E Shtunë, 31 Tetor 2026

Municioni i Gërdecit kushtoi 75 milionë lekë

20/04/2010 Dëshmitarët: Alba–Demil asnjë lekë për transportin e municionit, shpenzimet nga shteti

Ushtarakë të lartë dhe të mesëm zbardhin të vërtetën mbi tragjedinë e 2008-ës

TIRANË- Transporti i municioneve nga depot deri në fabrikën e Gërdecit është mbuluar me shpenzimet e shtetit. Këtë e pohoi dje në seancë gjyqësore Albert Bora, ish-zëvendës komandanti i komandës mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes. Tragjedia e Gërdecit vazhdon të zbardhet nga ushtarakët e lartë dhe të mesëm, të cilët kanë zbatuar urdhrat dhe tashmë duhet t’i zbërthejnë ato. Pasi është shpjeguar mënyra e hartimit të kontratës për dhënien e tokës me qira në favor të Alba- Demil dhe SAC, Prokuroria ka vijuar me sjelljen e dëshmive që vërtetojnë rrugën se si është kryer transporti dhe faturat e paguara nga shteti duke lehtësuar shoqëritë kontraktuese. Bora tha se të gjitha shpenzimet, ku futen, karburanti, dietat, punëtorët e ngarkim shkarkimit kapnin shumën prej 75 milionë lekësh. Sipas tij, transporti i municioneve është kryer nga ushtria edhe pse një pjesë të shpenzimeve duhet ta merrte MEICO. Gjatë fjalës së tij, Bora deklaroi se transporti i municioneve bëhej nga depot e armatimeve në drejtim të fabrikës së Gërdecit për t’u demontuar me mjete të forcave ushtarake. “Urdhri 2044 i ministrit të Mbrojtjes për kalimin e municioneve MEICO-s, ka dalë më 7 dhjetor të vitit 2007. Në bazë të tij ne duhet të bënim një marrëveshje me MEICO-n”, tha ai. Kjo marrëveshje duhej të bëhej për transportin e municioneve. “Për këtë i dërguam një shkresë Shtabit të Përgjithshëm dhe ministrit të Mbrojtjes. Nga ana e shefit të Shtabit të Përgjithshëm na erdhi një fonogram që MEICO duhet të merrte përsipër vete transportin me privat. Ndërkohë që nga ana e ministrit të Mbrojtjes nuk na u kthye përgjigje. Marrëveshja nuk u arrit dhe ne vazhduam të kryenim transportin megjithëse kishim vështirësi nafte”, vazhdoi Bora. Më tej ai shtoi se “ne nuk kemi pasur detyrë tjetër vetëm transportin dhe sigurinë me Policinë Ushtarake. Transporti për në Poliçan dhe në Gramsh nuk është kërkuar pasi MEICO ishte strukturë brenda Forcave të Bashkuara. Në bazë të rikonstrukturimit të ushtrisë ne bënim përqendrimin e municioneve dhe për këtë ka pasur transport të përditshëm. Ne do të linim në depo municionet e vjetra dhe do të demontoheshin të gjitha municionet nga viti 1945 e më vonë”. Bora ka theksuar se demontime të municioneve janë kryer edhe në Sinanaj të Tepelenës, demontime të cilat nuk mund të bëheshin në fabrikën e Gërdecit.

Fadroma e ushtrisë për Alba-Demil

Bora deklaroi se për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit ishte marrë Bardhyl Çeliku. Mësohet se përveç MEICO-s që e ndihmonte, për llogari të Alba –Demil ishte edhe një fadromë që merrej me hapjen e gropave për hedhjen e mbeturinave. Sipas dëshmitarit, ditën e ngjarjes fadromi është shkatërruar plotësisht, ndërsa fadromisti ka vdekur.

Karburanti jo i mjaftueshëm

Dëshmitari i dytë që ka dhënë shpjegime në lidhje me problemet që ishin hasur me furnizimin e karburantit ishte Janaq Prifti, i cili kishte pasur detyrën e ish-shef i furnizimit në komandën mbështetëse. Përpara gjykatës ai tha se për sasinë e karburantit në korrik të 2007-ës kishte vënë në dijeni komandantin e forcës mbështetëse Zija Baja.

Mosnjohja me urdhrin

Janaq Prifti tha dje se me urdhrin 550 të ministrit të Mbrojtjes nuk ishte njohur, ndërkohë që atij i ishte vënë në dispozicion një akt-marrëveshje nga ndërmarrja MEICO për transportin e municioneve. Sipas tij, bëhej fjalë për municionet që ktheheshin mbrapsht kur kishin probleme, ku vetë Prifti kishte sugjeruar një specialist.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›