E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, procedurat e regjistrimit për vitin akademik 2010-2011



Ambasada Italiane në Tiranë ka publikuar zyrtarisht procedurat e aplikimit, për të paraqitur kërkesën e regjistrimit paraprak, për në universitetet italiane. Sipas njoftimit të posaçëm, të publikuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, “Për procedurat për regjistrimin në universitetet italiane nga ana e studentëve të huaj, për vitin akademik 2010-2011”, studentët, që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane, duhet të dorëzojnë deri në datën 21 qershor kërkesën paraprake. Të rinjtë që i përkasin juridiksionit të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, saktësisht ata studentë, të cilët, pasaportën e kanë tërhequr pranë komisariateve të rretheve në vijim: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë, kërkesa duhet të dorëzohet brenda datës 21 qershor pranë Pallatit të Kulturës, sheshi “Skënderbej”, nga ora 14.00 deri në orën 17.00. Ndërsa pjesa tjetër e të interesuarve duhet t’i drejtohen përkatësisht Konsullatës Italiane në Vlorë e Shkodër, sipas juridiksionit përkatës.
Dokumentet
Për të kryer pararegjistrimin në universitetet italiane është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm: kërkesa e regjistrimit, e plotësuar në çdo pjesë, së bashku me dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të formularit në të dyja pjesët e tij, përpara dhe prapa. Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të tregohet qartësisht vetëm një degë universitare. Dega e zgjedhur e studimeve nuk mund të ndryshohet më. Për të zgjedhur degën, këshillohet të konsultoni listën në adresën e internetit: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri; formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat tuaja anagrafike e më pas duke i bërë edhe dy fotokopje të thjeshta pas plotësimit të tij; titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Kandidatët që kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Maturantët e regjistruar në vitin e fundit dhe që do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për ta dorëzuar Dëftesën në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë; kopje e formularit A1, të regjistrimit në dy provimet fakultative dhe e dëftesës përkatëse të pagesës; fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias (CELI 3); dy fotokopje të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës, të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e drejtorisë arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme; fotokopje e pasaportës; 2 fotografi me ngjyra.
Regjistrimi
Ambasada Italiane bënë të ditur se për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur universitetin në Itali është e nevojshme të kalohen të dyja provimet fakultative që janë të domosdoshëm për regjistrimin në universitetet shqiptare. Kurse kandidatët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit, ditën e paraqitjes së kërkesës. Në përfundim të procesit të regjistrimit paraprak, pas datës 10 gusht do të publikohet kalendari i paraqitjes së studentëve për kërkesën e vizës. Në të njëjtën ditë, studentët do të tërheqin zarfin me dokumentet për regjistrim që do të duhet të paraqesin personalisht pranë sekretarive të universiteteve në Itali. Ambasada Italiane njofton se për lëshimin e vizës së studimit, të interesuarit duhet të paraqesin garanci bankare dhe qëndrimi në Itali përmes një llogarie bankare të mbyllur prej rreth 5000 euro dhe një ftesë apo prenotim hoteli për 15 ditët e para të qëndrimit.

Dokumentet që duhet të jenë të legalizuara
Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyera në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Pranë Ministrisë së Arsimit duhet legalizuar si titulli i studimit, ashtu edhe përkthimi, pra do të vendosen dy vula. Firma e drejtorit të shkollës që i ka lëshuar duhet të vërtetohet nga drejtori arsimor i rrethit përkatës dhe firma e këtij të fundit duhet të vërtetohet nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare. Studentët e regjistruar në vit të fundit, që do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë brenda verës së vitit 2010, duhet të paraqesin një vërtetim që të vërtetojë regjistrimin në fakultet dhe provimet e dhëna. Këta studentë duhet të paraqesin një kopje të Dëftesës sapo ta kenë marrë. Dëftesa, lista e notave dhe programi i provimeve duhet të jenë të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Studentët që do të paraqesin kërkesë për regjistrim për kurset e regjistrimit jo me cikël të vetëm (do të thotë pjesa e dytë e studimeve 2-vjeçare, pas sistemit 3-vjeçar) duhet të paraqesin, në vend të Certifikatës së Maturës, titullin e studimit, të lëshuar nga një institucion universitar, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim. Maturantët e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme apo të regjistruar në vitin e fundit të sistemit universitar 3-vjeçar, që do ta marrin Dëftesën dhe Diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet t’i dorëzojnë këto dy dokumente në Ambasadë brenda datës 10 gusht 2010, ora 12.00. Edhe në këtë rast dokumentet duhet të jenë të vërtetuara nga noteri, të përkthyera dhe të vulosura nga institucionet përkatëse.

Dorëzimi i dokumenteve
Dokumentet do të dorëzohen pranë Pallatit të Kulturës në një zarf, ku duhet të shënohet qartë emri dhe mbiemri i studentit, universiteti, fakulteti, dega e studimit, numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike. Mbi zarf duhet të shkruhet qartë:
Emri dhe mbiemri i studentit
Universiteti, fakulteti, dega e studimit
Numri i telefonit (celular + telefon fiks)
Mesatarja e notave (vetëm për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë)
Adresa e postës elektronike (e-mail)

Lëshimi i vizave
Fituesit do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010
Emrat e maturantëve shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet italiane do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010. Sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda datës 10 gusht do të dalin listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane, datat e regjistrimit, informacion në lidhje me procedurat, kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit etj. Sikurse gjatë vitit të kaluar, edhe këtë vit, maturantët shqiptarë, të përzgjedhur nga Ambasada Italiane, për të nisur pararegjistrimin në universitetet italiane dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës do të nisen drejt Italisë në ditët e fundit të muajit gusht.
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Por, me gjithë mbërritjen në shtetin fqinj, ata duhet të kalojnë disa kohë në pritje para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Brenda datës 12 dhjetor 2010 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.

Kalendari i datave për konkurset e pranimit
1 shtator 2010
Provimi i njohjes së Gjuhës italiane
2 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji
3 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën Stomatologji
6 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën Mjekësi Veterinare
7 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degën e Arkitekturës
8 shtator 2010
Konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë
20 shtator 2010
Konkursi i pranimit për Shkencat e Formimit Bazë

14 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›