Studimi, cdo vit divorcohen 6 mijë çifte shqiptare
Laureta Rryçi
Tiranë - Divorci po kthehet në “gangrenë” e shoqërisë shqiptare. Studimi më i fundit rreth këtij fenomeni tregon se më shumë se 6 mijë çifte shqiptare divorcohen në gjykatë. Specialistët kanë bërë kalkulime duke marrë si bazë kryesore shifrat që ndodhen në të gjitha gjykatat. Në këtë mënyrë është bërë e mundur evidentimi për herë të parë se cilat janë qytetet ku familja po “përçahet” më tepër. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm në pjesë të shifrave të këtij studimi ku nuk mungojnë edhe problemet që lindin pas divorcit. Jo pak çifte të ndara pavarësish vendimit të gjykatës vazhdojnë proceset civile për të marrë të drejtën për pension ushqimor apo dhe shumë padi të tilla si njohje apo ç’njohje atësie. Sipas statistikave numrin më të lartë të divorceve për shkak dhe të numrit të banorëve e ka kryeqytetit. Shifrat tregojnë se çdo ditë ndahen dy çifte në Gjykatën e Tiranës. Gjyqtarët tregojnë se çdo ditë e më tepër bëhet më e vështirë që çifti të pajtohet dhe të heqë dorë nga divorci.
Studimi
Harta e divorceve kryesisht është më e theksuar në qytetet më të mëdha. Shifrat tregojnë se divorci është fenomen i dukshëm në qytete si Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Në të njëjtin listim vjen edhe qyteti i Fierit ku numri i divorceve i kalon të pesëqindat. Shkaqet që çojnë drejt ndarjes çiftet janë nga më të ndryshmet. Por arsyeja që shënohet rëndom në vendimet e gjykatës është, mospërputhje karakteri, tradhtia, gjendja ekonomike dhe dhuna fizike e psikologjike e vazhdueshme. Kur njëri nga bashkëshortët shkon në emigrim, pala tjetër është e detyruar të presë me vite. Në gjykatën e Tiranës është një numër i caktuar gjyqtarësh, të cilët merren me çështjet familjare, kryesisht divorcet. Ajo që lë mbresë tek gjyqtarët janë fëmijët, pika më e dobët e secilit çift. Janë këta që vuajnë më shumë pas ndarjes së prindërve. Pas divorcit vjen ed1he pjesa më e vështirë. Edhe pse gjykata përcakton dhënien e një pensioni ushqimor për fëmijët prindërit nuk e zbatojnë vendimin. Babai është ai që detyrohet nga gjykata në të shumtën e rasteve, (të paktën sipas përvojës disavjeçare të gjykatave) të paguaj një rrogë mujore për fëmijën, pasi është ndarë nga bashkëshortja. Por shpesh pensioni ushqimor nuk zbatohet edhe pse në lojë futet zyra e përmbarimit
Shkaqet
Një krizë e tillë në çiftet shqiptare reflektohet në rritjen e numrit të divorceve. Sipas studimit edhe në shoqërinë shqiptare, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore është rritur ndjeshëm numri dhe pesha specifike e divorceve. Sipas statistikave zyrtare të publikuara në vitin 1990, numri i divorceve ishte rreth 3,14 herë me i lartë se ai i vitit 1960. Sociologët mendojnë se një faktor i rëndësishëm për rritjen e numrit të divorceve është punësimi i grave. Është një fakt për t'u pranuar se gratë, duke siguruar pavarësinë ekonomike përmes punësimit, e kanë më të lehtë të kërkojnë divorcin dhe të përballojnë problemet ekonomike pa ndikimin e bashkëshortëve të tyre, shprehen sociologët. Ndërsa në Shqipëri, duke qenë se gratë punojnë më shumë brenda ekonomisë shtëpiake, rrjedhimisht nuk mund ta krijojnë një pavarësi të tillë. Një tjetër faktor që ndikon në rritjen e numrit të divorceve është dhe rritja e nivelit të arsimimit dhe personalitetit të grave në shoqëri.
Disa nga arsyet që çojnë çiftet drejt divorcit
Mungesa e njohjes reciproke të palëve
Mospërputhja e karaktereve të tyre
Vështirësitë ekonomike të familjes, si ato financiare, ashtu
edhe ato të banimit
Mendësitë e ndryshme të bashkëshortëve për familjen
Emigracioni
Zgjidhjet e martesave sipas rretheve
Gjykata e Rrethit Gjyqësor SHUMA
Berat 332
Dibër 113
Durrës 540
Elbasan 550
Fier 444
Gjirokastër 248
Kavajë 137
Korçë 393
Krujë 66
Kukës 67
Kurbin 97
Lezhë 183
Lushnjë 214
Mat 0
Pogradec 131
Pukë 26
Sarandë 199
Shkodër 368
Tiranë 1450
Tropojë 29
Vlorë 462
Totali 6109
Numri i padive civile për çështjet familjare
Padi për zgjidhje martese 6109
Padi për pension ushqimor 218
Padi për njohje atësie 50
Padi për ç'njohje atësie 20
Kronologji
Paditë civile në gjuhë shifrash
Në vitin 2004 janë regjistruar gjithsej 4577 çështje familjare në të gjitha gjykatat e shkallës së parë. Nga totali i këtyre çështjeve familjare 3670 kanë qenë zgjidhje martese. Në vitin 2005 janë regjistruar gjithsej 5526 çështje familjare, nga të cilat 4633 kanë qenë zgjidhje martese, pra në vitin 2005 janë shqyrtuar 963 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin
2004. Në vitin 2006 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 5742. Nga ky numër 4727 janë zgjidhje martese, pra 94 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2005 dhe 1057 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2004. Në vitin 2007 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 6658. Nga ky numër 5335 janë zgjidhje martese, pra 808 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2006 dhe 902 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2005. Në vitin 2008 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 8082. Nga ky numër 6109 janë zgjidhje martese, pra 774 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2007 dhe 1382 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2006. Nga 6109 çështjet e regjistruara, 5089 kanë përfunduar dhe 1020 janë ende pa përfunduar. Nga çështjet e përfunduara 2122 janë me kërkesën e bashkëshortit, 3155 me kërkesën e bashkëshortes dhe 832 me kërkesë të përbashkët. Specialistët kanë arritur në konkluzionin se numri i zgjidhjeve të martesës të shqyrtuara nga gjykatat ka
ardhur në rritje në krahasim me vitet e mëparshme.
17 Shtator 2009