Studimi, reklamat anti-duhan, të paefektshme
Reklamat anti-duhan duket se nuk kanë dhënë efektet e pritshme në Shqipëri. Sipas një studimi të Universitetit të Mizurit, këto reklama nuk ndikojnë në uljen e nivelit të duhanpirjes, sidomos te moshat e reja. Ndërkohë, një studim i Institutit të Shëndetit Publik qartëson se efektet e reklamave dhe masave të tjera anti-duhan të përcaktuara në ligj, kanë dhënë efekt më të dukshëm te të rriturit se sa te moshat e reja.
Efektet e reklamave
Sipas ligjit aktual, në Shqipëri paketat e cigareve duhet të kenë një të katërtën e sipërfaqes së tyre të mbuluar me reklama që paralajmërojnë dëmin që shkakton duhani, sipas grupeve të ndryshme shoqërore dhe sëmundjeve të ndryshme. Në këtë mënyrë, paketat kanë nga njëra anë të sigluar “Duhani dëmton rëndë shëndetin”, dhe nga ana tjetër një tjetër shprehje përkatëse.
Por, sipas të dhënave të një studimi të bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik këto reklama nuk kanë qenë të efektshme te grupmoshat e reja. Kështu, ndërkohë që tek të rriturit është ulur niveli i pirjes së duhanit, të rinjtë vazhdojnë të konsumojnë rregullisht duhan, duke “e përligjur” studimin e Universitetit të Mizurit. Sakaq, edhe masat e tjera të parashikuara në ligjin “anti-duhan” duket se kanë dhënë efekt të ndjeshëm vetëm tek të rriturit, ndërkohë moshat e reja janë prekur më pak.
Studimi
Studimi i Universitetit të Mizurit i bërë publik nga “Zëri i Amerikës” bën të ditur se të rinjtë nuk ndikohen nga këto reklama. “Për dekada, reklamat kundër duhanit janë bërë pjesë e pamjeve televizive. Qëllimi i tyre është i thjeshtë; të nxisin njerëzit që të lënë duhanin ose të mos e fillojnë atë. Disa nga këto reklama, veçanërisht ato që u drejtohen të rinjve, kanë pamje të frikshme kur përshkruajnë pasojat e duhanit dhe sëmundjet që lidhen me të. Shkencëtarët pranë universitetit të Mizurit morën në shqyrtim efektin e reklamave të tilla tek njerëzit, dhe sa i dobishëm është mesazhi që ato përcjellin”, – thotë “Zëri i Amerikës”.
Në këtë shkrim, eksperti Paul Bolls thotë se shkencërisht këto reklama nuk janë shumë të efektshme. Ai e mati shkallën e efektshmërisë në laborator duke studiuar reagimin e trurit të njërit që shikonte reklama të tilla. Nga studimi doli se kur mesazhet janë shumë të ashpra, e të frikshme, ato e bëjnë njeriun të mos i shohë ato. Ekspertët vunë re se kur reklama kundër duhanit ishte më e butë dhe me pamje më pak acaruese, ajo krijonte frikën e arsyeshme dhe e bënte shikuesin të mendohej rreth pasojave të duhanit.