Korrupsioni, pranga kreut të Burgut të Rrogozhinës
Tre zyrtare të Burgut të Rrogozhinës, mes tyre dhe vetë drejtori, kanë rënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Burime zyrtare të Prokurorisë bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja, dhe dy specialistë të edukimit punonjës të këtij burgu, Denis Tosku dhe Ismail çumani, akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të përfitojnë shuma parash në këmbim të favoreve të jashtëligjshme për disa të dënuar.
Hetimet rreth këtij fenomeni kanë nisur që në muajin mars të këtij viti nga njësia Task Forcë në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa procedimi penal u regjistrua mbi bazën e referimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Pas afro 4 muajsh përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale është arritur të provohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës së këtyre zyrtarëve. Të tre funksionarët e burgut kanë bashkëpunuar dhe me një shtetas tjetër, i cili luante rolin e ndërmjetësit të jashtëm në dhënien e lejeve shpërblyese dhe të veçanta për të dënuarit. Ndërmjetësi Fatos Gosa, që ka në pronësi një lokal në Peqin, arrinte të krijonte lidhjet në këtë ambient, mes të afërmve të burgosurve me zyrtarët dhe drejtuesin e Burgut të Rrogozhinës, për përfitime lejesh me kusht. Gosa është shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të funksionimit të kësaj skeme korruptive.
Sipas të dhënave, denoncimi i parë është bërë pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë. Babai i një të dënuari për drogë ka kërkuar që t’i lironin djalin me kusht dhe nga të dhënat mësohet se fillimisht ka folur me Ismail çumanin, 50 vjeç, banues në Golem të Kavajës, me detyrë specialist i Sektorit të Kujdesit Social në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë. Babai i të dënuarit ka kërkuar që të shkruajë për sjelljen e mirë të djalit, por në këmbim, zyrtari i ka kërkuar tetë mijë euro. Menjëherë i moshuari i është drejtuar SHKB-së së Ministrisë së Drejtësisë, por ata nuk kishin vënë në dispozicion një shumë të tillë. Më pas, agjentët kanë marrë kontakt me personin e shpallur në kërkim, Fatos Gosa. Atij i janë prezantuar në mënyra të ndryshme si kushërinj të personave të dënuar për vepra penale të vogla. Ata u ofronin zyrtarëve të burgut shuma të vogla nga 500-1000 euro.
Zakonisht SHKB-ja e Ministrisë së Drejtësisë zgjidhte persona që nuk interesoheshin shumë për ta. Në këto kushte, duke vënë edhe numrat e zyrtarëve të arrestuar në përgjim, ku 50-vjeçari Murrja ishte drejtor i burgut, ndërsa 25-vjeçari Tosku specialist i Sektorit të Kujdesit Social në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë, kanë mundur të sigurojnë prova të mjaftueshme për ta dhe gjykata ka vendosur “arrest me burg”, bashkë me çumanin dhe Gosën. Ky i fundit ishte njohur me drejtorin kur ai kishte qenë me detyrë në Peqin. Dy net më parë, policia ka ndërhyrë për arrestimin e tyre, duke finalizuar operacionin e koduar “Liri e kushtëzuar”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për ndjekje të mëtejshme, ndërkohë vazhdojnë hetimet për përfshirjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
#