Kreu i Trajtimit të Kredive nën akuzë për borxhe të pashlyera
Edmond Liçi mohon të gjitha akuzat e bëra ndaj tij. Zbardhen ankesat drejtuar ministrit Ridvan Bode
Habjon Hasani
Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Edmond Liçi, akuzohet nga kompania ”Intersig” (në të cilën ai ka punuar vite më parë) se ka ende disa miliona detyrime financiare për t’ia kthyer kësaj firme. Një kërkesë zyrtare e ardhur nga drejtoresha e kompanisë ”Intersig” i kërkon institucionit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive që të ”detyrojë” kreun e saj, Edmond Liçi, të paraqitet pranë kompanisë dhe të kryejë detyrimet financiare. Ndërkaq, vetë Liçi, pasi është kontaktuar nga ”Albania”, ka mohuar pretendimet e drejtuesve të kompanisë ”Intersig”. Sipas tij, i gjithë ky aksion nuk i ka bazat në ndonjë pretendim konkret bazuar në fakte dhe prova, por në qëllimet e një grupi personash që kanë lidhje me kompaninë për të denigruar dhe dëmtuar imazhin e tij. Në fakt, letra që i ka shkuar Agjencisë së Trajtimit të Kredive paralelisht i ka shkuar ministrit të Financave Ridvan Bode dhe zëvendësit të tij Sherefedin Shehu. Ndërkaq e njëjta kërkesë ka ardhur nga kompania ”Intersig” edhe dy vite më parë pranë Ministrisë së Financave, kur Liçi punonte si auditues në Fondin për Zhvillimin e Zonave Malore.
Letrat
Në qershorin e vitit 2006, një tjetër letër ”denoncuese” i ka shkuar Fondit për Zhvillimin e Zonave Malore në të cilin Edmond Liçi punonte si auditues. Në këtë letër, dërguar dy vite më parë, janë specifikuar dhe shkeljet e pretenduara nga kompania ”Intersig”. ”Në Fondin e Financimit të Zonave Malore ka nisur punë një ish-punonjësi ynë që ka qenë emëruar me detyrën e drejtorit të Degës Gjirokastër dhe më konkretisht ish-punonjësi ynë Edmond Liçi. Theksojmë se ai është larguar nga detyra pa dorëzuar një pjesë të letrave me vlerë, polica sigurimi, të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme monetare”, - shkruhet në letrën e dërguar në vitin 2006 dhe të firmosur asokohe nga drejtori i Përgjithshëm i ”Intersig”-ut, Vangjel Birbo. Ngelet për t’u theksuar se edhe kjo letër i ka shkuar për dijeni ministrit të Financave Ridvan Bode dhe zëvendësit të tij, Sherefedin Shehu, sikurse është bërë me letrën e dërguar rreth një muaj më parë nga kompania ”Intersig”.
Pikëpyetjet
Gazeta ”Albania”, pasi është njohur me letrat denoncuese, ka kontaktuar me palët e përfshira në këtë konflikt duke mbledhur informacion lidhur me pretendimet e tyre. Gjithsesi, deri tani është i sigurt fakti se pretendimet e kompanisë ”Intersig” janë artikuluar kryesisht në formën e letrave denoncuese, të cilat i drejtohen institucioneve shtetërore ku Liçi ka punuar dhe punon. Në këtë konflikt, që përfshin drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, ngelen dy probleme ende të paqarta. Nga ana e saj, kompania ”Intersig” nuk ka një vlerë të përllogaritur lidhur me detyrimet e Liçit. Zyrtarë të kompanisë janë shprehur se vlera vërtitet diku te pesë milionë lekë (të reja) por nuk ka një shifër zyrtare dhe përfundimtare të pretenduar. Shifra mungon edhe në letrat e ankesës që i janë dërguar Ministrisë së Financave në harkun kohor të dy viteve. Problemi i dytë lidhet me procedurën ligjore që ndiqet në këto raste ndaj personave që i kanë detyrime një subjekti privat. Sikurse është praktika ligjore kur një person i detyrohet një subjekti privat, atëherë ndaj tij si rregull bëhet padia civile. ”Albania” ka mësuar se deri sot nuk është bërë një padi nga ana e kompanisë, ndërsa krerët e saj vazhdojnë ta trajtojnë pretendimin e tyre kryesisht me letra dërguar institucioneve.
6 Mars 2008