E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet part-time, sot nis regjistrimi, afat deri më 21 tetor

TIRANE-Studimet me kohë të pjesshme duke nisur nga dita e sotme, mund të regjistrohen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve nga ora 8:00 deri me 16:00, deri më 21 tetor.
Për të aplikuar, kandidati duhet të paraqesë një fotokopje të noterizuar te diplomës së maturës shtetërore dhe certifikatës së notave, ose të ndonjë dëftese apo diplome tjetër studimi, të fituar jashtë vendit, të barasvlershme me atë në Shqipëri. Dokumenti i dytë që kërkohet, është kartë identiteti ose pasaportë dhe fotokopje të tyre. Gjithashtu, kërkohen edhe dy fotografi e mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh, paguar në Postën Shqiptare. Veç tyre duhet dhe një dokument tjetër, që ka të bëjë me një vërtetim që dëshmon se kandidati nuk ndjek program tjetër studimi me kohë të plotë ose të pjesshme, në ndonjë universitet publik. Sivjet kanë të drejtë të aplikojnë për studime part-time edhe maturantët të cilët kanë mbetur në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore, por që kanë pasur mundësi të kalojnë në sesionin e vjeshtës. Nga ana tjetër, mjafton vetëm që të kenë marrë provimet me detyrim, që të mund të aplikojnë për studimet me kohë të pjesshme. Ky është një shans që u jepet këtyre të rinjve për të vijuar studimet e larta në universitetet publike. Megjithëse numri total i kuotave të pranimit për çdo degë për studimet e pjesshme është i konsiderueshëm, kandidatëve për fakultet të dytë u është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 20 për qind të numrit total të pranimeve. Pjesa tjetër, 80% e numrit total të kuotave, janë të përcaktuara për ata kandidatë që nuk kanë kryer asnjë shkollë të lartë.

Ndalohen të aplikojnë ata që janë shpallur fitues me formularin A2 apo që do të shpallen të tillë me formularin A3, në sistemin e ditës. Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t'i ndjekin 9350 studentë në të gjitha universitetet publike. Institucionet publike të arsimit të lartë do të shpallin dhe afishojnë në vende të dukshme kandidatët fitues, brenda datës 27 tetor.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›