E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, çfarë duan gratë dhe burrat nga njëri-tjetri

Meshkujt heqin dorë nga femrat tradicionale, kthehen te karrieristet

Studiuesit e kanë gjetur më në fund përgjigjen e pyetjes shekullore se çfarë duan burrat dhe gratë. Sipas tyre, burrat vlerësojnë arsimin, ndërsa gratë kërkojnë një partner që do të krijojë familje. Studiuesit në Universitetin e Ioua-s kanë zbuluar se burrat, në përgjithësi, janë shumë të interesuar për gra që kanë arsimin e lartë dhe perspektivë të mirë financiare, ndërsa gratë, nga ana tjetër, duan burra që u pëlqen familja.
Kështu, pjesëmarrësve në studim iu kërkua që të listonin 18 karakteristika nga më e vogla te më e rëndësishmja që do të donin të kishte partneri i tyre.
Dëshirat
Në krye të listës së meshkujve ishte tërheqja dhe dashuria reciproke, qëndrueshmëria emocionale dhe perspektiva financiare. Studiuesit thanë se këto rezultate përputhen me rritjen e mundësive për edukim dhe karrierë për femrat dhe dëshirat e meshkujve për të ndarë përgjegjësitë financiare me bashkëshortet e tyre të ardhshme. Karakteristikat që ishin renditur si të parëndësishme ishin virgjëria dhe përkatësia e njëjtë politike. Dëshira për shtëpi e fëmijë ishte në krye të listës për femrat, krahasuar me finesën dhe përsosmërinë që ishin listuar të fundit. Ndoshta kjo shpjegohet me faktin se gratë mund ta falin partnerin e tyre nëse harron lulet dhe çokollatat, mjafton që ai të përmbushë detyrimet e tjera.
Pretendimet
Në jetën bashkëshortore, të dyja palët kanë pretendimet e tyre. Për të patur një jetë sa më të suksesshme në çift, si burrit, ashtu edhe gruas, i duhet të kuptojnë nevojat, kërkesat dhe dëshirat e njëri-tjetrit. Në ditët tona, marrëdhëniet burrë-grua në të shumtën e rasteve nisin me ndjenjat e dashurisë. Psikologët e vlerësojnë këtë periudhë si “periudha e verbërisë”. Kjo periudhë është shumë ndryshe për ta: mendojnë se gjatë gjithë jetës do të jenë burim lumturie për njëri-tjetrin dhe arrijnë deri në atë pikë sa thonë që kanë lindur për njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, jo rrallëherë në mendjen e tyre krijojnë edhe akumulim njenjash ideale për të ardhmen e tyre. Çiftet jetojnë aq mirë me njëri-tjetrin, saqë nuk ndiejnë as nevojën e fjalës, të bisedës. Pikërisht, këtu nis edhe problemi. Këtu nis edhe periudha tjetër. Në këtë mënyrë, çiftet shkojnë drejt martesës pa u njohur akoma shumë mirë me njëri-tjetrin. Martesa, pavarësisht problemeve që mund të hasen në të, në mbarë botën akoma pranohet si organizimi më i mirë vullnetar i njerëzimit.
Ndryshimet
Në martesë, gruaja dhe burri, që dikur kishin humbur konceptin e fjalës nga ndjenjat e dashurisë e që i besonin thënies “Mos flisni kur jeni të dashuruar, sepse fjalët mund të dëmtojnë jetën ideale të menduar për të kaluar së bashku”, nisin të flasin më shumë. Në këtë pikë, fjalët nisin gjithashtu të jenë më të rënda dhe të rrezikshme. Ato gabime që nuk janë parë më herët te partneri, nisin të dalin në pah tani. Martesa më e mirë është në ato momente kur bashkëshortët arrijnë të kuptojnë ndjenjat, dëshirat dhe kërkesat e njëri-tjetrit. Psikologët shprehen se duke përfituar nga përplasjet midis sekseve të ndryshme, gratë dhe burrat pranojnë që kanë ardhur në këtë botë me ndryshime të shumta midis tyre. Nga këto ndryshime shtohen kulturat, zakonet, rolet sociale dhe të gjitha këto rrisin kërkesat e tyre.

Dallimet kryesore midis burrit dhe gruas

E parë nga aspekti social dhe roli që luan në gjirin e familjes, gruaja shihet si një faktor tepër i rëndësishëm në familje e që ndikon në marrëdhëniet e anëtarëve të familjes me mjedisin që e rrethon. Kjo të bën të mendosh se gruaja është më e rëndësishme në lumturinë dhe harmoninë e familjes. Meshkujt kanë prirje më shumë për gjëra konkrete, si punë, biznes, sport, kompjuter, automjete etj, kurse gratë janë më të prirura në marrjen dhe shpërndarjen e informacionit si dhe në krijimin e marrëdhënieve midis njerëzve. Teksa burrat janë më të ndrojtur në dhënien me detaje të informacionit, gratë shfaqen më të prirura në të kundërtën. Ato nuk kursehen të pyesin dhe interesohen mbi tema të caktuara, kurse burrat në të shumtën e rasteve ngurrojnë të kërkojnë ndihmë. Burrat kanë vetinë e “konkurrencës”, gratë mendojnë “bashkëpunim”.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›