Studimi: Emigrantët po hapin vende pune edhe për italianët
Ervin KOÇI
Emigrantët e huaj në Itali janë kthyer në një mbështetje të vërtetë ekonomike jo vetëm për vendet e tyre të origjinës por edhe për vetë Italinë. Sipas të dhënave, emigrantët jo vetëm që janë kthyer në taksapagues shembullor, por ata po kontribuojnë duke i investuar kursimet tyre në biznese të ndryshme si dhe duke hapur vende të reja pune. Nga një studim i fundit i Dhomës së Tregtisë së Milanos del në dritë që pa emigrantët në 8 krahina italiane ndërmarrjet e mbyllura do të kishin kapërcyer ato të rejat. Ndërmarrjet e lindura në vitet 2000 janë 455 mijë, prej të cilave rreth 285 mijë mbajnë firmën e një jokomunitari.
Emigrantët
Dikur ne Itali thuhej se të huajt vjedhin vendet e punës. Por sot përkundrazi, ata krijojnë vende të reja pune. Këtë e thotë studimi i fundit i Dhomës së Tregtisë së Milanos që nxjerr në dukje se në dhjetë vitet e fundit, ekonomia italiane do të kishte qenë më e varfër në numër sipërmarrjesh e për rrjedhojë edhe në vende pune, në prodhimin e brendshëm bruto. Pa të huajt do të kishte 285 mijë ndërmarrje private më pak, apo e thënë ndryshe, sot do të mungonin 2 në çdo 3 ndërmarrje private të reja ende aktive të hapura nga viti 2000 deri më 2010-n (janë gjithsej 455 mijë). Në këto dhjetë vjet ndërmarrjet private të kontrolluara nga të huaj janë rritur me 200%, kundrejt një rritjeje mesatare prej 9,4% që zbret në 3,6% po të konsiderohen vetëm ato me titullarë italianë. Madje në tetë krahina numri i ndërmarrjeve do të kishte zbritur: p.sh., Piemonte që sot regjistron një rritje prej 6,4% në dhjetë vjet, do të kish pësuar zbritje me 0,1%; Emilia Roana nga 5,5%, pa ndërmarrjet e të huajve do të kishte 1,4% ndërmarrje më pak. E si këto, duhet të falënderojnë sipërmarrësit e lindur jashtë Italisë edhe Liguria, Basilikata, Sicilia, Marcheta, Pulia dhe Veneto. Në nivel provincash, të njëjtën gjë duhet të bëjnë plot 26, si Bolonja, Bari, Arexo, Ravena, Prato, Savona, Ankona etj.
Sipërmarrjet
Ndër 20 provincat me përqindje më të madhe të sipërmarrjeve të huajve, e para renditet Prato, ku në çdo pesë ndërmarrje private, një ka për titullar një të huaj. Pasojnë provinca të rëndësishme si Roma me 12,4% në vend të dytë, Firenze në vend të tretë me 10%, Torino në të tetin me 8,3% apo edhe Milano në vend të 15 me 7,7%. Në vlera absolute, Milano është qyteti i parë për numër ndërmarrjesh private të të huajve me rreth 40 mijë, e pasuar nga Roma me rreth 36 mijë dhe Torino me mëse 21 mijë. Sektorët që më shumë përfitojnë nga sipërmarrjet e të huajve janë ndërtimi që pa emigrantët do të ish rritur me 26,2%, ndërsa falë tyre ka pasur rritje prej 42% dhe tregtia që është rritur me 5,2% por që pa sipërmarrësit emigrantë do të ishte tkurrur me 2,2%.
Shkurt///////////////////////////
ATK: Do të vazhdojë realizimi i projektit të kasave fiskale
Administrata Tatimore e Kosovës do të vazhdojë realizimin e projektit të arkave fiskale. Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se deri tani janë fiskalizuar rreth 80 për qind e bizneseve të mëdha që kontribuojnë në buxhetin e Kosovës. Gjatë këtij viti, ai thotë se do të fokusohen në shumë drejtime, me qëllim vënien nën kontroll të bizneseve. Drejtori i ATK-së, Haliti, tha për radio “Kosovën” se, është i kënaqur për realizimin e projektit të arkave fiskale. Ai, sqaron se gjatë fazës së parë të këtij projekti kanë bërë lëshimin e numrave fiskalë, pastrimin dhe azhurnimin e regjistrave të tatimpaguesve, kurse gjatë fazës së dytë instalimin e pajisjeve fiskale. Haliti, thekson se gjatë vitit 2011, do të intensifikojnë aktivitetet, me qëllim vënien nën kontroll të bizneseve dhe luftimin e ekonomisë joformale. Projekti i kasave fiskale, për regjistrimin e të gjitha transaksioneve përmes regjistruesve elektronik fiskal dhe kërkesa për lëshimin e kuponëve fiskal për çdo mall dhe shërbim të paguar, vlerësohet i dobishëm për qytetarët dhe shtetin.
