E Shtunë, 31 Tetor 2026

Potpuri dhe muzikë ballkanike në Sarandë

Festivali

Një trekëndësh interesant trupash ka ngjitur në skenë Festivali i Bandave Frymore në natën e tretë të tij. Orkestra me histori më shumë se 100-vjeçare e Elbasanit, dhe pas tyre kuinteti i pedagogëve të Akademisë së Arteve, e në fund Folk Fanfara Tirana, muzikantët, kanë sjellë mjaft emocione për publikun. Natën e tretë, skena e festivalit ka qenë për trupën e Orkestrës Frymore të Elbasanit, nën drejtimin e dirigjentit Emin Palluqi. Prezantimi i parë i këtij formacioni muzikor me histori 100-vjeçareështë bërë fillimisht përmes paradës në rrugët e qytetit. Pas kësaj atmosfere, skena ka qenë për të. Në koncertin e kësaj trupe zotëroi muzika marciale, me pjesë nga Hendel, Allen, Shtraus, Armiteixh etj. Pjesë e performimit të saj ishte edhe marshi i Sulejman Gjevorit, “Peza heroike”, si dhe popullorja e kënduar nga Flamur Biçoku. Kuinteti “çesk Zadeja”, një formacion i përbërë nga pedagogë e studentë të Akademisë së Arteve, debutues në orkestrën e TOB-it dhe atë të RTSH-së, ekzekutoi pjesë nga çesk Zadeja, një mozaik këngësh korçare nga Josif Minga, si dhe pjesë nga Shtraus. Me një hyrje sportive dhe muzikore njëherësh në skenën e festivalit, Folk Fanfara Tirana kanë ekzekutuar potpuri nga folku i disa krahinave të vendit, si “Gocë Tirone”, “Hajde, vajzë e vogël”, “Jorgjica, Jorgjica”, por edhe pjesë ballkanike. Ndërkaq, Orkestra Frymore e Shkodrës ka performuar për publikun e qytetit të Himarës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›