Mbledhja, Këshilli Bashkiak, do të përcaktojë familjet që u subvencionohet kredia
Emanuela Sako
Familjet në nevojë të kryeqytetit që kanë aplikuar për një nga programet sociale të Bashkisë së Tiranës, do të gjejnë një zgjidhje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ky këshill do të diskutojë Projektvendimin për familjet që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë dhe për projektvendimin për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve, të cilat nuk përballojnë qiranë e tregut të lirë. Anëtarët e këshillit do të vendosin për përfituesit dhe për masën e përfitimit, qoftë për subvencionimin e interesave të kredisë, qoftë për trajtimin me bonus strehimi të familjarëve, të cilët nuk kanë mundësi jetese dhe të ardhura mujore. Shpeshherë Bashkia e Tiranës ka bërë përzgjedhjen për këtë kategori dhe ka bërë pagesën për të gjithë ata familjarë që kanë gjetur shtëpitë me qira të ulët.
Çështjet
Pjesë e zgjidhjes së çështjeve do të jenë edhe një pjesë e qytetarëve që kërkojnë lidhjen e kontratës së privatizimit për truallin e tyre, të cilëve u ka dhënë të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë. Njëkohësisht, do të diskutohet edhe çështja e atyre qytetarëve që kërkojnë lidhjen e kontratave të privatizimit për banesat dhe oborret përkatëse. Kështu, dy projektvendimet që do të diskutohen për këto çështje janë: Projektvendimi “Për lidhjen e kontratës së privatizimit, për truallin, në favor të qytetarëve Kiço Kolezi, Androniqi Kolezi dhe Leonora Kolezi, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, nr. 7007, datë 29.06.2005”; Projektvendimi “Për lidhjen e kontratave te privatizimit, për banesat dhe oborret përkatëse, në favor të qytetarëve Kadri Çuka dhe Agron Haxhiraj, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës nr. 7811, datë 28.12.2005”.
Këshilli
Pas disa kohësh shkëputje Këshilli Bashkiak do të diskutojë 11 çështje, për të cilat një pjesë e qytetarëve janë orvatur për zgjidhjen e tyre në rrugë gjyqësore. Njëkohësisht, çështje të tjera janë edhe ato që kanë të bëjnë me projektet e Bashkisë së Tiranës, apo ato që kanë të bëjnë me miratimin e Programit buxhetor afatmesëm për vitin 2010-2012.
box
Projektvendimet
Projektvendim: “Për trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë”.
Projektvendim: “Për trajtimin me Bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
Projektvendim: “Për heqjen nga Kontabiliteti të pjesës së objektit “Korpusi kryesor” që do të demolohet në ndërmarrjen Ofiçina e Automjeteve Tiranë, me qëllim zbatimin e projektit “Rikonstruksioni i Bllokut 22” dhe miratimin në parim të dhënies me të këtij objekti me sipërfaqe 6734 m², njësi e ndërmarrjes Ofiçina e Automjeteve Tiranë”.
Projektvendim: “Për kalimin në fond banese të objekteve të ish- komandës së forcave detare (ish reparti ushtarak 2001- Laprakë- Tiranë)”
Projektvendim: “Për lidhjen e kontratës së privatizimit, për truallin, në favor të qytetarëve Kiço Kolezi, Androniqi Kolezi dhe Leonora Kolezi, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, nr. 7007, datë 29.06.2005”.
Projektvendim: “Për lidhjen e kontratave te privatizimit, për banesat dhe oborret përkatëse, në favor të qytetarëve Kadri Çuka dhe Agron Haxhiraj, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës nr. 7811, datë 28.12.2005”.
Projektvendim: “Për lidhjen e kontratës së privatizimit, për banesën nr. 146, rruga “Hoxha Tahsim”, në favor të qytetarit Mehmet Spahiu, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës nr. 4261, datë 29.06.2005”.
Projektvendim: “Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit të Buxhetit afat-mesëm për periudhën 2010-2012”.
Projektvendim: “Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm për vitet 2010-2012”.
Projektvendim: “Për përdorimin e fondit rezervë për financimin e projektit “Energjia diellore – alternativë promjedisore dhe ekonomike”.
Projektvendim: “Mbi paraqitjen e dokumentacionit teknik të Planit të Përgjithshëm Rregullues të Bashkisë së Tiranës”.
Arsimi Profesional, prezantohet faza e dytë e projektit
Prezantohet faza e dytë të projektit për arsimin profesional në vendin tonë. I pranishëm në prezantimin e fazës së dytë të projektit AlbVET në Tiranë, mbi lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës, Tafaj paraqiti sfidat e MASH-it në këtë nivel arsimimi. Ministri i Arsimit vuri në dukje objektivat kryesore të këtij institucioni, duke theksuar se nga reforma e sistemit të arsimit profesional pritet një sistem që garanton një shkollim profesional, që krijon shanse reale punësimi dhe vetëpunësimi, një sistem që mobilizon në mënyrë sistematike të gjithë aktorët, pushtetin vendor, bashkitë e komunat si dhe komunitetin në tërësi. Ky sistem, sipas tij, duhet të gërshetojë gjithashtu formimin profesional të të rriturve dhe mësimin gjatë gjithë jetës si dhe të stimulojë arsimin dhe formimin profesional privat në Shqipëri.
Konferenca e Autizmit, Tafaj: Reformë në përgatitjen e punonjësve
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka shpallur së fundi reformën që do të ndërmerret për mësuesit, edukatorët, punonjësit sociale dhe shërbimin psikologjik në çdo zonë të Shqipërisë. Deklaratën për nisjen e kësaj reforme, kreu i Arsimit e ka shpalosur dje në Konferencën e II Ndërkombëtare për Autizmin, në Tiranë. Duke vënë theksin në rëndësinë dhe veçantinë që ka kjo sëmundje për moshat e hershme, Tafaj qartësoi vlerën që merr reforma e sistemit të përgatitjes së mësuesve dhe edukatorëve, duke konsideruar sigurimin e një kulture të mjaftueshme në fushën e mjekësisë, biologjisë, por në mënyrë të veçantë të psikologjisë dhe pedagogjisë. Ministri Tafaj vlerësoi se sfida e parë e MASH-it do të jetë përgatitja e mjaftueshme pedagogjike dhe psikologjike e mësuesve në të gjitha nivelet, veçanërisht të atyre për arsimin parashkollor dhe atë 9-vjeçar.
Emigracioni, Ksera takon shefen e Zyrës së IOM-it në Tiranë
Ministri i Punës, Spiro Ksera priti dje në një takim përfaqësuesen e misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (IOM) në Shqipëri, Nicoletta Giordano. Shefja e Zyrës së IOM-it, Nicoletta Giordano, përmendi bashkëpunimin e nisur me Ministrinë për migracionin e rregullt për arsye punësimi me Italinë dhe Greqinë, ngritjen e sistemit të Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit, ngritjen dhe funksionimin e katërmbëdhjetë Sporteleve të Migracionit pranë zyrave të punës, Planin Kombëtar për dërgesat në para të emigrantëve etj. Nga ana e tij, ministri Ksera vlerësoi kontributin që zyra e IOM-it në Tiranë jep në fushën e migracionit dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të saj me institucionet e qeverisë, veçanërisht me Ministrinë e Punës.
21 Tetor 2009