Një “task-force” për Bleona Matën
Ulsi Manja
Çështja e Bleona Matës ka shokuar mbarë opinionin publik dhe më gjerë, ndaj hetimi me përparësi i rastit nga ana e Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore është shumë më urgjente sesa çdo çështje tjetër hetimore për shkak të sensibilitetit të madh shoqëror dhe frikës që ajo ka shkaktuar te çdo prind e familje shqiptare.
Si person që kam punuar për një kohë relativisht të gjatë në strukturat e Prokurorisë, e ndiej të paktën një detyrim moral të shkruaj dy rreshta për këtë rast, me synimin për të sensibilizuar kolegët e mi që të mos e trajtojnë këtë çështje si pjesë të rutinës së përditshme, në malin e madh të dosjeve që prokurorët kanë në tavolinën e tyre të punës.
Në radhë të parë, nuk kam për mision dhe qëllim të kritikoj, por të nxis përgjegjshmërinë profesionale dhe qytetare të secilit prej ekspertëve që punojnë në strukturat hetimore, që të kontribuoj për të gjetur shtigjet që mund të ndriçojnë sadopak rrugën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tronditëse.
Gjithmonë, në respekt të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale, që kanë të bëjnë me karakterin sekret të të dhënave hetimore, rasti i Bleona Matës e detyron Prokurorinë shqiptare që të rrisë transparencën dhe komunikimin me opinionin publik, por edhe të marrë disa masa të tjera të karakterit të veçantë në aspektin organizativ të hetimit. Unë do të renditja këto detaje:
Së pari, të na thotë se në çfarë faze janë hetimet dhe sa afër gjetjes së vajzës së zhdukur janë, pasi që nga data 6 maj 2010, kur edhe ka ndodhur kjo ngjarje, ka vetëm hamendësime mediatike. Prokuroria e Përgjithshme duhet të prononcohet pa vonesë për rastin e Bleonës; të qartësojë opinionin publik në lidhje me masat organizative dhe procedurale që ajo ka marrë në funksion të një hetimi të shpejtë dhe objektiv, pasi në raste të tilla kaq sensitive për publikun e gjerë, kjo është një praktikë e njohur për të gjitha prokuroritë e vendeve perëndimore dhe në SHBA.
Së dyti, karakteri specifik i rastit, edhe tani në këtë fazë të hetimit, kërkon ngritjen në mënyrë urgjente të një grupi të posaçëm hetimi, me specialistët më të mirë që ka në dispozicion organi i Prokurorisë. Madje, duke i marrë ato edhe nga rrethet e tjera gjyqësore, sidomos në ato raste kur kanë hetuar ngjarje të ngjashme. Pra modelit të “task-forcës” që është bërë rrugë në Prokurorinë tonë duhet t’i shtohet edhe një tjetër strukturë e përkohshme, posaçërisht për rastin e Bleona Matës, dhe besoj nuk do të ishte e tepërt që hetimet e zhvilluara nga kjo task-forcë të asistoheshin edhe nga një prokuror i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, por në asnjë mënyrë nga kjo task-forcë hetimi nuk duhet të përjashtohet prokuroria vendore, për shkak se stafi i hetimit në Kukës njeh mirë rrethanat dhe mentalitetin e banorëve të kësaj zone.
Specialistët e caktuar në këtë grup hetimi kompakt dhe profesional duhet të shmangen përkohësisht nga hetimet e çështjeve penale që kanë në dorë dhe duhet të merren vetëm me rastit të Bleonës deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Së treti, për një hetim të shpejtë, të gjithanshëm dhe objektiv të çështjes penale të filluar, në dispozicion të kësaj task-force duhet të vihen në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme logjistike, përfshirë edhe ato financiare, për të lëvizur në terren, por edhe për të siguruar informacione konfidenciale në mënyrë që të zgjerohen pistat e hetimit.
