E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia "Isaac" prish planet e republikanëve

Partia Republikane në SHBA është detyruar që ta shtyjë për një ditë hapjen e konventës së saj kombëtare në Tampa, në bregun perëndimor të Floridas, për shkak të stuhisë.

Në konventë pritet që zyrtarisht të emërohet ish-guvernatori i Masachussetsit, Mitt Romney si kandidat i partisë për president të SHBA-së, në zgjedhjet që mbahen në nëntor.

“Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore, federale dhe lokale. Siguria është për ne brenga primare dhe do të shohim se si po rrjedhin gjërat. Por, besojmë se të martën do të jemi në gjendje më të mirë dhe do të nisim konventën”, ka thënë Cail Douni, zëdhënësi i Konventës Kombëtare të Republikanëve.

Katër shtete të Gjirit të Meksikës në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Guvernatorët e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës kanë lëshuar deklaratat e tyre të dielën, derisa Florida, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një ditë më parë, u përmbyt nga shirat dhe erërat e forta të shkaktuara nga stuhia.

Në anën tjetër, numri i viktimave nga stuhia tropikale "Issac" në Karaibe u rrit në nëntë, pasi që autoritet e Republikës Dominikane njoftuan se dy persona humbën jetën, ndërsa përfaqësues zyrtarë në Haiti paraprakisht deklaruan se në këtë vend humbën jetën shtatë persona, midis të cilëve edhe dy fëmijë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›