Procedurat për ata që nuk do të përfitojnë brenda datës 30 qershor
Jonida Tashi
Detajohen procedurat që duhet të ndjekin përfituesit e pensionit të pleqërisë që nuk do të dalin në pension brenda datës 30 qershor të këtij muaji. Bëhet fjalë për ata persona, të cilët, megjithëse i kanë plotësuar kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, nuk kanë mundur ta marrin këtë pagesë për shkak të mos plotësimit të datës së lindjes, e cila duhet të jetë brenda harkut kohor të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Në mjaft raste, për arsye të mospërputhjes së vitit të lindjes me harkun kohor të përcaktuar nga ISSH-ja, për kategoritë që dalin çdo vit në pension ndodh që një person, megjithëse ka plotësuar moshën dhe periudhën e sigurimit për të përfituar pagesën e pleqërisë, nuk del dot në pension vetëm për shkak të datëlindjes. Tradicionalisht, moshat e pensionit në vendin tonë përcaktohen duke respektuar harkun kohor nga data 1 korrik e çdo viti deri në datën 30 qershor të vitit tjetër. Për shembull, një grua që bën pjesë në kategorinë e tretë të punës dhe ka lindur në vitin 1951, aktualisht e ka plotësuar moshën dhe vitet e punës që i duhen për të dalë në pension, por ajo nuk mund të jetë brenda datës 30 qershor të këtij viti pensioniste për arsye se data e saj e lindjes është 4 korrik e vitit 1951. Sipas kushteve të vendosura nga ISSH-ja, për punë të kategorisë së tretë, për gratë, datëlindja e daljes në pension deri më 30 qershor duhet të jetë brenda këtij harku kohor: 1.7.1950-30.6.1951. Ndërsa për burrat që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë të punës, datëlindja duhet të jetë duke filluar që nga 1.7.1945-30.6.1946. Në këto kushte, personat që nuk e kanë datën e lindjes brenda intervalit kohor korrik-qershor, të vendosur nga ISSH-ja, duhet të riaplikojnë për të përfituar pension, pas datës 30 qershor të çdo viti.
Procedurat e aplikimit
Për të nisur zyrtarisht procesin e aplikimit për përfitimin e pensionit personat që gjenden pranë përfitimit të kësaj pagese kanë të drejtë që të aplikojnë në agjensitë lokale të sigurimeve shoqërore, një vit para arritjes së moshës për pension. Fillimisht ata duhet të plotësojnë një kërkesë paraprake për caktimin e pensionit. Pas depozitimit të kërkesës, çdo i interesuar në prag të daljes në pension duhet të dorëzojë në agjensinë përkatëse rajonale të sigurimeve shoqërore një fotokopje të librezës së punës, si dhe të deklarojë historikun e punës. Specialistët e pensioneve shpjegojnë se zbatimi i kësaj procedure është me rëndësi, jo vetëm për personin e interesuar për pension, por edhe për administratën e sigurimeve shoqërore. Paraqitja e librezës së punës dhe deklarimi i historikut të punës do të vlejnë për të kryer verifikimin në kohë të historikut të punës. Sipas ekspertëve, në mjaft raste puna që ka kryer një person është në qendra të ndryshme të punës, apo edhe në shumë raste, në qytete apo fshtara të ndryshme të Shqipërisë. Duke mbajtur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin në kohë, ashtu edhe strukturave të ISSH-së, për të kryer verifikimin brenda kësaj periudhe një vjeçare.
Ndryshimet sipas kategorive
Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë ka përcaktuar zyrtarisht se cilat do të jenë kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë për të katra kategoritë, duke filluar që nga data 1 korrik e vitit aktual deri më 30 qershor të vitit 2011. Sipas kushteve të përcaktuara nga Sigurimet Shoqërore, për ta ligjëruar të drejtën e përfitimit të pensionit deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për kategorinë e parë do të rritet me një vit periudha e sigurimit si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Kurse për kategorinë e dytë dhe të tretë të pensioneve është rritur me 6 muaj mosha e përfitimit të pensionit. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranës, Saba Goci, shpjegon tri kushtet ligjore që duhet të përmbushin personat e interesuar për të dalë në pension, duke filluar që nga kategoria e parë, e dytë dhe e tretë e deri te nënat me shumë fëmijë. Njëkohësisht, me përcaktimin e moshave që dalin në pension deri më 30 qershor të vitit 2011, specialistët e ISSH-së, bazuar në rregulloren e re të pensioneve, kanë vendosur edhe kushtet që duhet të plotësojnë aplikuesit e të katër kategorive, që janë në prag të pensionit, për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm. Kushtet për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm për të dyja gjinitë janë: datëlindja, plotësimi i moshës dhe viteve të punës.
Kushtet pas 1 korrikut
Kushtet ligjore, të përcaktuara nga ekspertët e ISSH-së, për të përfituar pension të plotë pleqërie nga 1 korriku vitit 2010 deri më 30 qershor 2011, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Konkretisht, është vendosur që për punë të kategorisë së parë mosha e daljes në pension për burrat të jetë 58 vjeç dhe për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 31 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, krahasuar me vitin aktual, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, kurse periudha e sigurimit ka mbetur e njëjtë me atë të mëparshmen, 35 vite. Kështu, mosha e përfitimit të pensionit për punë të kategorisë së dytë është 63 vjeç e 6 muaj për burrat dhe 58 vjeçe e 6 muaj për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Edhe për punët e kategorisë së tretë mosha e përftimit të pensionit është rritur me 6 muaj, kurse periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për punët e kësaj kategorie është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç e 6 muaj dhe për gratë 59 vjeçe e 6 muaj, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar mbetet 35 vite punë. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.
Kriteret për të përfituar pensioni pleqërie, duke filluar nga 1.7.2010 deri më 30.6.2011, janë si më poshtë:
Për punë të kategorisë së parë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1952-30.6.1953 1.7.1957-30.6.1958
Mosha vjeç 58 53
Periudha e sigurimit vite 30 30
Për punë të kategorisë së dytë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1947-30.6.1948 1.7.1952-30.6.1953
Mosha vjeç 63 e 6 muaj 58 e 6 muaj
Periudha e sigurimit vite 35 35
Për punë të kategorisë së tretë
Burri Gruaja
Datëlindja 1.7.1946-30.6.1947 1.7.1951-30.6.1952
Mosha vjeç 64 e 6 muaj 59 e 6 muaj
Periudha e sigurimit vite 35 35
Për nënat me shumë fëmijë
Gruaja
Datëlindja 1.7.1960-30.6.1961
Mosha vjeç 50
Periudha e sigurimit vite 30
14 Qershor 2010