E Diel, 1 Nëntor 2026

PS ndryshon strategji, kërkon vetëm zgjedhje të parakohshme

02/12/2009  Rama takime informale me deputetët

Kupola rozë ndryshon strategjinë e saj: nga kërkesa për hapjen e kutive kalon në një tjetër qëllim. Konkretisht kërkesa pas datës 3 dhjetor do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë mënyrë, pas skadimit të afatit që Partia Socialiste ka vënë për mazhorancën dhe kreun e saj shfaqet një tjetër panoramë lidhur me zhvillimet në kampin opozitar. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se në takimet informale mes kreut të PS-së dhe përfaqësuesve të kësaj partie kanë nisur të hidhen piketat e para mbi hapat që do të hedhë kjo parti në ditët në vijim lidhur me pozicionin e saj përkundrejt Parlamentit. Në këtë kuadër ai zhvilloi dje takime të veçanta me përfaqësues të lartë të PS-së, si Fatmir Xhafa, Gramoz Ruçi, Blendi Klosi etj

Qëndrimi

Kështu, parë në vijimësi qëndrimet e ardhura nga kampi i djathtë që pas ultimatumit të vënë nga socialistët, tashmë këta të fundit e kanë fare të qartë se nuk ka reflektim për kërkesën e tyre. Për pasojë pritet që nesër pas skadimit të këtij afati mbi kërkesën për hapjen e kutive të votimit drejtuesit socialistë të bëjnë publik qëndrimin e tyre. Mësohet se tashmë vëmendja do të jetë e përqendruar jo më te kërkesa për hapjen e kutive, por do të jenë zgjedhjet e parakohshme fokusi i gjithë aksionit politik të kampit opozitar. Të gjitha deklaratat, thirrjet publike dhe protestat e mëvonshme do të kenë si kryeçëshjte pikërisht kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Madje, në këtë kontekst kupola rozë pritet të ngrejë një grup pune, i cili duhet të lobojë fort me faktorin ndërkombëtar, me qëllim që një kërkesë e tillë të mund të marrë mbështetjen e diplomacisë së huaj. Ndërkohë sa u takon modaliteteve mbi të cilat do të përqendrohet një aksion i tillë pritet që kupola rozë të hartojë një strategji konkrete pas kërkesën zyrtare për zgjedhje të parakohshme e deri në realizimin e saj. Ndërkohë organizimi i protestave do të jetë një nga mjetet kryesore ku do të përqendrohet lufta e kampit të majtë kundrejt kundërshtarit të saj politik. Megjithatë, mësohet se përpara datës 8 dhjetor nuk do të organizohet asnjë protestë për faktin se sikundër është paralajmëruar kampi blu ka thirrur qytetarët për një manifestim në këtë datë.

Oponenca

Përfaqësuesit socialistë të njohur si kundërshtarë të kryetarit të PS-së gjatë kësaj kohe kanë mbajtur një pozicion të tillë vëzhgimi, ku duke mos u bërë pjesë e asnjë lloj oponence. Pra, së fundi përfaqësuesit e lëvizjes për mendimin ndryshe në PS kanë preferuar të ndalojnë kundërvënien e tyre ndaj lidershipit socialist lidhur me rrugën në të cilën po e drejton këtë parti. Por si rrjedhojë kritikët e Ramës nuk janë përfshirë dhe në përplasjet e lindura gjatë këtyre ditëve mes përfaqësuesve të PS-së dhe atyre të PD-së, ku palët nuk reshtin së akuzuari njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, deputetët që mbështesin mendimin ndryshe në PS nuk kanë ende një vendim konkret lidhur me veprimet që do të ndërmarrin, e kjo pasi vetë situata e krijuar brenda këtij kampi kushtëzon një vendimmarrje. Për këtë arsye ata kanë zgjedhur që të marrin rolin e vëzhguesit në kundërvënien e radhës mes PS-së dhe PD-së.

Olta Xhaçka

“Gjuha e urrejtjes u përdor sërish nga Sali Berisha dhe ushtarët e tij. Shqiptarët panë një tjetër shfaqje të turpshme, që tentonte sërish ta zhvendoste vëmendjen nga kutitë e krimit elektoral të 28 qershorit, mbi të cilat Sali Berisha dhe ushtarët e tij qëndrojnë ulur. Për Sali Berishën dhe ministrat e tij ka mbetur vetëm një zgjidhje: të hap kutitë. Përndryshe, duke mos hapur kutitë, Sali Berisha pranon se qeveria e tij është ilegjitime, duke thelluar edhe më shumë krizën që ka mbërthyer vendin.”

Blendi Klosi

“Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tij besnikë kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve, por janë shpërndarë anembanë Shqipërisë për të lëshuar të pavërteta në adresë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj. Kjo është një tjetër krizë me të cilën përballet sot vendi ynë. Sot Shqipëria, fatkeqësisht, qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve. Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet kundër vullnetit të popullit të tij.”

Ilir Beqja

“Të tre operatorët që mundësojnë furnizimin me energji elektrike për shqiptarët janë vënë në garë cili do të rrisë më shumë çmimin e energjisë. Rritja e kërkuar nga të tre së bashku është më e madhe se 50 % e çmimit aktual. Qeveria shqiptare është bashkëpërgjegjëse direkt në rritjen e çmimit të energjisë, sepse është pronare e kompanisë së prodhimit (KESH-it) dhe e kompanisë së transmetimit (OST). Shtrenjtimi i çmimit për bizneset do të rrisë kostot e prodhimit. Kosto më të larta do të thotë më pak prodhim.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›