E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca: Tarifat e shërbimeve bankare janë të larta



Ervin KOÇI

Tarifat e shtrenjta të shërbimeve bankare në Shqipëri kanë përplasur dje dy autoritet të larta shtetërore, Autoritetin e Konkurrencës me Bankën e Shqipërisë. Kjo e fundit nuk ka reaguar pas kërkesës së përsëritur të AK-së, në lidhje me shërbimet e institucioneve bankare në vend të cilat janë më të shtrenjtat në të gjithë rajonin. Lindita Milo, kryetare e Komisionit të Konkurrencës, thotë se që vitin e kaluar Autoriteti zhvilloi një monitorim, në bashkëpunim me BSH-në dhe përfundimi ishte se, tarifat dhe komisionet që aplikojnë bankat në Shqipëri janë të larta dhe ky mund të jetë tregues i një mosfunksionimi optimal të konkurrencës në treg. Kryetarja e Autoritet, Milo, thotë se, “Autoriteti i Konkurrencës ka pritur prej muajsh një qëndrim zyrtar edhe nga Banka e Shqipërisë lidhur me konkluzionet e monitorimit. Por duke qenë se reagimi i Bankës qendrore nuk ka ardhur, Autoriteti i Konkurrencës nuk do të presë më tej dhe do të dalë me një vendim zyrtar”. Veç të tjerash, Autoriteti do të rekomandojë edhe krijimin e “Avokatit të Publikut” në marrëdhënie me institucionet financiare. Kryeministri Berisha tha dje se, tarifat në disa sektorë të ekonomisë shqiptare, si sektori bankar dhe ai i telekomunikacioneve, janë tepër të larta dhe qeveria do të gjejë mënyrat për të ndërhyrë në mbrojtje të konsumatorëve.

Përplasjet
AK-ja edhe më parë është përplasur me BSH-në porsa i përket sektorit bankar e sidomos tregut të bonove të thesarit. AK-ja kërkoi nga BSH-ja që të rikthejë skemën e vjetër, ku cilido që kërkon të investojë në bono ta bëjë këtë pranë sportelit të bankës qendrore. Aktualisht një individ hap një llogari pranë BSH-së, ndërsa paratë i arkëton në një nga bankat e nivelit të dytë. Sipas kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, i është sugjeruar BSH-së që të pranojë individët në sportelin e saj, për të kryer të gjitha veprimet. Në bazë të vendimit të këtij institucioni, Banka duhet të rikthejë depozitimin “cash” pranë saj, si një mënyrë për të eliminuar kostot e transaksionit në shumat e investuara. Por problemi nuk qëndron vetëm tek procedurat e ndërlikuara, por edhe tek kostot e fshehta që paguan individi apo subjekti. Ky i fundit për një investim të tillë paguan dy herë komision, një herë pranë Bankës Qendrore dhe një herë pranë bankës së nivelit të dytë. Blerja e bonove të thesarit mund të kryhet edhe në bankat e nivelit të dytë, por këto të fundit nuk japin informacionin e nevojshëm për shkak se janë të interesuara për depozita. Bonot e thesarit janë letra me vlerë të qeverisë dhe blerja e tyre nga individët ka fitime më të larta se një depozitë në një bankë të nivelit të dytë.

Konkluzionet
AK-ja doli vitin e kaluar në konkluzionin se BSH-ja ka shtuar gjatë viteve të fundit barrierat për individët që dëshirojnë të blejnë bono thesari. Pas një hetimi njëvjeçar për tregun e borxhit të brendshëm, Autoriteti vendosi të mos gjobisë bankat e nivelit të dytë, të cilat qenë hetuar për manipulim të tregut të bonove, duke përdorur fuqinë e tyre të ndjeshme, pasi nuk u siguruan provat e mjaftueshme. “Banka e Shqipërisë e ndryshoi politikën e saj të aksesit të individëve dhe bizneseve të vogla që investonin në bono thesari duke i detyruar që të hapnin një llogari pranë saj (pra nuk i zhvendosi individët nga sportelet e Bankës Qendrore) ku mund të transferonin paratë e depozituara në një nga bankat e nivelit të dytë kundrejt komisioneve që variojnë nga 1/1000 e shumës (por jo më pak se 1000 lekë) deri në 3500 lekë”,- thotë AK-ja në vendimin e saj final. “Duke i shtuar kësaj kostoje dhe efektet negative të asimetrisë së informacionit për klientët në banka lidhur me shërbimin e investimit në bono thesari, konkludojmë se janë rritur barrierat për pjesëmarrësit në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit dhe ka kufizuar konkurrencën ndaj bankave”,- vijon më tej vendimi. Autoriteti vendosi “t’i propozojë BSH-së të rikthejë depozitimin ‘cash’ në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit, si një mënyrë efikase për eliminimin e kostos së transaksionit të shumave të investuara për bono thesari nga bankat e nivelit të dytë drejt Bankës së Shqipërisë”, thuhet në vendim.

