Gjendet trupi i 19-vjeçarit të zhdukur
FIER - Gjendet trupi i 19-vjeçarit Ernest Allanjaku nga Plyku i Fierit. Trupi i pajetë i adoleshentit është gjetur në orët e vona të së premtes në plazhin e Pishporos, rreth 12 km larg vendit ku dyshohej se ishte mbytur. Kufoma e tij është gjetur e dekompozuar mbas gjashtë ditësh nga kalimtarë të rastit që frekuentonin këtë plazh në orët e vona të mbrëmjes.
Është njoftuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes e së bashku me ta edhe pjesëtarë të familjes së djalit të zhdukur. Këta të fundit konfirmuan se trupi i përkiste djalit të tyre, Ernest Allanjaku, i cili rezultonte i zhdukur që prej datës 26 korrik. Mësohet se 19-vjeçari bashkë me disa të afërm të tij ishin futur në det me një varkë me pedale pavarëisht detit të trazuar dhe me shumë dallgë.
Por rreth 100 metra nga bregu dallgët e kanë përmbysur varkën. Teksa të gjithë të tjerët kanë dalë në breg, Allanjaku nuk ka dalë. Pas njoftimit të familjes, është njoftuar edhe policia e kanë nisur kërkimet për trupin e 19-vjeçarit. Por që prej së dielës së kaluar, vetëm mbrëmjen e së premtes është arritur gjetja e trupit.
Familjarët i kanë bërë të shtunën paradite nderimet e fundit të afërmit të tyre. Dy ditë më parë një tjetër i ri është mbytur në rezervuarin e Ruzhdies, ndërsa trupi i tij u gjet pesë orë më pas nga familjarët, pasi megjithëse u thirrën, polumbarët nuk janë paraqitur në vendngjarje.