E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda shkatërrojnë 5 bosët e bandës së Shijakut

31/07/2009  Organizata trafikoi në Itali 488 kg heroinë. Kapoja i grupit Hekuran Hoxha

TIRANE- Një organizatë kriminale që kishte si specialistet të sajin, trafikimin e heroinës nga Shqipëria në Itali, është shkatërruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe antimafia italiane. Grupi shqiptar që përbëhej nga 5 shtetas nga zona e Shijakut, kishte mundur që gjatë viteve 2003-2004 të dërgonte në brigjet italiane sasinë rekord të 488 kg heroinës. Në shumicën e rasteve banda përdorte korrierë, por për efekt sigurie ndonjëherë sasitë e lëndës narkotike, trafikoheshin nga drejtuesit e superorganizatës, e cila drejtohej nga Hekuran Hoxha ose “Roni”. Të rënë në gjurmët e aktivitet kriminal të kësaj bande, mësohet se fillimisht hetimet për shkatërrimin e saj nisën nga antimafia italiane dhe më pas ato u shtrinë edhe në Shqipëri, ku në këtë vend veprimet hetimore kryheshin nga specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas një koordinimi të suksesshëm të informacionit me palën italiane, Krimet e Rënda arritën të arrestojnë dhe të dërgojnë si të pandehur në gjykatë, shtetasit Hekuran Hoxha, Alket Hatija, Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Saimir Gjepali, që të gjithë nga Shijaku. Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr 21, si dhe nga një analizë e hollësishme e provave të grumbulluara, ka rezultuar se të pandehurit, kanë marrë pjesë në 18 episode të trafikimit të lëndëve narkotike të dërguar nga Shqipëria dhe Greqia, për në drejtim të shtetit italian. Më konkretisht është provuar pjesëmarrja e të pandehurve se Alket Hatija, ka marrë pjesë në 11 episode, Hekuran Hoxha (Roni) në 7 episode, Fatbardh Hoxha në 4 episode, Mentor Shehu (Toku) në 5 episode dhe Saimir Gjepali ose (Shaqiri) në 2 episode. Këta të pandehur kanë lidhje të ngushta miqësore dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe gjithë sasia e trafikuar prej tyre në Itali, është sekuestruar nga antimafia italiane. Mësohet se heroinën grupi e blinte në Turqi dhe Maqedoni, ku më pas nëpërmjet portit të Durrësit dhe skafeve ajo dërgohej në Itali. E ndërsa krerët e kësaj organizate qëndronin më së shumti në Shijak, “çirakët” e tyre arrestoheshin në Itali. Prokuroria e Milanos, për llogari të këtij hetimi ka arrestuar rreth 90 persona, shqiptarë dhe të huaj që prisnin heroinën apo ishin korrierë të saj në veri të Italisë. Episodi i parë, nga i cili Prokuroria ka vendosur të regjistrojë procedimin penal, bën fjalë më 21 janar të vitit 2003. Të pandehurit Hekuran Hoxha dhe Fatbardh Hoxha, si rezultat i përgjimeve telefonike, ka rezultuar se kanë komunikuar vazhdimisht në telefon me bashkëpunëtorin e tyre në Itali Eduart Daiun, të cilin e kanë porositur të përdorë numër të ri telefoni për qëllim të trafikimit të lëndëve narkotike. Të pandehurit, në lidhje me trafikimin e kësaj sasie lënde narkotike, kanë ngarkuar si korrier shtetasin shqiptar Bajram Ndrecaj. Nga hetimet e kryera nga autoritetet italiane, është arritur që të individualizohet dhe të mbahej nën vëzhgim korrieri Bajram Ndrecaj, i cili ka përdorur autoveturen tip Citroen, Xsara-Picasso me targa elvetika BE57419. Si rezultat i përgjimeve telefonike, pikërisht më 21 janar 2003, në Reggio Emilia, pranë restorantit McDonald’s, “Via Emilia Ospizio”, është arrestuar korrieri Bajram Ndrecaj. Arrestimi i tij është kryer pas kontrollit të ushtruar në autoveturën e mësipërme, në të cilën janë sekuestruar 71 pako me peshë prej 38 kg lëndë narkotike e tipit heroinë. Ndërkohë që përveç këtij rasti organizata ka kryer trafikimin e sasive të ndryshme të heroinës edhe 17 herë të tjera.

Episodi 1, sekuestrohen 38 kg heroinë

Episodi 2, sekuestrohen 21.750 kg heroinë

Episodi 3, sekuestrohen 19.5 kg heroinë

Episodi 4, sekuestrohen 22 kg heroinë

Episodi 5, sekuestrohen 9.6 kg heroinë

Episodi 6, sekuestrohen 23.5 kg heroinë

Episodi 7, sekuestrohen 21 kg heroinë

Episodi 8, sekuestrohen 11 kg heroinë

Episodi 9, sekuestrohen 16.5 kg heroinë

Episodi 10, sekuestrohen 35.3 kg heroinë

Episodi 11, sekuestrohen 5.5 kg heroinë

Episodi 12, sekuetrohen 31.7 kg heroinë

Episodi 13, sekuestrohen 16.5 kg heroinë

Episodi 14, sekuestrohen 14.2 kg heroinë

Episodi 15, sekuestrohen 32 kg heroinë

Episodi 16, sekuestrohen 12 kg heroinë

Episodi 17, sekuestrohen 70 kg heroinë

Episodi 18, sekuestrohen 52.7 dhe 33.6 kg heroinë

Total janë sekuestruar 488 kg heroinë

Të pandehurit

1. Alket Hatia nga Shijaku

2. Hekuran Hoxha nga Shijaku

3. Fatbardh Hoxha nga Shijaku

4. Sajmir Gjepali nga Shijaku

5. Mentor Shehu nga Berati

Veprat Penale

“Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim dhe më tepër se një herë.

“Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”. “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, ”Mbajtja pa leje të municionit luftarak”. “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”

Episodi rekord

I pandehuri, Hekuran HOXHA, pasi ka kontaktuar me Arben Bacin, i konfirmon se pas disa ditësh do të mbërrijë pranë tij një korrier tjetër, i individualizuar si kamionistin polak, me emrin Andrzej Levandovvski. Ky korrier është futur në shtetin italian nëpërmjet portit të Barit dhe ka pasur në përdorim një kamion me targë gjermane. Në momentin që korrieri ka qenë në autostradën nr. A14, nga ana e punonjësve të policisë është vendosur që të ndalojnë para se të takohej me pritësin e mallit Arben Baci. Pas kontrollit janë gjetur të fshehur mes disa onfeksione rrobash, 3 çanta me 132 pako, me lëndë narkotike të tipit heroinë, me peshë prej 70 kilogram.

Këpucët kontrabandë

Policia arreston Kasëm Kserën

dhe Mëhill Hasanin

TIRANE- Policia e Tiranës ka vënë dje në pranga kreun e shoqatës së quajtur “Bujaria shqiptare” Kasem Ksera si dhe një anëtar të Këshillit Bashkiak të Kamzës të quajtur Mëhill Hasani, pasi akuzohen se tentuan të fusnin kontrabandë në Shqipëri një sasi prej 180 mijë palë këpucësh. Mësohet se dy ditë më parë në doganën e Tiranës shoqata në fjalë nisi procedurat për zhdoganimin e kësaj sasie këpucësh. Shoqata kishte paraqitur një autorizim nga kryetari i bashkisë Kamëz për përjashtim nga taksat dhe një kërkesë për lejimin e kësaj ngarkese si ndihmë humanitare për banorët e bashkisë së tij. Mirëpo pas verifikimeve autoritetet doganore sqaruan se dokumentet e paraqitura ishin të falsifikuara dhe se asnjë kërkesë e tillë nuk ishte bërë nga kjo bashki. Strukturat e antikontrabandës bllokuan kamionin dhe njoftuan strukturat e krimit ekonomik. Dje u bënë dhe arrestimet e para për veprën penale të kontrabandës e falsifikimit.

Lufta kundër kanabisit

Tiranë, zbulohet parcela

me 17 bimë narkotike

TIRANE- Nga forcat e policisë së Tiranës është mundësuar gjetja e një parcele me rrënjë bime narkotike në fshatin Lundër të komunës Farkë e Madhe në një pyll. Nga burimet policore, bëhet e ditur se u sekuestruan në cilësinë e provës materiale afro 17 rrënjë bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, të cilat kishin një gjatësi prej 1-1.8 metra. Ndërkohë, që po punohet për identifikimin dhe gjetjen e autorëve të mbjelljes së këtyre rrënjëve. Nga veprimet e para hetimore që kanë kryer specialistët e policisë është konstatuar se prona, ku ishte mbjellë lënda narkotike nuk i përkiste asnjë shtetasi. Ndërkohë që për verifikim e personave të dyshuar agjentët e antidrogës kanë siguruar disa dëshmi të personave që pretendojnë se kanë parë shtetas të ndryshëm që kultivonin bimën narkotike. Aktualisht çështja do hetohen për veprën penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”.

Grabiti 600 euro në Golem

Arrestohet Ervin Preçi,

dy të tjerë shpallen në kërkim

KAVAJË- Shërbimet e komisariatit të Kavajës kanë kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Ervin Preçi, 19 - vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje me dhunë. Arrestimi i tij u bë pasi dje rreth orës 11:00 në Golem në bashkëpunim edhe me dy bashkëmoshatar të tjerë të identifikuar (por po punohet për kapjen e tyre), dyshohet se kanë realizuar vjedhjen prej 600 eurosh, në dhomat e pushuesve në plazhin e Golemit. Për të shmangur fenomenin e vjedhjeve shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë kanë marrë masa organizative, si në drejtim të normalizimit të trafikut rrugor ashtu edhe në drejtim të parandalimit dhe kapjen e autorëve me tendencë kryesisht vjedhjen e pasurisë së pushuesve. Aktualisht lidhur me këtë çështje materialet i kaluan Prokurorisë së Kavajës për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.

Vrasja e Ilir Krypit

Policia prangos 25-vjeçarin Hekuran Sulmataj

ROME- Arrestohet një nga personat e dyshuar që ka vrarë pak ditë më parë shtetasin shqiptar Ilir Krypi. I ndaluari njihet me emrin Hekuran Sulmataj 25 vjeç dhe është arrestuar dje në mëngjes në Romë të Italisë. “Hekuran Sulmataj, thonë hetuesit, ishte kapoja e bandës së shqiptarëve të përbërë nga 5 vetë, 2 prej të cilëve tashmë të prangosur, u arrestua në një apartament në kryeqytetin italian së bashku me një tjetër bashkatdhetar”. Ky i fundit akuzohet se ka ndihmuar 25-vjeçarin t’i shpëtonte arrestimit të policisë. Gjatë kontrollit në banesë policia kishte arritur të gjente dhe armën pistoletë e kalibrit 6.35 me të cilën dyshohet se mund të jetë kryer krimi. Sipas të dhënave të hetimit, 25-vjeçari ka mbajtur viktimën teksa një bashkëpunëtor i tij e ka qëlluar në kokë. Përveç akuzës së vrasjes, Hekuran Sulejmani akuzohet për dhunë seksuale, sekuestrim personi dhe shfrytëzim prostitucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›