E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, ISHP-ja shton në listë edhe 15 raste të dyshuara me virusin A/H1N1



Jonida Tashi

Vazhdon alarmi i përhapjes së gripit të derrit në vendin tonë. Ndonëse nuk i kanë marrë ende përgjigjet përfundimtare të analizave, autoritet shëndetësore deklarojnë se numri i rasteve të dyshuara me virusin A/H1N1 ka shkuar në 15 persona. Nga analizat pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), 15 pacientët kanë rezultuar me grip të tipit A, por pritet konfirmim i nga laboratori i Rumanisë, për nën tipin H1N1.
Situata
Pavarësisht numrit të rasteve të dyshuara me virusin A/H1N1, që mjekët infektiv kanë evidentuar, deri tani numri zyrtar i pacientëve të prekur nga gripi i derrit në vendin tonë është 30 persona. Ndërkohë në ditët në vijim sipas burimeve nga ISHP-ja, pritet konfirmimi për rastet e dyshuara. Aktualisht, në spitalin Infektiv në kryeqytet janë shtruar dy persona me simptoma të A/H1N1, por falë trajtimit mjekësor gjendja e tyre shëndetësore konsiderohet si e mirë. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Tirana dhe kanë marrë ndihëm mjekësore në spitalin Infektiv në kryeqytet, si dhe në atë të pediatrisë në QSUT. Harta e përhapjes së gripit të derrit në vendin tonë nuk është fokusuar vetëm në kryeqytet, pasi rastet e konfirmuara kanë qenë dhe nga qytete të tjera të Shqipërisë si Durrësi, Saranda, Gjirokastra dhe Devolli. Që nga konfirmimi i rastit të parë, ISHP-ja ka analizuar rreh 632 mostra të marra tek pacientë që kanë shfaqur shenjat e gripit, të mbledhura këto nga të gjitha spitalet rajonale të vendit.
Parandalimi
Duke marrë shkas nga situata e përhapjes së virusit A/H1N1 në vend, specialistët e shëndetit publik janë detyruar të marrin masa për informimin e nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës. Shefja e Higjienës Fëminore-Shkollore-Studentore në Drejtorinë e Shëndetit Publik, në Tiranë, Besa Shehu, bën të ditur se është bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik për shumëfishimin e posterave dhe fletë-palosjeve informuese nëpër shkolla, në mënyrë që çdo nxënës të pajiset me fletë-palosje dhe të informohet mbi masat që duhet të marrë gjithsecili për parandalimin e sëmundjes. Ndërkohë, një nga masat më të thjeshta, por mjaft e rëndësishme, është respektimi i rregullave bazë të higjienës. “Drejtoria e Shëndetit Publik i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës sigurimin e ujit të pijshëm në shkolla, si dhe në sasi të mjaftueshme të detergjenteve dhe mjeteve larëse”,- pohon Shehu, sipas së cilës, kërkesa për shtimin e orarit të furnizimit me ujë të pijshëm i është përcjellë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›