Së katërti, ajo që është më e rëndësishme se të gjitha të tjerat, hetimi i rastit të Bleona Matës kërkon angazhim maksimal të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar dhe një bashkërendim të punës së të gjitha agjencive ligjzbatuese në vend, duke përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Shërbimin Informativ Shtetëror, e deri te qeliza më e vogël, që janë inspektorët në terren, sepse, siç duket, provat fillojnë dhe mbarojnë vetëm në Zapod të Kukësit dhe askund tjetër...
Natyrisht, bashkëpunimi me Gjykatën për Krime të Rënda mbetet parësor, pasi veprimet hetimore të kryera nga ky grup hetimi për efekt prove duhet të ligjërohen patjetër nga ana e kësaj gjykate.
Rasti i Bleona Matës dhe mekanizmi i kësaj ngjarjeje për aq sa unë e kam perceptuar nëpërmjet mediave vizive dhe atyre të shkruara, më bëjnë të besoj se autori ose autorët e njohin mirë terrenin e zonës, mentalitetin e banorëve të zonës, zakonet, traditat e fqinjësis, etj., por nganjëherë praktika hetimore e rasteve të tilla ka treguar se kur hetimi merr shtrirje të madhe, deri edhe jashtë territorit të vendit, siç është rasti në Kosovë, apo gjetkë, pa dashje “harrohet” që provat që të çojnë tek e vërteta që mund të jenë shumë afër.
Është shumë e rëndësishme që ata që po merren me rastin e Bleonës duhet të lexojnë dhe rilexojnë me vëmendje deklarimet e para që janë marrë fill pas ngjarjes; t’i kryqëzojnë ato njëra me tjetrën, të deshifrojnë çdo fjalë e germë të shkruar e të mundohen të gjejnë çfarë fshihet mes tyre.
Në raste të tilla, praktika hetimore ka treguar se e vërteta fshihet aty, mes atyre rreshtave, por që ajo të zbulohet duhet të punohet me profesionalizëm dhe duhet të mos neglizhohet asnjë pistë hetimore sado e pa imagjinueshme dhe e parëndësishme që të jetë për momentin.
Por, siç duket, hetimi i çështjes penale për zhdukjen e vajzës 6-vjeçare në Zapod të Kukësit, ka hyrë në rrjedhën e zakonshme të hetimit, si të gjitha çështjet e tjera që heton Prokuroria shqiptare, ndaj që të mos e dëgjojmë më frazën rutinë të Prokurorisë që “hetimet vazhdojnë”, apo se “jemi shumë afër së vërtetës“, në një kohë që e vërteta vetëm largohet për shkak të kohës që kalon, dhe që kjo çështje të mos ketë një fund fatkeq, me një vendim për pezullimin e hetimeve, apeli im si jurist, por edhe si qytetar e prind për prokuroren e Përgjithshme të Republikës është:
Znj. prokurore e Përgjithshme! Merreni në dorë hetimin e zhdukjes së vajzës 6-vjeçare Bleona Mata! Niseni ditën tuaj të punës me këtë çështje e pastaj me të tjerat; mos i lini ata që po e hetojnë këtë çështje ta “bëjnë gjumin rehat” derisa të gjendet vajza; lëvizni çdo gur që ju jep ligji për të qetësuar sadopak shpirtrat e trazuar të prindërve dhe të afërmve të Bleona Matës, për të cilën urojmë dhe lutemi që të gjithë që të jetë gjallë dhe të kthehet sa më shpejt në gjirin e familjes.
Por, që të bëhet kjo, çështja penale për zhdukjen e Bleona Matës nuk duhet hetuar si gjithë çështjet e tjera penale dhe këtë e keni në dorë ta bëni Ju, znj. prokurore e Republikës. Ndaj bëjeni. Kjo duhet të jetë një betejë që duhet ta fitoni Ju znj. Kryeprokurore, sepse veçmas për këtë dosje, në punën tuaj, nuk keni askënd nëpër këmbë.
Bëjeni shpejt zonja kryeprokurore, që të qetësohemi të gjithë; që të qetësohen prindërit e Bleona Matës, të qetësohemi edhe ne për fëmijët tanë, por edhe Ju vetë.
14 Qershor 2010