E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, ndryshon kriteri i mesatares për ata që e kanë fakultet të dytë



Jonida Tashi

Ndryshon kriteri i mesatares për të vijuar studimet me kohë të pjesshme si fakultet i dytë. Ndërsa një vit më parë, një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve ishte që nota mesatare e fakultetit të parë duhet të ishte mbi tetë, këtë vit jo me patjetër do të merret në konsideratë vetëm kjo e fundit. Duke marrë shkas nga situata e krijuar gjatë viteve të fundit, ku mjaft student që kanë dashur të ndjekin studimet e pjesshme, për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë “djegur” vetëm për shkak të notës mesatare më të ulët se tetë të fakulteti të parë, drejtuesit e Arsimit kanë vendosur të bëjnë disa lëshime.
Mesatarja
Këtë favorizim ata e kanë bërë për faktin se mjaft prej kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë sistemin e pjesshëm si fakultet të dytë ose fakultetin e parë e kanë bërë në një degë jo të preferuar e thënë ndryshe për të mos ngelur pa shkollë, ose kanë studiuar në një degë të vështirë ku nuk mund të pretendosh për mesatare. Për këtë arsye, kandidatët që do të aplikojnë këtë vit për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme si fakultet të dytë, mund të paraqesin edhe mesataren e shkollës së mesme për t’u përzgjedhur si fitues, nëse ajo e fakulteti të parë nuk është mbi tetë. Ky fakt është konfirmuar nga burime zyrtare pranë Fakultetit të Drejtësisë, të cilat bëjnë të ditur se ky është urdhri i fundit që u është dërguar për përzgjedhjen e kandidatëve që do të vijojnë këtë vit akademik studimet e pjesshme për të marrë një diplomë të dytë. Zyrtarisht procedurat e aplikimit për studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit akademik 2009-2010 në universitetet publike të vendit do të nisin në ditët e para të muajit nëntor, pas përfundimit të pranimeve në universitete me sistemin me kohë të plotë.
Dokumentet
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve duke u shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm: Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; Deklaratë individuale e kandidatit. Të regjistruarit që nuk plotësojnë këtë deklaratë do të çregjistrohen. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie origjinale, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/ Zyra Arsimore përkatëse,ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara më sipër, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një universitet (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të.

Dosja e aplikimit për studimet e pjesshme
Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të
Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë)
Në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës
2 fotografi
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit
Deklaratë individuale e kandidatit
Të regjistruarit që nuk plotësojnë këtë deklaratë do të çregjistrohen
Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie origjinale, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/ Zyra Arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA
Diplomën e lëshuar nga një universitet (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të

Strehimi
Qyteti Studenti, rritet më 5 mijë lekë tarifa e regjistrimit
Ndryshe nga çfarë ishte deklaruar se tarifa e regjistrimit në godinat e Qytetit Studenti do të rritej në mënyrë simbolike, ajo është shtuar me 5 mijë lekë. Zyrtarisht tarifa e regjistrimit që do t’u duhet të paguajnë studentët që do të strehohen gjatë vitit të ri akademik në Qytetin Studenti (Q.S), do të jetë 35 mijë lekë. Për të evituar problemet e mundshme që mund të dalin gjatë këtij procesi, drejtuesit e Q.S-së bëjnë të ditur se studentët e vitit të pare duhet të kryejnë pagesën pranë bujtinave kur të regjistrohen. Ndërsa studentët e viteve 2-6, të cilët janë të shpallur në listë-pasaporta sipas bujtinave përkatëse, të planifikuar për vitin akademik 2009-2010, duhet të derdhin pagesën për strehim pranë Bankës Kombëtare Tregtare me numër llogarie të TS-1 sh 403002295 dhe pranë BIS Banka me numër llogarie të TS-1 sh.a 6937. Për regjistrimin e strehimin në bujtinat e Q.S-së për vitin akademik 2009-2010 studentëve ju kërkohet dokumentacioni i mëposhtëm. Certifikatë me fotografi e periudhës korrik–tetor 2009 ose fotokopje e kartës së identitetit e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar; 3 fotografi; Vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (Jo fotokopje); Raporte mjekësore nga rrethi përkatës; Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të depozitojnë pranë Qendrës Shëndetësore kartelën mjekësore; Mandat pagesën. Urdhër regjistrimi nga inspektorët regjistrues, të cilët janë të vendosur pranë çdo bujtine. Gjatë procesit të regjistrimit të studentëve në të gjitha bujtinat do të gjeni numrin e drejtorit të TS-1 sh.a, Bujar Brovina, 068 20 80 636, ku mund të telefononi për çdo pengesë në strehim ose në raste kur vëreni abuzime nga punonjësit e shërbimit në bujtina. Për vitin akademik 2009-2010 është mundësuar që strehimi i studentëve në dhoma të jetë për tre persona. Këtë vit akademik, në bujtina e Q.S-së pritet të akomodohen rreth 6500 studentë. Meqenëse ka pasur kërkesa në rritje për strehimin e vajzave në Q.S, drejtuesit e tij kanë vendosur që këtë vit të vënë në shërbim të tyre dhe bujtinat nr.28-29, për strehimin e studenteve vajza vetëm të vitit të parë. Studentët djem, të cilët për vitin akademik 2008-2009 kanë qenë të strehuar në bujtinat nr.28-29 do të sistemohen në bujtinën nr.20-21, e cila tashmë është rikonstruktuar. Në të gjitha bujtinat do ketë salla studimi për studentët. Në dhomat e strehimit janë vendosur lavamanë, pasqyra dhe janë shtuar dushet në katet e bujtinave.

Dokumentet për regjistrim dhe strehim
Certifikatë me fotografi e periudhës korrik–tetor 2009
Ose fotokopje e kartës së identitetit e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar
3 fotografi
Vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (Jo fotokopje)
Raporte mjekësore nga rrethi përkatës
Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të depozitojnë pranë Qendrës Shëndetësore kartelën mjekësore
Mandat pagesën
Urdhër regjistrimi nga inspektorët regjistrues, të cilët janë të vendosur pranë çdo bujtine

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›