E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtaraku, zbulohet në reanimacion mikrobi Klebisiela

 

Zirina Llambro

Rezistent ndaj antibiotikëve më të fortë. Shumë më agresiv se Stafilokoku e streptokoku, që gjenden rëndom në sallat operatore të spitaleve. Klebisiela është mikrobi që disa muaj më parë është gjetur në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Mbjelljet e kryera në salla kanë konfirmuar praninë e tij. Gjithçka është kaluar në heshtje, ndonëse dhjetëra pacientë të infektuar patën pasoja pas ndërhyrjes kirurgjikale. Këtë situatë e konfirmojnë për gazetën burime të sigurta nga stafi i mjekëve. Sipas tyre, dyshimet për praninë e bakterit erdhën pas problemeve që shfaqën disa të sëmurë. “Pas operacionit dhe qëndrimit për disa ditë në  reanimacion, të sëmurë të ndryshëm shfaqën të njëjta shenja infeksioni, inflamacion probleme respiratore, infeksion urinar. Disa prej tyre madje që u ndoqën në vazhdimësi nga mjekët dhe iu deshën më shumë se 2 muaj që të shëroheshin, edhe pse përdorën antibiotikët më të fortë. Paskësaj u bënë mbjelljet në salla dhe reanimacion dhe rezultoi prania e një bakteri që quhet Klebisiela”, sqarojnë burimet. Sipas tyre, sallat u mbyllën dhe u dizifektuan. Sipas tyre, mbjelljet janë bërë edhe njëherë tjetër dhe të paktën nga sa u është bërë me dije nga drejtoria e spitalit, mikrobi nuk është gjetur më në sallë. Infeksionet nozokomiale, të shkaktuara prej Klebisielës, mund të çojnë në pasoja fatale për pacientët. Kjo pasi mikrobi është rezistent ndaj antibiotikëve më të fortë.
Mungesa e ilaçeve
Me gjithë përpjekjet që bëjnë sanitaret për të mbajtur pastër sallat operatore, përpara një ndërhyrje kirurgjikale pacientët duhet të blejnë vetë gjithçka. Që nga fashot, që shërbejnë për të lidhur plagën e për të pushuar hemorragjinë, e deri tek betadina që dezinfekton plagët. Vetë personeli mjekësor pranon mungesat  e medikamenteve e pajisjeve mjekësore. “Pacientët blejnë vetë gjithçka, aq sa na vjen turp ndonjëherë kur detyrohemi t’i dërgojmë të afërmit e tyre edhe për një gentamicinë e për fasho në farmaci. Edhe dorezat plastike i kemi blerë vetë para operacionit”, nënvizojnë burime nga stafi i mjekëve. Këtë fakt e pranojnë edhe vetë të sëmurët. “Vetë i kam blerë të gjitha, edhe analizat i kam kryer në klinikat private këtu afër spitalit. Këtu nuk ka asgjë. Edhe allçinë në darkë e bleva vetë”, shprehet një pacient i shtruar në pavijonin e ortopedisë, me frakturë të këmbës. Nga sa duket qartë edhe në foto, situata është pak a shumë e njëjtë edhe në sallën operatore të urgjencës. Në dollapin përbri shtratit të sallës nuk ka asnjë ilaç rezervë. Ai është krejtësisht bosh. Mjekët e këtij shërbimi mohuan mungesën e ilaçeve dhe sipas tyre ato janë në farmaci e nuk është e nevojshme të mbahen në sallë. Por nuk arritëm të vjelim asnjë koment mbi pyetjen se sa mund t’i kushtojë një të aksidentuari rëndë, koha që duhet për t’i sjellë ato nga farmacia në sallë. Në Spitalin Ushtarak në dukje gjërat shkojnë mirë, por nga sa pohojnë mjekët e pacientët shërbimi në të sa vjen e lë për të dëshiruar. “Nuk e dimë kujt i shërben e gjithë kjo, por ajo që duket qartë është fakti se spitali ka mungesa të mëdha. Askush nuk e vë ujin në zjarr për të. E gjithë kjo, në një kohë kur në të është e vetmja qendër traume që përballon aksidentet dhe tragjeditë natyrore”, thonë një pjesë e mirë e mjekëve që punojnë aty prej vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›