E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet, fluks kërkesash për fakultetet e UT-së

31/07/2009  Përzgjedhja e degëve më të kërkuara penalizon me humbjen e studimeve nxënësit mesatar

Rezultatet e lëndëve me zgjedhje, çelen procedurat e ankimimit për të pakënaqurit

Universiteti i Tiranës rezulton të ketë dhe fluksin më të lartë të kërkesave të paraqitura nga maturantët për ndjekjen e studimeve të larta gjatë vitit të ardhshëm akademik. Ndonëse, ende nuk ka përfunduar nxjerrja e të dhënave nga plotësimi i formularëve A2, pjesa dërrmuese e kandidateve kanë listuar në formularin e preferencave, më shumë se një prej programeve të studimit që ofron UT-ja, apo universitetet e tjera të kryeqytetit. Ndër degët më të kërkuara rezulton të jetë Drejtësia, e cila edhe pse ka vetëm një program studimi, mbledh çdo vit numrin më të lartë të kërkesave për studime. Megjithatë, kjo zgjedhje penalizon në masë maturantët, pasi pranimet jo vetëm që janë të kufizuara në krahasim me kuotat e miratuara dhe kërkesat e bëra, por nga ana tjetër të drejtën e studimit e marrin vetëm ata kandidatë që kanë pikët dhe mesataren më të lartë. Ndërkohë që pjesa tjetër që nuk kanë kufirin e duhur të pikëve duke listuar këtë fakultetet kanë minimizuar shanset për të renditur një tjetër degë ku kanë më shumë mundësi për të fituar me pikët që disponojnë. Specialistët shtojnë se kësaj kategori mund t’u jepet edhe një tjetër mundësi gjatë spostimit të listës së fituesve në fazat e caktuara të përzgjedhjes, e cila do të shoqërohet me një tjetër formular preferencash për kuotat që do mbesin të parealizuara.

Përllogaritja

Aktualisht ka përfunduar publikimi i rezultateve të arritura nga 39 mijë pjesëmarrësit në garën për kuotat e propozuara në universitetet publike të vendit. Pas njohjes me këto rezultatet, pritet të nisë dhe faza e fundit e përllogaritjeve të maturës nëpërmjet të cilës listohen kandidatët fitues sipas çdo programi studimi. Burimet zyrtare të MASH-it, bëjnë të ditur se ky proces do të nisë zyrtarisht pranë APRIAL-it vetëm pasi të ketë përfunduar dhe procesi i rishikimit të rezultateve në rast se do të ketë ankesa për pikët e publikuara.

Rishikimi

Po e njëjta procedurë ankimimi do të ndiqet edhe për testet e lëndëve me zgjedhje. Dorëzimi i ankesave nga maturantët e pakënaqur duhet të bëhet pas publikimit të rezultateve të vendosura nga vlerësimi i parë. Kështu, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA-ja rivlerësim të testit të tij. Për këtë brenda 4 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë komisionit të shkollës së tij një kërkesë dhe mandatarkëtimin e pagesës së një tarife, e cila arrin rreth 16 mijë lekë. Pasi grumbullohen të gjitha këto kërkesa, ato dërgohen në drejtoritë arsimore dhe brenda një afati prej 7 ditësh këto të fundit duhet t’i dorëzojnë në AVA, ku bëhet rivlerësimi i tyre nga një tjetër komision vlerësuesish, të ngritur posaçërisht për këtë rast. Rivlerësimi bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen.

Tabela

10 programet e studimit me notën mesatare

më të lartë të arritur vitin e shkuar.

NR EMËRTIMI_DEGA KUOTA MES 4 MES 5

1 Stomatologji 80 8.95 9.1

2 Farmaci 100 8.91 9.08

3 Mjekësi e Përgjithshme 300 8.76 8.95

4 Inxhinieri Ndërtimi 150 8.69 8.86

5 Informatikë Ekonomike 100 8.55 8.75

6 Drejtësi 400 8.48 8.6

7 Financë 460 8.36 8.57

8 Shkenca Politike 100 8.35 8.5

9 Inxhinieri Elektronike 150 8.27 8.48

10 Psikologji 100 8.18 8.26

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›