E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, kush janë krerët e grupit hetimor



TIRANË - Zhdukja e vajzës 6-vjeçare ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dy prej specialistëve të njohur, Nikolin Bala nga Policia dhe Anton Martini nga Prokuroria, kanë marrë në dorë dosjen e zhdukjes së Bleona Matës, ngjarje e ndodhur në një fshat afër kufirit Shqipëri-Kosovë që në muajin maj. Pas denoncimit të bërë nga familjarët e 6-vjeçares, hetimet e para u morën në dorë nga institucioni i akuzës në Kukës. Prokurorët shkuan në vendin e ngjarjes dhe morën dëshmitë e personave që ndodheshin së fundi me vajzën e zhdukur. Por jo vetëm kaq. Policia lokale shoqëroi disa persona për këtë ngjarje dhe i mori në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Por të gjithë u lanë të lirë. Në fillimin e muajit qershor, pas më shumë se dy javësh nga zhdukja e së miturës, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosja me materiale erdhi në kryeqytet dhe një javë pas këtyre veprimeve në fshatin malor, Zapod, mbërriti prokurori i caktuar për këtë çështje, Anton Martini, i njohur si përfaqësues i organit të akuzës për një sërë çështjesh të mëdha kriminale në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërsa Policia e Shtetit delegoi zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, Nikolin Bala, i vlerësuar si një ndër specialistët më të suksesshëm të Policisë së Shtetit, me një eksperiencë të gjatë drejtuese në strukturat e Policisë në qarqe, të dy prej personave të caktuar për hetimin e zhdukjes misterioze të vajzës së mitur janë të zënë dhe me procese pune të tjera shumë të rëndësishëm.

Prokurori Anton Martini
Anton Martini është prokurori i Krimeve të Rënda, i caktuar në dy prej çështjeve më të mëdha që janë në gjykim e sipër. Ai ka hetuar të anëtarët e të ashtuquajturës banda e Durrësit, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale që nga vrasjet e deri te trafiku i drogës. Kjo çështje ka shumë muaj që vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe është një nga më të diskutuarat dhe të debatuarat. Por, prokurori Martini, i cili është duke u marrë me hetimin e zhdukjes së Bleona Matës, ka dhe një tjetër çështje në proces, po aq të rëndësishme sa ajo e para. Ai është një ndër prokurorët kryesorë në procesin ndaj bandës së Cërrikut, emri që i është vendosur të arrestuarve për masakrën e ndodhur në qytetin e vogël, jo shumë larg Elbasanit. Në proces gjykimi ndodhen një numër i madh të akuzuarish, të cilët akuzohen për vrasjen dhe djegien e disa gardistëve në vitin 1997.

Nëndrejtori i Policisë, Nikolin Bala
Ndërkaq, i angazhuari tjetër në grupin e hetimit është Nikolin Bala, një oficer policie me një karrierë të gjatë dhe me shumë angazhime deri në postin e drejtorit të Policisë së Qarkut. Ai momentalisht është një ndër drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, i specializuar në hetimin e krimit. Para emërimit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, Bala ka qenë drejtor në Policinë e Shkodrës, në Policinë e Durrësit, si dhe shef Krimesh në disa prej drejtorive në qarqe të ndryshme në Shqipëri.
Pas denoncimit të zhdukjes së vajzës, Prokuroria e Kukësit nisi hetimet. Por, kur kaluan disa javë dhe nuk u shënua asgjë e re, pas mediatizimit të çështjes, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme caktuan dy persona për ta ndjekur enkas rastin. Madje, në Kukës kanë shkruar edhe ministri i Brendshëm, Basha dhe kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Zhvendosja e çështjes në duart e dy ekspertëve të njohur të Tiranës e ka çuar procesin në një moment delikat, pasi Martini dhe Bala kanë bërë verifikimet në terren, në Zapod, dhe tani e kanë zhvendosur punën në Tiranë. Por, ngarkesa e madhe që kanë në punën e tyre të përditshme prokurori Martini dhe zëvendësdrejtori Bala, e vështirëson ndjeshëm punën për zbardhjen në një kohë sa më të shpejtë të ngjarjes së ndodhur në Zapod.
Zhdukja e 6-vjeçares nga Kukësi u kthye në një temë politike, ku eksponentë të Partisë Socialiste akuzuan Ministrinë e Brendshme për angazhim të paktë në gjetjen e saj.

