E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të studiosh në universitetet gjermane

Ambasada gjermane shpjegon procedurat për aplikimin për studime

1. Sistemi i shkollave të larta në Gjermani

ǒlloje shkollash të larta ekzistojnë në Gjermani?

Tre lloje kryesore: universitete, institute të larta profesionale dhe shkolla të larta të arte-ve.

Cilat janë ndryshimet midis këtyre shkollave të larta?

Në mënyrë shumë të përgjithshme mund të thuhet që studimet në universitete janë më teorike dhe më gjata në kohë, studimet në institutet e larta profesionale janë më praktike dhe më të shkurtra. Dhe është e kuptueshme që nuk mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm për shkollat e larta të arteve.

Çfarë lloj diplomash mund të merren në shkollat e larta gjermane?

Diploma e instituteve të larta profesionale deri tani quhej “Diplomë”, ndërsa në universitete deri tani ka pasur tre lloje diplomash: “Staatsexamen” për mjekët dhe juristët, “Diplomë” për studimet e shkencave natyrore, sociale dhe ato të inxhinierisë, si dhe “Magister” për studimet e dijeve humane.

Përse përdorni fjalët “deri tani”? Nuk është më aktual ky sistem?

Sistemi që sapo përshkruam nuk do të ekzistojë më brenda pak vitesh. I ashtuquajturi “Procesi i Bolonjës” do të thotë që në Gjermani, si dhe në të gjitha vendet e tjera europiane do të ekzistojnë vetëm diplomat “Bachelor” (diploma e parë) dhe “Master” (diploma e dytë) – me përjashtim të mjekëve, teologëve dhe juristëve, për të cilat ka ende shumë debat. Diplomat “Bachelor” dhe “Master” kanë si qëllim që studimet të bëhen më të shpejta dhe më eficiente. Atëherë, nëse dëshironi të kryeni studime me perspektive, më mirë kërkoni studimet “Bachelor” ose “Master”. Deri tani, rreth 35 përqind e studimeve në Gjermani përputhen me këtë sistem të ri.

Cili është ndryshimi kryesor midis sistemit shqiptar dhe atij gjerman?

Në Gjermani shkollat e larta gëzojnë një autonomi relativisht të madhe, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik. Kjo do të thotë që çdo shkollë e lartë ka një profil të ndryshëm, gjë që në shumë raste krijon probleme për studentët e huaj që janë në kërkim të një universiteti ose të studimeve të përshtatshme. Nga ana tjetër shanset për të gjetur një universitet që përmbush maksimalisht dëshirat dhe kërkesat e studenteve janë më të larta. Por cilido qoftë universiteti juaj – në Gjermani mund të jeni të sigurt se kudo të studioni sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

2. Financimi i studimeve në Gjermani

Sa kushtojnë studimet në Gjermani?

Deri sot studimet në Gjermani kanë qenë falas. Megjithatë, me një vendim të gjykatës më të lartë gjermane në fillim të 2005, universitetet kanë fituar të drejtën për të marrin taksa nga studentët. Aktualisht nuk është e qartë se sa duhet të paguajnë studentët, por pritet që taksa të jetë rreth 500 EUR për semestër. Ky sistemi i taksave do të zbatohet që nga viti akademik 2006/2007 në shumicën e rajoneve të Gjermanisë.

Sa kushton të jetuarit në Gjermani?

Ekspertët dhe përvoja e deritanishme kanë treguar se 6500 EUR në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten. Minimumi është 6500.- EUR. Bashkë me taksat e reja të universiteteve kjo shkon deri 7500.- EUR në vit.

A ka bursa për studime në Gjermani?

Për fat të keq, oferta për bursa për studime në Gjermani është shumë e kufizuar. Mund të provoni të informoheni në adresën www.e-fellows.net, ku paraqiten disa oferta të kufizuara. Nëse jeni në Gjermani dhe keni marrë nota shumë të mira në të dy vitet e parë, mund të aplikoni për një bursë nga një fondacion politik gjerman.

Atëherë, të gjitha studimet e mia duhet t’i paguajnë prindërit e mi!?

Jo gjithmonë. Në Gjermani, studentët e huaj që vinë nga një vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian mund të punojnë 90 ditë në vit. Në këtë mënyrë mund të financoni një pjesë të studimeve tuaja, por jo të gjitha. Studimet në një gjuhë të huaj kërkojnë mjaft angazhim dhe nuk do të keni shumë kohë për të punuar.

3. Rruga individuale drejt universitetit ose institutit të lartë profesional

Çfarë duhet të di nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

Fillimisht duhet të dini ç’farë dhe ku dëshironi të studioni.

Kush mund të më ndihmojë për të vendosur se çfarë të studioj?

Përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ju vetë e dini më mirë se kushdo tjetër se për ç’gjëra keni më shumë interes dhe ç’farë drejtimi universitar ju pëlqen më shumë.

Kush mund të më ndihmojë për të gjetur një universitet ose një institut të lartë profesional që përputhet me interesat e mia?

