mijë lekësh të reja. Më pas, për tarifën e lartë të studimit renditen disa degë të Universitetin Bujqësor të Tiranës si disa të tjera në Universitetit të Elbasanit. Të vetmit programe studimi që do të kushtojnë më pak në sistemin e pjesshëm janë degët e mësuesisë në universitetet e rretheve, tarifat e të cilave vërtiten te shifra e 32 mijë lekëve të reja. Të gjithë kandidatët që do fitojnë të drejtën e studimit për të vijuar këtë vit studimet e pjesshme, duhet të marrin masa që brenda datave 5-10 janar 2009 të likuidojnë detyrimin financiar pranë fakultetit ku kanë fituar të drejtën e studimit, në rast të kundërt s’kualifikohen.
Tarifat e studimit për studimet me kohë të pjesshme janë përcaktuar sipas degëve dhe universiteteve të vendit. Kështu, këto tarifa ndryshojnë jo vetëm nga njëra degë në tjetrën në të njëjtin universitet, por edhe nga njëri universitet në tjetrin për të njëjtat degë. Shuma që do të paguajë një student për këtë sistem studimesh varet nga dega që ka zgjedhur dhe universiteti. Tarifat për studimet e pjesshme llogariten në bazë të kostos që ka një fakultet për shkollimin e tyre, por edhe në bazë të mundësive që u ofron diploma që studentët marrin për të gjetur një vend pune.
Tarifat e studimit për sistemin e pjesshëm
Universiteti i Tiranës
Histori 50 000 lekë
Gjeografi 50 000 lekë
Gjuhë Letërsi 50 000 lekë
Drejtësi 90 000 lekë
Biologji 60 000 lekë
Financë-Kontabilitet 70 000 lekë
Administrim-Biznes 70 000 lekë
Psikologji 50 000 lekë
Punë sociale 50 000 lekë
Akademia e Edukimit Fizik e Sporteve
Të gjitha degët 60 000 lekë
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Menaxhim Agrobiznes 50 000 lekë
Ekonomi e Politikë Agrare 50 000 lekë
Hortikulturë 50 000 lekë
Prodhim Bimor 50 000 lekë
Zootekni dhe Biznes Blektoral 50 000 lekë
Akuakulturë dhe Menaxhim Peshku 50 000 lekë
Teknologji Agroushqimore 50 000 lekë
Agromekanizëm 50 000 lekë
Vreshtari dhe Enologji 50 000 lekë
Inxhinieri Pyjesh 60 000 lekë
Inxhinieri Përpunim Druri 60 000 lekë
Financë-Kontabilitet 60 000 lekë
Mbrojtje bimësh 60 000 lekë
Agromjedis dhe ekologji 60 000 lekë
Universiteti i Elbasanit
Histori-Gjeografi 40 000 lekë
Gjuhë–Letërsi 40 000 lekë
Edukatë Qytetare 40 000 lekë
Punë Sociale 40 000 lekë
Filozofi-Sociologji 40 000 lekë
Administrim–Biznes 50 000 lekë
Financë–Kontabilitet 50 000 lekë
Biologji-Kimi 50 000 lekë
Cikli i ulët 30 000 lekë
Cikli i ulët parashkollor 30 000 lekë
Matematikë fizikë 30 000 lekë
Universiteti i Gjirokastrës
Histori-Gjeografi 30 000 lekë
Gjuhë –Letërsi 30 000 lekë
Administrim Publik 40 000 lekë
Menaxhim Turizëm 40 000 lekë
Financë –Kontabilitet 40 000 lekë
Biologji-Kimi 40 000 lekë
Cikli i ulët 30 000 lekë
Cikli i ulët parashkollor 30 000 lekë
Matematikë fizikë 30 000 lekë
Universiteti i Korçës
Gjuhë –Letërsi 30 000 lekë
Financë 40 000 lekë
Menaxhim Biznesi 40 000 lekë
Turizëm 40 000 lekë
Hortikulturë 30 000 lekë
Agrobiznes 30 000 lekë
Marketing 40 000 lekë
Cikli i ulët 30 000 lekë
Cikli i ulët parashkollor 30 000 lekë
Universiteti i Shkodrës
Gjuhë-Letërsi 40 000 lekë
Gjeografi 40 000 lekë
Drejtësi 70 000 lekë
Administrim –Biznes 50 000 lekë
Histori 40 000 lekë
Turizëm 50 000 lekë
Financë –Kontabilitet 50 000 lekë
Biologji-Kimi 50 000 lekë
Cikli i ulët 30 000 lekë
Cikli i ulët parashkollor 30 000 lekë
Matematikë 30 000 lekë
Fizikë 30 000 lekë
Universiteti i Vlorës
Infermieri 40 000 lekë
21 Tetor 2009