E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet part-time, çelen aplikimet

02/12/2009  Kërkesa dorëzohet pranë sekretarive mësimore

Afati i fundit për pranimin e dosjes së konkurrimit është data 8 dhjetor

Çelen aplikimet për ndjekjen e studimeve me kohë të pjesshme për këtë vit akademik. Universitetet publike në të gjitha rrethet e vendit që do të ofrojnë këtë cikël studimesh, duke filluar nga mëngjesi i ditës së sotme do të pranojnë kërkesat për aplikimin. Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë sekretarive të fakulteteve dosjen me dokumentet e kërkuara. Afatet e pranimit të kërkesave do të jenë të hapura deri më datën 8 dhjetor, më pas puna do të zhvendoset pranë komisioneve të ngritura në secilin fakultetet, ku do të përcaktohet dhe lista e kandidatëve fitues sipas kuotave të miratuara nga qeveria. Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe të shoqërohet me këtë dokumentacion: fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi: certifikatë lindjeje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë (në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës); 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë dhe deklarata që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Ndërsa për rastet kur kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale ose zyrën arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Pas shpalljes së listave të fituesve, sipas kuotave të miratuara për çdo degë do të bëhet regjistrimi përfundimtar, i cili zhvillohet nga data 14.12.2009 deri më datën 18.12.2009 prej orës 8:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të çdo fakulteti. Regjistrimi i kandidatëve fitues të bëhet vetëm me dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 5 të këtij udhëzimi. Dokumentet e aplikantëve jofitues do tu kthehen personave përkatës, vetëm pasi ata të kenë bërë kërkesën për tërheqjen e tyre në mbyllje të procesit të pranimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›