Përsëri një përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ndoshta ju keni dëshirë të banoni në një qytet të përcaktuar, ndoshta atje keni familje ose të afërm. Ndoshta keni dëshirë të studioni në një universitet të madh ose preferoni një universitet të vogël.

Një ndihmë këtu mund t’ju ofrojë interneti: Nën adresën www.dashochschulranking.de mund të kërkoni universitetin apo institutin e lartë profesional që përputhet më mirë kërkesat dhe dëshirat tuaja. Ka edhe informacion në anglisht.

Nëse kërkoni informacion për qytetet në Gjermani, këtë do ta gjeni gjithmonë nën adresa të tilla si p.sh. www.koeln.de (Köln), www.hamburg.de (Hamburg) ose www.berlin.de (Berlin).

Por unë dua vetëm të shkoj në Gjermani, nuk më intereson aspak se çfarë do të studioj atje!

Me një qëndrim të tillë do të pësoni zhgënjim të madh. Vendimi për të studiuar në një universitet është një vendim që do të ketë ndikim shumë të madh për gjithë jetën tuaj, si në Gjermani ashtu edhe në Shqipëri.

4. Gjuha gjermane

A duhet ta zotëroj gjermanishten nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

Nëse dëshironi të kryeni studime universitare: Po.

Nëse doni të kryeni studime pasuniversitare, “master” ose doktoraturë: Jo gjithmonë.

Sa mirë duhet ta zotëroj gjuhën gjermane?

“Studienkolleg”-et kërkojnë “njohuri e mirë” – por janë ata vetë që do të përcaktojnë se çfarë kuptohet me “njohuri e mirë”.

Për të kryer studime në një universitet ose në një institut të lartë profesional, ju keni nevojë për njohuri të shkëlqyeshme. Duhet ta provoni duke bërë një provim që quhet “DSH” (Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang). “Studienkolleg”-et do t’ju përgatisin për këtë provim i cili mund të quhet një provim i vështirë.

Ku mund ta jap DSH-në?

DSH-ja jepet në universitetet gjermane. Kush nuk kalon mund ta riprovojë vetëm një herë tjetër.

A ka alternativë për DSH-në këtu në Shqipëri?

Për fat të keq jo shumë:

- Qendra e Gjermanishtes në Tiranë organizon provimin ZOP. Më shumë informacion mund të merrni në Qendrën e Gjermanishtes pranë shkollës së mesme “Asim Vokshi”.

- Kujdes: Shkollat që ju garantojnë se mund të studioni në Gjermani vetëm me dëftesën e tyre të pjekurisë ju mashtrojnë!!

Ku mund ta mësoj mirë gjuhen gjermane?

Ne rekomandojmë Qendrën e Gjermanishtes në shkollën e mesme “Asim Vokshi”, në Rrugën e Elbasanit. Atje mund të merrni mësime nga një staf shumë i kualifikuar dhe pagesa nuk është e lartë. Provimet në Qendrën e Gjermanishtes përputhen me standardet e Institutit Goethe që është i njohur në të gjithë botën. Natyrisht që në Shqipëri ka edhe shumë shkolla private, por nuk mund t’ju themi asgjë për cilësinë e tyre.

Atëherë, nëse dëshiroj të studioj në Gjermani, më mirë të filloj të mësoj gjermanishten që sot! Ashtu është!

5. Rruga drejt shkollave të larta gjermane - formalitetet

A mund të filloj të studioj menjëherë?

Për fat të keq jo. Nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme duhet të japin fillimisht një provim që quhet “Feststellungsprüfung”. Provimi ka dy pjesë: një provim teknik dhe DSH-ja (“Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang”, shiko “Gjuha”). Për këtë provim, ju mund të përgatiteni nga një institucion parauniversitar që quhet “Studienkolleg”. Në të gjithë Gjermaninë ekzistojnë “Studienkolleg”-e.

Atëherë, çfarë duhet të bëj fillimisht?

Hapi i parë: Kërkoni në internet universitetin ose institutin e lartë profesional për të cilin jeni të interesuar. Këta do t’i gjeni gjithmonë nën adresat si p.sh: www.uni-konstanz.de (për universitetin e Konstancës) apo www.fh-jena.de (për institutin e lartë profesional të Jenës).

Hapi i dyte: Kërkoni faqet e “Akademisches Auslandsamt”-it (AAA) ose “International Office”. Atje mund të informoheni – edhe në anglisht – se për cilat dokumente keni nevojë për të bërë një aplikim. Në shumë raste, këta janë: Dëftesa e pjekurisë, një certifikatë që tregon nivelin tuaj të gjermanishtes, një fotokopje e pasaportës tuaj dhe një letër motivimi. Nëse studioni në një universitet shqiptar, kërkohet edhe një certifikatë që provon se e keni kaluar provimin e pranimit. Të gjitha dokumentet në shqip duhet të jenë të përkthyera në gjermanisht dhe të noterizuara.

Hapi i tretë: Plotësoni një “Antrag auf Zulassung zum Studium für ausländische Studienbe-werber/innen” (“Aplikim pranimi për studime nga aplikues të huaj”). Këto aplikime ekzistojnë në gjermanisht dhe në anglisht. Shumica e universiteteve përdorin këtë aplikim standard.

