Edmond Liçi: ”Akuzat janë të pabazuara dhe joinstitucionale”
Edmond Liçi, drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, gjatë kontaktit që ka patur me gazetën lidhur me këtë çështje ka reaguar duke i konsideruar të gjitha akuzat e renditura në letrat dërguar Ministrisë së Financave si të pavërteta dhe të pafaktuara. ”Janë tërësisht akuza të pavërteta dhe për nga mënyra se si janë servirur në Ministrinë e Financave kanë zbuluar qëllimet dashakeqëse të personave që i dërgojnë. Një letër e tillë ka ardhur dhe në vitin 2006 dhe unë personalisht asokohe si punonjës i FFZV-së kam kthyer përgjigje duke argumentuar pozicionin tim në raport me pretendimet e kompanisë. Pas përgjigjes nuk është kryer asnjë veprim tjetër nga ana e këtyre njerëzve dhe befas, pas dy vitesh heshtjeje, dërgohet sërish e njëjta kërkesë vetëm firmëtari ndryshon. Natyrisht që nëse dikush pretendon se unë i detyrohem, atëherë unë mendoj se nuk është kjo mënyra për të kërkuar të drejtën e tij, pasi Shqipëria nuk është një vend pa ligje dhe për çdo pretendim ndiqet një rrugë ligjore dhe jo me letra nga populli”, - tha Liçi për ”Albania”-n.
6 Mars 2008