Borxhi i Shqipërisë, forcimi i dollarit pritet ta thellojë
Ervin KOÇI
Forcimi i monedhës së gjelbër amerikane në tregun valutor ndërkombëtar, nuk do të lërë jashtë prekjes as ekonominë e vendit tonë. Por për këtë të fundit efektet duket se do të jenë negative, sidomos në thellimin e borxhit të jashtëm dhe në rritjen e çmimeve të shumë artikujve, veçanërisht karburanteve. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, mësohet se Shqipëria ka rreth 1.7 miliardë dollarë borxhe të tërhequra pikërisht në këtë monedhë nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe FMN-ja. Këto borxhe janë të barabarta me afërsisht 15 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe me forcimin e dollarit në tregjet dhe bursat ndërkombëtare, automatikisht përqindjet e interesave të këtyre huave bëhen më të shtrenjta. Leku shqiptar është nënçmuar me 20 për qind ndaj dollarit amerikan që nga fillimi i këtij viti, një fenomen ky që varet nga tregu ndërkombëtar, por që mund të rëndojë më tej barrën e borxhit te financat publike të vendit. Dollari kushtonte vetëm 95 lekë në janar të këtij viti, ndërsa gjatë ditëve të fundit kushton më shumë se 112 lekë. Në të njëjtën kohë, leku ka fituar vetëm 1 për qind në kuotimin e vet ndaj euros.
Shtimi i kostos
Forcimi i dollarit kundrejt lekut shton matematikisht peshën e këtij borxhi mbi ekonominë shqiptare, pasi të ardhurat e qeverisë janë në lekë, ndërsa interesat dhe principali i këtyre borxheve shlyhet në dollarë amerikanë. Forcimi i dollarit me 20 për qind bën që në fund të vitit, barra e borxhit publik mbi ekonominë të rritet me një shumë të barabartë prej 1-2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. I njëjti fenomen ndodhi vitin e kaluar, kur borxhi publik u rrit nga 54.8 për qind e PBB-së në 59.7 për qind. Një pjesë e rritjes nuk qe si pasojë e marrjes së borxheve të reja nga qeveria, por si pasojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Pavarësisht se kush qe shkaku i rritjes, financat publike janë ato që do ta paguajnë koston shtesë. Borxhi publik shqiptar mund të rritet nga 60 për qind që ishte në fillim të vitit, në 63-65 për qind në fund të vitit si pasojë e kombinimit të nënçmimit të lekut dhe huamarrjes së re nga qeveria. Institucionet financiare ndërkombëtare vlerësojnë se borxhi publik në masën 40 për qind të PBB-së është në nivelin më të mirë të mundshëm. Kur shkon në 50 për qind, bëhet shqetësues, ndërsa mbi 60 për qind konsiderohet i rrezikshëm. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të përballet me krizë së shpejti, por është e sigurt se sa më shumë shtohet borxhi, aq më shumë shtohet probabiliteti i krizës.
Borxhi
Borxhi publik në Shqipëri arriti në 682 miliardë lekë, me rritje prej 89 miliardë lekësh (rreth 800 milionë dollarë). Qeveria ka në plan të financojë shpenzimet e veta edhe me 50 miliardë lekë të tjera për këtë vit. Vetëm pak ditë më parë, MF-ja deklaroi edhe një herë se nuk ka ndër mend të rrisë deficitin buxhetor dhe se i ka përqendruar përpjekjet te shkurtimi i shpenzimeve.
Emigrantët ndikim në tregun valutor
Kjo javë mund të karakterizohet si përgjithësisht e qetë dhe e stabilizuar sa i takon tregut valutor. Të shtunën tregu valutor i kryeqytetit e shkëmbente në blerje një dollar me 112.5 lekë dhe në shitje 113.1 lekë. Ndërkohë shifrat e fiksuara për monedhën evropiane euro ishin: 1 euro = me 136.2 lekë në blerje dhe 136.7 lekë ne blerje. Një tendencë të lehtë ndryshimi ka monedha britanike paund e cila në fundjavë në tregun valutor kuotohet me 163.6 lekë në shitje dhe 164.2 lekë në blerje. Duke i krahasuar shifrat e këtyre valutave me kursin zyrtar të bankës së Shqipërisë vërejmë se përkrah ndryshimeve minimale që shkojnë deri në 0.8 lekë për monedhë ka një tendencë rënieje për dollarin dhe kundërta ka shtrenjtim të lehtë për euron dhe paundin. Ekspertët thonë se kjo situatë pritet të zgjasë së paku edhe 2 javë kohë kur nis edhe kthimi masiv i emigrantëve për pushime dhe ku si çdo vit ka ndikime në tregun valutor. Qëndrueshmëria e monedhave ka efektet e saj edhe në shkëmbimet tregtare të vendit e veçanërisht në importet që janë më shumë në volum. Një monedhë e qëndrueshme garanton edhe çmime më të qëndrueshme në treg.
Ekspertët: Në 2011, euro barazohet me dollarin
Rimëkëmbja e ngadaltë e ekonomisë dhe problemet me deficitin e lartë buxhetor në shumë vende të eurozonës, do të fundosin monedhën e përbashkët europiane deri në atë pikë sa të barazohet në këmbim me dollarin amerikan. Ekspertët thonë se në 2011-ën, një euro do këmbehet me një dollar. Paralajmërimi vjen nga Qendra për Kërkimet Ekonomike dhe Biznesin në Londër, e cila në një raport tre mujor parashikon se për të forcuar rritjen ekonomike, Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit në Shtetet e Bashkuara, në fund të këtij viti. Në kontrast me këtë - thuhet në raport, dobësia e ekonomisë në europë, do të detyrojë BQE-në të mbajë normat e interesit në nivele të ulëta. Daglas Mekuilliams, drejtues i qendrës, tha se “është e pashmangshme që në njëfarë pike euro të thyhet dhe sipas tij, kjo do të ndodhë shpejt, ndoshta për 5 apo 10 vjet”. Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një rënie me 30 cent kundrejt dollarit amerikan, dhe me rritjen e interesave në sistemin bankar amerikan, do të bjerë edhe 20 cent. Një ditë më parë, euro u këmbye me 1.21 dollarë.
14 Qershor 2010