Hetimet, shoqërohen në Tiranë halla dhe një shoqe e 6-vjeçares
TIRANË - Shoqërohet në Tirane halla e 6-vjeçares nga Kukësi, e zhdukur prej tri javësh. Së bashku me një vajzë tjetër, halla 24-vjeçare është marrë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë në dorë çështjen e zhdukjes së Bleona Matës. Ajo dhe e dyshuara tjetër kanë qenë në momentet e fundit me Bleonën, pak para zhdukjes së saj. Duket se kjo është edhe një nga pistat ku policia ka shtrirë hetimet. Ndërkohë, personat e tjerë që janë marrë në pyetje, po në Tiranë, janë lënë të lirë. Zhdukja e vajzës së mitur nga fshati Zapod i Kukësit, Bleona Mata, është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurorët kanë qenë në Zapod të Kukësit dhe kanë marrë shumë dëshmi. Ndërkaq, ata po mbajnë kontakt edhe me homologët e Kosovës, me qëllim gjetjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të zbardhur zhdukjen e mistershme. Pritet që prokurorët e Krimeve të Rënda të bëjnë një detajim të veçantë të të gjitha elementeve ekzistuese mbi zhdukjen e vogëlushes për të krijuar dhe pista të mundshme më afër së vërtetës.
Familjarët
Familjarët e Bleona Matës, 6-vjeçares së zhdukur që nga 22 maji i këtij viti, këmbëngulin në rrëmbimin e saj dhe jo në zhdukjen aksidentale (aksident apo dëmtim nga kafshët e egra). Për këtë ata hedhin dyshime të forta mbi personat që kanë qenë së bashku me të atë pasdite në kullotën në periferi të fshatit, përfshi dhe njerëzit e afërt nga nëna e 6-vjeçares dhe nga babai i saj. "Dyshoj që të kenë gisht mbi zhdukjen e Bleonës vajzat që e shoqëronin atë ditë në kullotë. Se nuk ka se si të zhduket njeriu ashtu papritur e sapo është ndarë, siç thonë, me ata që ishte gjithë kohën. Të flasin vajzat, të tregojnë. Policia ta shikojë këtë punë", - thotë mes të tjerash Zamir Mata, i ati i vajzës së zhdukur. Ndërsa dyshimet e së ëmës janë më të forta. "Nëse nuk kanë dorë, vajzat dinë diçka për fatin e Bleonës. Ajo nuk është zhdukur aksidentalisht, por është marrë për birësim apo trafikim", - pohon Bukurie Mata, nëna e Bleonës. Teksa kërkimet e policisë vazhdojnë pa ndërprerë, përfshi dhe Kosovën, Maqedoninë e deri në Greqi, mësohet se një pistë kryesore e hetimeve është ajo e familjarëve dhe njerëzve të afërt të vajzës. Drejtues të Policisë së Kukësit pohojnë se "është ushtruar kontroll dhe te motrat e Bukuries, nënës së vajzës, por edhe në Kosovë e Maqedoni".

Zhdukja e vajzës 6-vjeçare më 22 maj

KUKËS - Zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata ndodhi në datën 22 maj të këtij viti në fshatin Zapod të Kukësit, ku vajza e mitur humbi gjurmët kur po kulloste bagëtinë në afërsi të banesës së saj. Kërkimet e deritanishme kanë dështuar, ndërkohë që policia ka arrestuar një person me akuzën e dëshmisë së rreme në lidhje me zhdukjen e vajzës. Luftar Jakupi, 29 vjeç, sipas policisë, ka dhënë deklarime të ndryshme dhe të rreme në lidhje me zhdukjen e vajzës Bleona Mata. Policia ka ushtruar kontrolle në të gjitha banesat e zonës, ndërkohë që deputeti i PS-së, Asllan Dogjani, i cili ishte në Kukës, e akuzoi policinë duke thënë se nuk është angazhuar sa duhet në kërkimet për gjetjen e vajzës dhe në hetimin e kësaj ngjarjeje. Shpresat e gjetjes së Bleonës 6-vjeçare çdo ditë po vijnë duke u shuar edhe pse shpresa e familjarëve ende nuk ka humbur. Një pistë në të cilën po hetohet është ajo e një rrëmbimi për trafikim organesh. Policia ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete që të përforcojë dyshimet për këtë pistë, por po e heton me intensitet.

14 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›