Subashi: “Vendimi për djegien e fletëve është i nxituar dhe politik”
Eljona Ballhysa
Nënkryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Dëshira Subashi, e ka cilësuar vendimin e këtij institucioni për djegien e fletëve të votimit, të nxituar, të kamufluar dhe politik. Subashi ka bërë të ditur se KQZ-ja, nëpërmjet miratimit të këtij vendimi, u bë palë e krizës politike, gjë që mund ta kishte evituar. Ajo tha se akti i miratuar nga KQZ-ja vetëm me votat e anëtarëve të maxhorancës ndryshon nga akti i miratuar në shtator të vitit të kaluar, duke i dhënë të drejtë vetëm kryetarit të KQZ-së që të ngrejë grupin e punës që do të hapë kutitë e votimit. Pra është hequr pjesëmarrja e administratës së KQZ-së nga ky proces. Subashi gjithashtu deklaron se deri tani, në zyrën e saj nuk ka ardhur asnjë urdhër nga kreu i KQZ-së për nisjen e punës për asgjësimin e fletëve të votimit, ndërkohë që ky proces është vendosur të nisë më datë 7 janar, pra sot.
Qëndrimi
“Ka disa elemente, të cilat janë shmangur në vendimmarrjen e KQZ-së. Do ta filloj me një dispozitë të këtij udhëzimi, pikërisht me nenin 5 të këtij udhëzimi, i cili thotë: ‘Përbërja e komisionit për hapjen e kutive të votimit është administrata e KQZ-së, e cila kryen këtë operacion pune’. Po ta shikoni vendimmarrjen e fundit të KQZ-së, është ndryshuar kjo dispozitë. Pra nuk është marrë parasysh pjesëmarrja e administratës së KQZ-së në procesin e hapjes së kutive. Akti i ri i miratuar i ka dhënë të drejtën kryetarit të KQZ-së që të ngrejë ai këtë komision. Së dyti, në nenin 6 të këtij udhëzimi përcaktohet që lista e votuesve të shkojë në Arkivin Qendror të Shtetit”, - u shpreh Subashi. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se procesi i hapjes së kutive me dokumentacionin zgjedhor rrezikon të nisë ditën e sotme, pasi ende nuk ka ardhur ndonjë urdhër nga kryetari i KQZ-së për nisjen e këtij procesi. Megjithatë, Subashi thotë se, bazuar në pikën 2 të nenit 20 të Kodit Zgjedhor, ky proces do të quhet i pavlefshëm nëse firma e saj do të mungojë. Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Subashi, shprehet se në proceset e mëparshme duhej vetëm një muaj kohë për boshatisjen e kutive, duke hedhur dyshime mbi nismën e marrë së fundi nga institucioni ku ajo bën pjesë. “Kjo është ironia më e keqe e thënë në sytë e publikut sepse në të gjitha operacionet e zgjedhjeve të mëparshme, KQZ-ja, me vendimmarrjet e saj, ka kërkuar vetëm një muaj kohë për ta bërë këtë operacion pune. Ndërsa në vendimmarrjen e KQZ-së thuhet se për shkak se duam ta përfundojmë shpejt këtë proces, po lëmë dy muaj kohë, kur ky operacion është bërë krejt në kushte normale, për një muaj kohë. Është një qëllim tjetër që fshihet pas saj. Dhe argumenti që sapo thashë të çon në këtë logjikë”, - tha Subashi.
Vendimi
Në ditët e fundit të dhjetorit 2010, katër anëtarët, përfaqësues të maxhorancës në KQZ, miratuan vendimin për djegien e kutive të fletëve të votimit. Në bazë të vendimit, procesi i djegies së fletëve do të nisë më datë 7 janar dhe do të zgjasë deri më 5 mars. Ndërsa një ditë më parë, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka bërë të ditur në një intervistë për VOA-n se fletët e votimit të zgjedhjeve të përgjithshme do të asgjësohen duke filluar nga 10 janari. Ristani tha se KQZ-ja u dha partive kohën e mjaftueshme të gjenin një kompromis mbi hetimin e tyre, por ato nuk gjetën dot mirëkuptimin. “Tani afatet për organizimin e zgjedhjeve vendore janë ngushtuar mjaft dhe për KQZ-në është detyrim ligjor pastrimi i kutive të votimit dhe organizimi i zgjedhjeve të 8 majit”, - është shprehur Ristani. Ai u bëri thirrje partive politike që të bashkëpunojnë ngushtë me KQZ-në për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore.
