ATK-ja, ose agjencia e rikthimit të miliardave
Agjencia e Kthimit të Kredive është krijuar me një ligj të posaçëm në vitin 2002, kur u vendos që të përllogaritej dhe të rikthehej borxhi që shumë subjekte u kishin bankave. Është për t’u theksuar se dosjet më të vështira janë ato të krijuara rreth viteve ‘92-’96, kur masa e kredive të dhëna dhe menaxhimi i aseteve ka qenë thuajse tërësisht jashtë kontrollit. Ky problem është ende një plagë e rëndë financiare, por e pambyllur. Tre muaj më parë, Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Ministrisë së Financave, miratoi Ligjin Nr. 341, sipas të cilit detyrohen të gjithë borxhlinjtë e financave të bankave shqiptare të kthejnë detyrimet. Sipas ligjit të ri, ATK-ja, që është Agjencia e Trajtimit të Kredive të Mbartura, pra e kredive borxh, ka kompetenca të plota për të vepruar me të gjithë të drejtat në sekuestrime kapitale pronash të patundshme, llogarish bankare etj. deri në shlyerje të masës së detyrimit ndaj shtetit, por nuk ka terren për të vepruar konkretisht. Në Shqipëri, gjatë viteve 1992-1996, janë dhënë 313 mijë kredi. Këto kredi janë dhënë me “urdhër dore” prej deputetëve, kryetarëve të partive të rretheve, duke mos respektuar asnjë rregull financiar bankar. Vetëm brenda vitit 1992 janë dhënë 2.3 milionë dollarë kredi në qytet dhe 1.9 milionë dollarë kredi në fshat. Atëherë nisi boshatisja e bankave dhe mbushja e firmave piramidale. Lekët që dolën nga bankat e shtetit, si Banka e Kursimeve, Banka e Shtetit, Banka Tregtare, Banka Bujqësore etj, u depozituan në piramidat financare, të krijuara po nga njerëzit e pushtetit dhe të politikës. Këto kredi janë dhënë në mënyrën më të paligjshme dhe më absurde edhe për një komunitet pa banka. Janë dhënë kredi edhe për fejesa, edhe për blerje mullarësh, edhe për blerje drush zjarri, edhe për blerje vizash për në Itali! Ky rezultoi si një shkatërrim i plotë i sistemit bankar shqiptar, ndërkohë që një sistem tjetër “bankar” u ngrit në mënyrë pirate në vendin tonë. Sipas pasqyrës së ATK-së për këtë periudhë, kredia më e vogël e dhënë ka qenë 3.5 milionë lekë të vjetra dhe është dhënë në Tepelenë për një martesë.
6 Mars 2008