E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji anti-duhan, rinisin kontrollet me gjobë për administratën e QSUT-së



Emanuela Sako

Rikthehet në qendër të vëmendjes zbatimi i ligjit anti-duhan, ku inspektorët sanitarë kanë kryer kontrolle në QSUT dhe kanë marrë masa ndëshkuese ndaj saj. Gjobitet me 50 mijë lekë Reparti i Konsultave Kirurgjikale në këtë qendër spitalore. MSH-ja dhe ISHP-ja kanë kryer kontrolle në ambientet e QSUT-së dhe në lokalet përreth dhe kanë konstatuar shkelje të mëdha të këtij ligji. Nëpër pavijone mungonin shenjat dalluese që parashikojnë ndalimin e pirjes së duhanit në pavijone dhe në ambientet e tjera të spitaleve. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli është shprehur se shumë shpejt do të vendosen gjoba dhe masa të rënda ndëshkimore për të gjithë shkelësit e ligjit. Ndërkohë që kryeinspektori sanitar pranë MSH-së, Gazmend Bejtja, deklaroi dje: “Inspektorati Sanitar ka pjesën e vetë të përgjegjësisë, por tashmë kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera që ligji të funksionojë”. Kontrollet filluan pas deklaratës së bërë nga KE-ja për zbatimin e ligjeve shëndetësore në Shqipëri, ku u evidentua moszbatimi i ligjit anti-duhan.
Zbatimi
Specialistët sanitarë theksuan se zbatimi i ligjit do të vijojë edhe në ditët në vijim dhe pritet që të ketë kontrolle të rrepta dhe gjoba për të gjitha subjektet që nuk marrin parasysh zbatimin e ligjit. Ligji anti-duhan parashikon gjoba 50 mijë lekë për institucionet publike, si dhe 100 mijë për subjektet private. Ndërkohë që nuk ndëshkon konsumatorët në rast se kapen duke pirë duhan në ambientet publike, por vetëm drejtuesit e subjekteve.
Kjo është nisma më e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë, në zbatim të Ligjit “ Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.
Ligji
Miratimi i ligjit anti-duhan, dy vite më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, synonte ndalimin e pirjes së duhanit, që është një ndër shkaktarët kryesorë të mjaft sëmundjeve. Ndërkohë që paraqiti dhe një strategji, që përmbante disa rregulla apo kura për të lënë duhanin. Broshurat do të shpërndaheshin në spitale, ndërsa një linjë telefonike do të qëndronte e gatshme për t’iu dhënë konsulta të gjithë personave që kërkonin të linin duhani. Por asnjë nga këto rregullore nuk është zbatuar. Aktualisht duhani pihet në të gjitha ambientet publike, lokale, restorante zyra etj. Ligji u cilësua i dështuar, ndërsa Ministria e Shëndetësisë pretendoi se nëpërmjet vendosjes së gjobave dhe kontrolleve të herëpashershme në ambientet publike, do të vinte në zbatim ligjin anti-duhan. Por, e vërteta qëndron ndryshe, në asnjë rast apo ambient pirja e duhanit nuk është ndaluar. Ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, është miratuar në parlament, në 26 maj të 2006-ës. Inspektorët Drejtorisë së Shëndetit Publik për Tiranën, disa muaj më parë sqaruan se ky ligj për disa kohë ishte ndër më të suksesshmit, pasi që në momentet e para që ka hyrë në fuqi, është respektuar përgjithësisht nga të gjitha subjektet. Por, mosvjelja e gjobave që u vendosën nga inspektorët që ushtrojnë kontrolle, tregoi se ligji ka një handikap. Sipas tyre vjelja nuk u bë në kohë. Ministria e Shëndetësisë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve hartoi disa broshura për të sensibilizuar të gjithë duhanpirësit për dëmet që shkakton duhani.

