E Diel, 1 Nëntor 2026

Subashi shuan shpresat e socialistëve që të rikuperojnë një mandat për Fierin në KQZ


Thuajse po shuhen shpresat për socialistët që të mund të rikuperojnë një mandat deputeti për qarkun e Fierit. Vetë nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, e propozuar për në këtë post nga PS-ja tha sot për mediat se ende s’kishte asnjë ankesë për kutitë e panumëruara të Fierit, porse forcat politike kishin mundësinë që të ankimonin në Kolegjin Zgjedhor vendimin e mosnumërimit që mund ta marrë shumica në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve. KQZ-ja do të diskutojë nesër mbi 9 kutitë e qarkut të Fierit të cilat ende nuk janë numëruar. Sipas nënkryetares së këtij Komisioni Deshira Subashi KQZ duhet të marrë në shqyrtim këto kuti brenda 48 orësh, dhe ky afat korrespondon me ditën e nesërme. Kutitë që ende nuk janë numëruar i përkasin KZAZ nr. 18, 19,20, 22. Nënkryetarja Subashi në një prononcim telefonik për një rrjet televiziv të kryeqytetit deklaroi se ligji parashikon që nga momenti që KZAZ dorëzojnë materialet në KQZ duhet 48 orë që KQZ të japë tabelën përmbledhëse të rezultatit. Subashi theksoi se në shumë kuti të katër KZAZ-ve komisionerët nuk kanë kryer fare procesin e numërimit, megjithse këto kuti kanë dokumentacionin (tabelat) që janë numëruar. Në këto kushte subjekti politik i interesuar duhet të ankimojë pranë KQZ vendimin e kundraligjshëm të KZAZ. Më pas KQZ voton për të pranuar ose jo ankimimin dhe vetëm në rastin e një miratimi të ankimit, KQZ ka të drejtën ligjore të numërojë kutitë përkatëse. Pyetjes nëse ky ankimim nuk pranohet a rrezikojnë këto kuti të mos numërohen më Subashi iu përgjigj “subjektet kanë të drejtë të ankimojnë të gjithë vendimet e paligjshme që marrin KZAZ-të në Kolegjin Zgjedhor”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›