Kur janë afatet të fundit për t’i dorëzuar aplikimet?

Sa më shpejt, aq më mire. Në shumë universitete dhe institute të larta profesionale data e fundit është 15 korrik, në disa shkolla të larta data është më herët. Zakonisht, shkollat e larta nuk pranojnë në asnjë mënyrë që dokumentet të dorëzohen më vonë. Deri në datën e përcaktuar të gjitha dokumentet duhen të ndodhen në zyrat e “Akademisches Auslandsamt”-it ose në zyrën e ASSIST-it.

Çfarë është “ASSIST”?

“ASSIST” është një vend qendror që i ngarkuar nga rreth 50 shkolla të larta kontrollon nëse dokumentet tuaja janë të plota dhe formalisht në rregull. Nëse universiteti që ju keni zgjedhur është anëtari i ASSIST-it duhet të drejtoni aplikimin tuaj atje. Aktualisht një aplikim me ASSIST-in kushton 50 Euro. Çdo aplikim tjetër kushton 10 Euro. Adresa në internet me listën e universiteteve anëtarë: www.uni-assist.de.

Çfarë mund të bëj në rastin kur ka probleme?

Duhet të mbani patjetër kontakt me “Akademisches Auslandsamt”-in apo me “International Office”. Formuloni pyetjet tuaja në mënyrë sa më konkrete; shumë zyra nuk u përgjigjen më pyetjeve të përgjithshme (si p.sh. “Hello, my name is XY, what can I do if I want to study in your university?”), sepse marrin çdo ditë disa qindra E-Maile nga gjithë bota. Në qoftë se nuk merrni përgjigje, provoni një herë tjetër. Provoni edhe të flisni me telefon.

Burimi: Ambasada gjermane

.
Bursa për studime universitare dhe pasuniversitare

Ofertat më të fundit për studentët dhe të diplomuarit
Mundësi studimi në Gjermani, Greqi dhe Poloni

Gazeta “Albania” sjell ofertat më të fundit për studimet universitare dhe pasuniversitare në disa vende të Evropës. Gjermania, Greqia dhe Polonia kanë dhënë disa bursa për të rinjët shqiptarë që janë të interesuar për të aplikuar. Bursat janë publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Universitetin Teknik të Berlinit ka dhënë 3 bursa për programin e Praktikës Ndërkombëtare Parlamentare (IPS). Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Greqisë shpall Programin e Bursave për studime universitare dhe pasuniversitare për kandidatë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe të Teknologjisë (A.E.I dhe T.E.I) në Greqi, për vitin akademik 2010-2011. Po ashtu, edhe Polonia ka dhënë 12 bursa studimi në universitetet publike, për disa nivele. Për të gjitha ofertat janë dhënë detajet dhe mundësitë e kontaktit për maturantët apo të diplomuarit që janë të interesuar që të aplikojnë.

Gjermania ofron 3 bursa per Praktikën Ndërkombëtare Parlamentare

Bundestagu gjerman, në bashkëpunim me Universitetin e Lirë të Berlinit dhe Universitetin Teknik të Berlinit, ofron për të rinjtë shqiptarë 3 (tri) bursa për programin e Praktikës Ndërkombëtare Parlamentare (IPS), për periudhën 01.03.2011 - 31.07.2011.
Bursa u referohet të diplomuarve ose atyre që janë në prag të diplomimit, në fusha të ndryshme studimi. Aplikantët duhet të kenë njohuri të mira të gjuhës gjermane. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me këto bursa dhe dokumentacionin që kërkohet për t’u plotësuar referojuni adresës së mëposhtme të internetit: www.bundestag.de/ips
Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë është data 30 Qershor 2010, në adresën e mëposhtme:
Ambasada Gjermane në Tiranë
Rr. “Skëndërbej”, Nr. 8
Tirana/Albania
Tel: 00355 4 2274505
Fax: 00355 4 2233497

Bursa universitare dhe pasuniversitare në Greqi

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Greqisë shpall Programin e Bursave për studime universitare dhe pasuniversitare për kandidatë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe të Teknologjisë (A.E.I dhe T.E.I) në Greqi, për vitin akademik 2010-2011.
Aplikantët për studime universitare ose pasuniversitare, të cilët nuk e njohin gjuhën greke, do t’i nënshtrohen vitit përgatitor të kësaj gjuhe për një vit akademik, i cili fillon në shtator 2010. Formularët e aplikimit dhe materiale të tjera informues për këto bursa mund të tërhiqen pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në MASH.
Për mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, apo për detaje të tjera, mund të kontaktoni në numrin e telefonit 04 2230197, ose referojuni adresës së

E-mailit: ebalili@mash.gov.al
Dokumentacioni i plotësuar dhe noterizuar nga aplikantët në gjuhën greke të dërgohet direkt në Ambasadën e Republikës së Greqisë në Tiranë, duke filluar nga data 24 maj 2010 deri më 23 korrik 2010 (Prej orës 09:00 - 17:00).

14 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›