Socialistët akuzojnë ministrin Ruli për një tjetër aferë korruptive
Partia Socialiste e akuzoi dje ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, për një tjetër aferë korruptive në dhënin e licencave për ndërtimin e hidrocentraleve gjatë kohës që ishte ministër i Ekonomisë. Deputetja Ermonela Felaj tha dje për mediat se në mënyrë abuzive, Ruli ka dhënë koncesionin e HEC-eve në pellgun ujor Bënçë-Progonat, në rrethin e Tepelenës. Ajo kërkoi që Genc Ruli të hedhë dritë mbi këtë çështje përpara se Partia Socialiste të bëjë publikimin e dokumenteve që lidhen me këtë aferë. “Shpresojmë që Genc Ruli të ketë mësuar nga eksperienca e tij gjatë vitit 2010 dhe të gjejë guximin të shpjegojë publikisht të vërtetën e këtij koncesioni. Në të kundërt, Partia Socialiste do të kryejë detyrën e saj kundrejt publikut, duke e zbardhur ajo të vërtetën e koncesionit për ndërtimin e HEC-eve në pellgun Bënçë-Progonat”, - tha Felaj. Ajo kërkoi sqarime nga ministrit për emrin e firmës që ka marrë të drejtën për të ndërtuar hidrocentralet në pellgun ujor Bënçë-Progonat. Gjithashtu ajo ka kërkuar sqarime dhe se përse vet Ruli ka refuzuar zbatimin e vendimeve të këtyre institucioneve. “Zoti Ministër, cila është arsyeja që janë hapur e prishur disa herë garat për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve në këtë pellg ujor? Zoti Ministër, cila është arsyeja që dy institucione qeveritare, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Avokati i Prokurimeve, i kanë gjykuar tërësisht në kundërshtim me ligjin procedurat e ndjekura nga enti prokurues në varësinë tuaj?” - tha Felaj, duke kërkuar sqarime për këtë çështje. Ajo u shpreh se PS-ja është në pritje të përgjigjes së ministrit, para se të vijohet me publikimin e fakteve. “Përpara se t’ia pasurojmë CV-në Genc Rulit me këtë aferë korruptive të radhës, dëshirojmë t’i japim ministrit Ruli mundësinë t’u përgjigjet vetë disa pyetjeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e HEC-eve në pellgun Bënçë-Progonat”, - përfundoi deputetja socialiste, Felaj.
Berisha takon Çekun: Raporti i Dik Martit, i bazuar në shpifje
Kryeministri Berisha priti dje ë një takim ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë, duke u ndalur kryesisht te zgjedhjet parlamentare, por edhe te raporti i Dik Martit. Kryeministri Berisha theksoi se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit shqiptar, por edhe të Ballkanit, pasi i dha fund kolonisë së fundit në Europë. Por, sipas Berishës, pavarësisht se raporti i Dik Martit, pa asnjë fakt dhe provë, ripërsërit akuza, shpifje dhe trillime të gatuara në Beograd nga Millosheviçi dhe ultranacionalistë të tjerë serbë, Shqipëria mirëpret dhe është tërësisht e hapur për çdo hetimi nga institucione të njohura ndërkombëtar, për çdo problem që lidhet me krimet e luftës në ish-Jugosllavi. “Në këtë kontekst, autoritetet shqiptare kanë ftuar zyrtarisht Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte dhe EULEX-in që të rimarrë përsëri çdo hetim për të zbardhur çdo të vërtetë që ka të bëjë me krimet e luftës apo me krimet kundër njerëzimit, nga kushdo që t’i ketë kryer ato. Autoritetet shqiptare do t’i garantojnë EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për të përmbushur me sukses çdo hetim. Ndërsa histeria antishqiptare, e udhëhequr dhe frymëzuar nga Dik Marti, eksponentë të tjerë të racizmit antishqiptar dhe avokatëve të krimeve të Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë, është thjesht një zgjim i demonëve të urrejtjes antishqiptare, e cila është tërësisht pa të ardhme”, - është shprehur Berisha gjatë këtij takimi.
Qeveria ngre grupe pune për dëmet e përmbytjes në Shkodër
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Grupet e punës, në përbërje të të cilave do të jenë specialistë të fushave përkatëse, do të bëjnë evidentim dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, për njësitë e qeverisjes vendore të prekura nga përmbytjet, në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, të përfshirë në tri kategori. Së pari, grupet e punës do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në kategorinë e objekteve të banimi, që është dhe kategoria më ndjeshme, për t’u ardhur sa më parë në ndihmë banorëve të këtyre zonave që kanë mbetur pa shtëpi. Më pas grupet e punës do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në ekonomi bujqësore, në blegtori, në objekte të prodhimi dhe të përpunimit agro-bujqësor, në makineri dhe pajisje, në rezervatet e rritjes së peshkut, në bimë dekorative, si dhe në objekte ndihmëse. Dhe së treti grupet e punës do të bëjnë evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve në objekte sociale ku përfshihen shkollat, kopshtet, spitale, zyra dhe objektet e tjera shtetërore.
7 Janar 2011