BOX///////////////////////////
Rritet niveli i kredive të pakthyera nga klientët e bankave

Qytetarët dhe bizneset po hasin vështirësi në kthimin e kredive. Niveli i kredive të pakthyera, të njohura ndryshe si portofoli i kredive të këqija ka pësuar rritje të vazhdueshme gjatë vitit 2010. Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave rezulton se në nëntor të vitit që lamë pas, 14.4% e totalit të kredive nuk është kthyer, ndërkohë që vetëm një muaj më parë ky tregues ishte 14.1%. Ndërsa kundrejt fundit të vitit 2009, treguesi i kredive të këqija është rritur me 4.1%. Ecuria në rritje e moskthimit të kredive tregon për problemet që hasin klientët e bankave, gjë që reflekton dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, veçanërisht përsa u përket bizneseve. Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht edhe nga Guverantori i BSH-së, Ardian Fullani, i cili u ka kërkuar bankave që të zbatojnë kontrata dhe në rastet e moskthimit të kredive, si masë mbrojtëse të ekzekutojnë kolateralin. Apel për të vepruar me shpejtësi, kreu i bankës qendrore i ka bërë edhe Përmbarimit.

Shkurt////////////////////////////////////
Shtrenjtimi i bukës zgjeron gjeografinë, pas Korçës edhe në Vlorë

Pas Kukësit e Korçës, buka është shtrenjtuar edhe në qytetin e Vlorës. Banorët e zonës bregdetare e blejnë aktualisht një bukë deri në 120 lekë. Rritje me 20 lekë mësohet se kanë pësuar të gjitha prodhimet e miellit. Sipas pronarëve të furrave shkak është rritja e çmimit të miellit nga importuesit, por dhe shtrenjtimit i vajit e gazit. Ndërkohë, qytetarët i bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të ndërhyjnë për të mos lejuar abuzime të tilla me çmimin e bukës, si dhe disa produkte të tjera jetike. Prodhuesit e bukës në tregun vendas e kanë paralajmëruar ditë më parë rritjen e çmimit të bukës.

Bullgari, rritet shitja e makinave të vjetra

Kriza e ka prekur seriozisht biznesin e shitjes së makinave të reja në Bullgari. Këtë e tregojnë edhe sondazhet e tregut në Bullgari. “Si rezultat ka pasur një rritje të shitjeve të automjeteve të vjetra midis 30-50 për qind, gjatë vitit 2010”,- tregojnë nga Shoqata e Importuesve të Automjeteve bullgare. Sipas ekspertëve kjo tendencë do të ruhet dhe gjatë këtij viti. Në tregun bullgar të makinave si pasojë e krizës ekonomike, gjithmonë e më rrallë po kërkohen makina luksoze. Rënie e shitjes së makinave të reja kanë njohur edhe vende të tjera të BE-së, ku kriza zvogëloi kërkesën.

Europë, bursat në nivelin më të lartë të 28 muajve

Bursat europiane janë mbyllur në nivelin më të lartë në 28 muajt e fundit, për shkak të fillimit të fuqishëm të sezonit të publikimit të të dhënave 3-mujore në SHBA, që kanë rritur optimizmin e fitimeve të korporatave. Indeksi pan-Europian “FTSEurofirst 300”, i indekseve kryesore europiane është mbyllur në rritje me 1.3% në 1,147.59 pikë, duke u ngjitur në nivelin më të lartë që nga mesi i Shtatorit të vitit 2008. Investitorët po presin publikimin e të dhënave mbi shitjet me shumicë për nëntorin. Analistët parashikojnë se shitjet me shumicë do të rriten 1% pas një rritje me 1.9%, në tetor.

12 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›