Gjendet një kufomë e paidentifikuar në nënkalimin e trenit në Sukth
Durrës – Në vendin e quajtur superstrada Tiranë-Durrës, në afërsi të nënkalimit të trenit në fshatin Sukth është gjetur një kufomë e paidentifikuar e seksit mashkull e moshës rreth 80 vjeç. Forcat hetimore kanë shkuar në vendngjarje dhe nga vëzhgimet e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga deklarimet e banorëve të zonës rezulton se personi është parë para disa orësh në gjendje i shtrirë përtokë duke fjetur. Ndërkaq, bëhet e ditur se kufoma do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe po punohet për identifikimin e viktimës. Ajo ka rezultuar se është e seksit mashkull dhe i moshës 80 vjeç, i shkurtër dhe me flokë të thinjura.
Operacioni “Hija e Lisit”, policia asgjëson 2083 rrënjë bimë kanabis
Tepelenë - Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të koduar nën emrin “Era e Jugut”, nisur për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike, Policia e Qarkut të Gjirokastrës ka zhvilluar një tjetër operacion të koduar me emrin “Hija e Lisit” në rrethin e Tepelenës. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se aksioni u zhvillua në pyllin e fshatit Kras 2 të Tepelenës, ku si rezultat i tij, në vendin e quajtur përroi i Harakopit, u bë i mundur evidentimi i 3 parcelave të hapura rishtas në dy faqet e përroit ishin kultivuar bimë narkotike Cannabis sattiva, ku përreth kishte lisa të mëdhenj dhe të dendur. Në këto parcela ishin të mbjella 2083 rrënjë bimë të dyshuara si Cannabis sattiva, të cilat varionin nga 150 centimetra deri në 3,5 metra të larta dhe një pjesë deri në 4 metra të larta. Në momentin që policia ka shkuar në vendin ku ishte parcela, autori i kultivimit të bimëve narkotike duke përfituar nga terreni mjaft i thyer dhe i vështirë dhe me shkurre të dendura ka mundur të largohet. Policia ka kryer veprimet hetimore, dhe ka marrë e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasie bimësh për ekspertim biokimik, ndërsa bimët e tjera janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim pronarin e dyshuar të bimëve.
27 Korrik 2009