E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje mes banorëve dhe punonjësve të Ujësjellësit, tre të plagosur



DURRËS – Revolta e banorëve për prerjet e paligjshme të ujit të pijshëm ka sjellë konflikt me punonjësit e Ujësjellësit, i cili përfundoi me një bilanc prej tre personash të lënduar. Burimet policore bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në komunën Xhafzotaj në Shijak. Të lënduarit janë O. Beko dhe Besnik Abdyli. Sipas burimeve policore, edhe një tjetër punonjës i Ujësjellësit është qëlluar me gurë në kokë duke përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Konflikti mes banorëve dhe punonjësve të Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve nisi në orën 18 e 30, kur dy prej punonjësve shkuan për të parë rezultatin e aksionit të përfunduar një javë më parë me prerje masive të ujit për konsumatorët që nuk kishin paguar faturat. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve kishte marrë informacion operativ se tubacionet e prera 8 ditë më parë në bashkëpunim e forcat e policisë ishin instaluar sërish. Teksa ndodheshin në zonën e banuar, janë shtuar tensionet pasi janë përballur me dhjetëra persona. Fillimisht u qëllua me gur në kokë Besnik Abdyli, i cili ka humbur ndjenjat për disa minuta. Në këtë moment në mbrojtje të Abdylit kanë dalë dy nipat e tij, të cilët u ndodhën rastësisht në vendin e ngjarjes. Të rreshtuar përkrah punonjësve të Ujësjellësit, edhe këta dy shtetas, M. Abdyli 31 vjeç dhe I. Tareci, 26 vjeç kanë rënë pre e dhunës duke u qëlluar shumë herë me thika në bark. Mjekët pohojnë se më rëndë paraqitet gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit M. Abdyli, pasi tehu i thikës i ka prekur mëlçinë. Ai gjendet i shtruar në reanimacion. Në Spitalin Rajonal të Durrësit ka shkuar edhe manovratori Besnik Abdyli, i cili u godit me gurë teksa ushtronte detyrën.
Policia nisi hetimet për ngjarjen dhe sipas të dhënave të para, janë identifikuar keqbërësit. Mbrëmë u morën në pyetje disa banorë të zonës dhe që prej orës 20:00 janë shpallur në kërkim disa shtetas. Të gjitha hyrje-daljet e fshatit Xhafëzotaj janë bllokuar nga policia, me synimin për kapjen e autorëve të dhunës ndaj punonjësve të Ujësjellës-Kanalizimeve, ku njëri prej tyre u plagos së bashku me dy nipat e tij.
Menjëherë pas ngjarjes reagoi edhe drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Doklead Ademi, i cili pasi vizitoi të plagosurit, denoncoi aktin e rëndë. “Kjo është një ngjarje kriminale”, - tha Ademi. Sipas tij, “bëhet fjalë për familje të tëra, të cilat nuk kanë kontratë; nuk janë mësuar kurrë të paguajnë ujin dhe për disiplinimin e tyre do të veprojë forca e ligjit”.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›