Aksidentet, dy persona të vdekur dhe një i plagosur rëndë
TIRANË - Tri aksidente kanë ndodhur, prej të cilave dy me vdekje. Kështu, një 38-vjeçar nga Shkodra ka humbur jetën dje në superstradën Fushë-Krujë - Lezhë. Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e Patokut, ndërsa një betoniere po tentonte të kalonte nga rruga e Patokut për në superstradë, në këto momente është përplasur me një motoçikletë që po udhëtonte nga Thumana për në Lezhë. Burime të policisë bëjnë të ditur se viktima e këtij aksidenti është 38-vjeçari Jetmir Mehja, nga fshati Bërdicë i Shkodrës. Policia Rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur zhbllokimin e trafikut. Në vendin ku ka ndodhur aksidenti pamja për drejtuesit e mjeteve dhe drejtuesin e motorit ishte e kufizuar për shkak të ndërtimit të mbikalimit.
Po dje është bërë arrestimi në flagrancë i Florenc Elezit, 23 vjeç. Ndalimi i tij është bërë pasi rreth orës 10:00, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Volks//vagen Polo” me targë DR 2695 C, në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, ka aksidentuar këmbësoren A. M., 14 vjeçe. E dëmtuara ndodhet në Spitalin rajonal Durrës në gjendje të rëndë.
Po dje, një 37-vjeçar ka humbur jetën kur makina me të cilën udhëtonte ka dalë jashtë rruge. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë-Triport, në zonën e Pyllit të Sodës. Automjeti që drejtohej nga viktima Ali Hyseni ka dalë nga rruga duke u përplasur me trungjet e pishave anës rrugës së Pyllit të Sodës.
Arsenal armësh në shtëpi, arrestohet 43-vjeçari
ELBASAN - Një arsenal i vërtetë ushtarak është cilësuar nga forcat policore ai i gjetur i fshehur në një banesë të qytetit të Elbasanit. Bëhet fjalë për 2 automatikë, 1 pushkë, 1 krehër automatiku me 28 copë fishekë, 1 granatë dore, 5 kapsolla detonatore alumini, 1 fitil zjarrpërcjellës, 3 kallëpe tritoli 200 gramësh dhe 1 kallëp tritoli 400 gramësh, që të gjitha të gjetura së bashku. Ngjarja konfirmohet nga burimet policore të Elbasanit, sipas të cilave, i gjithë ky material luftarak u gjend në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Më tej ato bëjnë me dijeni se është bërë i mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 43-vjeçarit Besim Hysa, banues në fshatin Licaj të Elbasanit, ndërsa ndiqet në gjendje të lirë 55-vjeçarja Vezire Bega, banuese në qytetin e Elbasanit. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, e cila parashikohet nga neni 278 i Kodit Penal.
Plumba dhe bomba molotov familjes shqiptare
KORINTH - Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytezën e Korinthit në Greqi, ku gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm është sulmuar me armë zjarri dhe bomba molotov shtëpia e një familjeje shqiptare. Lajmin e bën të ditur policia lokale, sipas të cilave, në momentin e sulmit të gjithë anëtarët e familjes shqiptare, mes të cilëve dy të mitur, ndodheshin në banesë. Sipas burimeve, dyshohet që sulmi të ketë pasur si objektiv kreun e familjes për një larje hesapesh. Ngjarja ka shkaktuar frikë te banorët e lagjes “Lutraki”, ku ndodhi sulmi, të cilët janë shprehur se më parë nuk kanë pasur asnjë problem me familjen shqiptare. “I njohim shqiptarët që jetojnë këtu, janë njerëz shumë të mirë. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por kemi frikë”, - ka deklaruar një banor.
29 Maj 2010