Ministria e Shëndetësisë, linja këshillimi për lënien e duhanit

Ministria e Shëndetësisë morri masa për informimin e publikut, duke shkruar slogane të ndryshme në të gjitha produktet e duhanit. Gjithashtu, në të gjitha produktet e duhanit shfaqet dhe numri jeshil pa pagesë 0800 47 47 si një mundësi tjetër për ofrimin e asistencës për lënien e duhanit. ISHP-ja ka publikuar edhe disa broshura, në të cilat bëhen të ditura disa mënyra për lënien e duhanit. Gjithashtu në disa pjesë të paketës janë vendosur shkrime paralajmëruese për dëmet e shkaktuara nga pirja e duhanit. Për të bërë të ditur rrezikshmërinë e duhanit janë shfrytëzuar të gjitha faqet e paketës, disa në masën 50% të vendosura në faqen ballore dhe 50% në faqen e prapme. Për zënien e sipërfaqes së paketës ishin në diskutim tre variante. Specialistët e shëndetësisë sugjeruan më tepër këtë variant, pasi ky variant, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, krijon kushtet për përshtatje me detyrimet e Konventës për Kontrollin e Duhanit. Në konventë thuhet se paralajmërimet e detyruara shëndetësore të jepen me figura, por kjo procedurë do të zgjasë deri në një afat të pacaktuar, prandaj, për momentin po aplikohen vetëm sloganet.
Tashmë çdo paketë përmban dy lloje paralajmërimesh të përgjithshme për dëmet në shëndet të duhanit. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që paralajmërime të përgjithshme të jenë “Pirja e duhanit vret/Pirja e duhanit mund të vrasë” apo “Pirja e duhanit ju dëmton ju dhe të tjerët rreth jush”. Në rastin e paketimeve njësi të përdorura për produktet e duhanit, që nuk janë cigaret si në rastin kur duhani është për përtypje apo për nuhatje dhe kur sipërfaqja më e dukshme e së cilës tejkalon 75 për qind, paralajmërimet e përgjithshme do të mbulojnë 37.5 për qind të secilës faqe.

ISHP: Duhani është përgjegjës për 25 lloje sëmundjesh

ISHP-ja ka kryer një studim për një sërë sëmundjesh që përgjegjës kryesor është pirja e duhanit. Sipas studimit të ISHP-së, duhani është përgjegjës për shkaktimin në organizëm të 25 lloje sëmundjesh. Kjo ndodh pasi tymi i duhanit përmban 4.000 lloj kimikatesh të njohura si shkaktarë të sëmundjeve të zëmrës, të sëmundjeve respiratore dhe disa lloj tumoresh etj. Duhani ndikon negativisht në shtatzëni, ku ndodh dëmtimi i zhvillimit normal të fëmijës. Sipas të dhënave të marra nga autoritetet shëndetësore botërore, në botë çdo 6,5 sekonda duhanpirja shkakton një vdekje. Në vendin tonë duhanpirja është 39% persona me probleme, kundrejt 28,6 % në vendet BE-së. Duhanpirja është më e lartë tek meshkujt (60%) sesa tek femrat (18%). Gjatë djegies, cigarja çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit (si përgjegjës kryesor për vrasjen nga duhani dhe dëmtimet e aparatit kardiovaskular) dhe deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive. Në qoftë se do të bëhet një listë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejtë nga duhani, ajo do të jetë tepër e gjatë. Duhani është përgjegjës për të ashtuquajturën “epidemi” të kancerit të mushkërive, duke çuar këtë kancer në numrin një të vdekshmërisë së kancerit te meshkujt. Te femrat kanceri i mushkërive nuk ka rol parësor në vdekshmëri, por rreziku nga duhanpirja është rritur çdo 10-vjeçar me rritjen e përdorimit të tij nga femrat. Specialistët kanë vërtetuar se për çdo 20 cigare rreziku 15-fishohet. Kjo ndodh kryesisht te konsumatorët e duhanit gjatë moshës 50-60 vjeç kur personit i shfaqen simptomat e para.

21 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›