E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e ndërtimit shkatërroi rrugën, shoqërohen 2 administratorët



Të ndërtosh duke shkatërruar është shndërruar në një proces rutinë në vend, duke krijuar vështirësi nga më të ndryshmet për banorët. Rasti më i fundit është ai i qendrës së qytetit të Durrësit, ku ndërtimi i një pallati po shoqërohet me shkatërrimin e rrugës dhe trotuarit përbri. Kjo ka shkaktuar reagimin e policisë, e cila shoqëroi dhe më pas vendosi ndjekjen penalisht për administratorët e dy kompanive që ndërtojnë pranë vendngjarjes, te pallati i sportit. Procedimi penal në gjendje të lirë nisi ndaj Fatjon Vogli, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 2 Durrës, me arsim të mesëm, administrator i firmës “V-Ndërtim sh.p.k” dhe Ramazan Hasanbelliu, 47-vjeçar, lindur dhe banues në Lagjen Nr.13 Durrës, me arsim të mesëm, administrator i firmës së ndërtimit “Marena” sh.p.k. “Procedimi penal ndaj tyre filloi për arsye se “në Lagjen Nr. 5 Durrës, në rrugën ‘Mujo Ulqinaku’, është shembur një pjesë e rrugës në një gjatësi prej 20 metrash dhe gjerësi prej 20 cm, si dhe pjesa e trotuarit me gjatësi 20 m dhe gjerësi 2 m”, - konfirmoi zyrtarisht Drejtoria e Policisë Durrës. Ajo detajoi se “shkaku i prishjes së rrugës ka qenë se dy firmat e ndërtimit të mësipërme ndërtojnë një pallat 10-katësh, i cili është në fazën e themeleve dhe gropa e hapur është paralel me rrugën e dëmtuar”. Ekspertët konstatuan se në atë segment rruge kalon tubacioni i ujit të pijshëm, i cili është i dëmtuar dhe në kohën e ardhjes se ujit ka gërryer dheun, i cili ka rrëshqitur, duke pësuar ulje duke dëmtuar rrugën. Policia sqaroi se “materialet do t’i kalojnë Prokurorisë rrethit Durrës për veprën penale të “shkatërrimit të rrugëve” parashikuar nga Neni 155 të Kodit Penal”.

E reja shkodrane braktis foshnjën në Elbasan

Varfëria dhe mungesa e strehimit dyshohet të jenë shkaku i braktisjes së foshnjës dy muajshe pas lindjes nga një nënë e re. Foshnja është braktisur në Elbasan nga nëna e saj, e cila është identifikuar si Flora Koceku, 25 vjeçe. Mësohet se e reja është paraqitur dje në shtëpinë “Nënë Tereza” në lagjen “Syrja Dylgjeri” në Elbasan, ku strehohen fëmijët e braktisur. 25-vjeçarja ka lënë një fotokopje certifikate dhe foshnjën dhe më pas është larguar pa lënë adresë. Fill pas konstatimit të braktisjes së foshnjës punonjësit e shtëpisë “Nënë Tereza” lajmëruan policinë. Forcat e policisë janë vënë në lëvizje për të identifikuar me saktësi nënën e fëmijës, e cila dyshohet të jetë nga Shkodra.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›