Kosova kryeson pa simbole mbledhjen e CEFTA-s
Kosova kryeson mbledhjen e CEFTA-s, por ende pa e ditur modelin e mbajtjes së këtyre
takimeve. Këtë vendim pritet që ta marrë Qeveria në mbledhjet e radhës. Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë pranojnë se modeli më i përshtatshëm është ai “Gymnih”, sipas të cilit shtetet përfaqësohen pa simbole shtetërore. Madje, kërkesën për caktimin e këtij modeli ditë më parë e ka pranuar qeveria nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Zëdhënësi i qeverisë në largim, Memli Krasniqi, thotë se shumë shpejt qeveria do të marrë vendim se me çfarë modeli do të organizohen takimet e CEFTA-s gjatë kryesimit të Kosovës. Ai tha se deri më tani në takimet e tjera të karakterit rajonal, janë përfaqësuar sipas modelit “Gymnih”. “Sipas këtij modeli, shtetet përfaqësohen në mënyrë të barabartë pa flamuj, kështu që besoj se edhe këtë radhë në takimet e CEFTA-s do të jetë ky model”,- tha Krasniqi. Ai tregon se vendimi do të merret në ditët e ardhshme dhe se nuk do të jetë nevoja të pritet formimi i qeverisë së re. Nga 1 janari i këtij viti, Kosova mori kryesimin e CEFTA-s, por pritet vendimi i qeverisë kosovare për formën e përfaqësimit në takime.
Kosovë, PTK-ja neglizhon instalimin e pajisjeve fiskale
Post-Telekomi i Kosovës (PTK) vazhdon ta neglizhojë fiskalizimin, ndonëse shumë biznese të vogla tashmë i kanë instaluar arkat fiskale. PTK-ja ka qenë në grupin e bizneseve të para që është dashur të fiskalizohen, mirëpo një proces të tillë kompania më fitimprurëse në vend nuk dihet se kur do ta përfundojë. Gjatë vitit që lamë pas, ATK-ja ka lëshuar më shumë se 900 gjoba për bizneset të vogla, të cilat nuk kanë mundur të pajisjen me arka fiskale në mungesë të mjeteve. Por, nuk ka lëshuar ndonjë gjobë për kompanitë e mëdha siç është PTK-ja, e cila brenda ditës arkëton mbi 300 mijë euro. Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, tha se PTK-ja tash është në fazën e blerjes së arkave fiskale. “Ne kemi pasur telashe, sepse një herë është anuluar tenderi për blerje të arkave fiskale, pasi procesi nuk shkoi ashtu siç duhej. Ne jemi në koordinim të plotë me administratën tatimore të Kosovës të cilën e kemi njoftuar për telashet që kemi pasur”, tha Abazi. Sipas tij, deri nga fundit i muajit PTK-ja do të fillojë instalimin e arkave fiskale.
NYT: Kosova, vend interesant për t’u vizituar në 2011
Një ndër gazetat më të mëdha amerikane, “New York Times”, sugjeron Kosovën si një prej vendeve që duhet vizituar në vitin 2011. Kjo gazetë rekomandon 41 vende në botë që duhet parë këtë vit, dhe e rendit Kosovën në vendin e 36-të. "Që kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, provoi të nisë gjithçka nga zeroja. Përkundër problemeve dhe kundërthënieve, ka përparim në aspektin e udhëtimit: po ndërtohet një autostradë 1 miliardë dollarëshe, hotelet që ishin pronë e shtetit janë privatizuar dhe ridizenjuar, disa vende historike kanë marrë mbrojtje nga UNESCO, dhe në Aeroportin ndërkombëtar tashmë operon edhe avio-kompania e njohur evropiane, ‘Easy-Jet’",- thekson NYT si disa nga arsyet pse duhet vizituar Kosovën. "Turistët do të mund të gjejnë male të thepisura dhe pyje të bukura. Gjithashtu do të gjejnë popullatën më të re të kontinentit, me gati gjysmën e popullatës nën moshën 25-vjeçare. Kjo statistikë vërehet në kryeqytetin Prishtinë, i mbushur me kafe, klube nate dhe restorante",- thekson NYT në artikull.
12 Janar 2011