E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Punoni për një klimë paqësore zgjedhore”

20/06/2009  Shtete e Bashkuara i kërkojnë politikës shqiptare qetësi në fushatë

Pritet që zgjedhjet të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar zyrtarisht nga politika shqiptare që të angazhohet, në mënyrë që procesi zgjedhor në Shqipëri të jetë sa më i qetë. Në një deklaratë për mediet ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes zëdhënësit Biks Aliu, ka kërkuar që qeveria shqiptare dhe të gjitha forcat politike të punojnë për të ruajtur një klimë paqësore. “Nxitim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë ta bëjnë këtë duke qenë të qetë e në paqe më 28 qershor”, - thuhet në deklaratën e përfaqësisë zyrtare të SHBA-ve në vendin tonë. Në komunikatën e shkurtër theksohet shpresa dhe pritshmëria e ambasadës amerikane, automatikisht edhe e Uashingtonit zyrtar, që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Kjo deklaratë vjen ndërkohë që të gjitha forcat politike në Shqipëri janë përfshirë në metrat e fundit të fushatës elektorale. Partitë politike shqiptare janë të angazhuara në një fushatë ku takimet me elektoratin janë shumë të ngjeshura. Liderët e forcave politike gjatë mitingjeve në qytete të ndryshme të vendit kanë kërkuar votën e elektoratit. Por duket se deklarata e ambasadës së Shteteve të Bashkuara drejtuar partive politike për të ruajtur një klimë të qetë gjatë kësaj fushate lidhet edhe me incidentet e ndodhura gjatë kësaj fushate. Forcat politike kanë bërë me dije se zyrat e tyre elektorale janë goditur, janë hequr dhe grisur posterat elektoralë, përmes të cilëve kryhej reklamimi politik. Por kjo fushatë është acaruar më së shumti me dy vrasjet e ndodhura. Ditë më parë një militant i Partisë Demokratike u vra nga një militant i Partisë Socialiste pas një sherri që kishte si pikënisje një debat mbi vendosjen e flamujve të partive. Aktivisti i PD-së Artan Zeka është vrarë më datën 13 të këtij muaji, pasi është qëlluar me automatikë nga një bashkëfshatari i tij, Skënder Balla. Kjo acaroi shumë klimën politike gjatë atyre ditëve. Por fushata elektorale u acarua dy ditë më parë, kur gjeti vdekjen pas një atentati në Shkodër kryetari i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe Aleks Keka.

Ngjarje të tilla sollën menjëherë reagimin e faktorit ndërkombëtar prezent në vendin tonë. Dy ditë më parë presidenca e radhës e Bashkimit Europian i ka kërkuar politikës shqiptare që të zhvillojnë zgjedhje në përputhje me standardet, pasi kjo është në të mirën e vendit. Me anë të një njoftimi për shtyp në emër të BE-së presidenca shprehet se zgjedhjet e këtij viti janë një test i rëndësishëm, që do tregojë në radhë të parë pjekurinë e politikës shqiptare. Sipas deklaratës, BE-ja shpreson, dhe është në të mirën e Shqipërisë, që me zgjedhjet e këtij viti të mos ndodhë si me zgjedhjet e kaluara.

SHBA

“Nxitim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor”

BE

“BE-ja i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe partive politike të bashkëpunojnë që të garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe që të gjithë zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë më 28 qershor të kenë mundësinë për një gjë të tillë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›