E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana – Shkumbini 2-0, vendosin “kuqezinjtë”



Me nga një gol në çdo pjesë loje, të dy lojtarëve të Kombëtares shqiptare – Lila në të parën dhe Agolli në të dytën (Han ishte në tribunë) – Tirana fitoi lehtësisht 2-0 ndaj Shkumbinit në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të kampionatit maksimal shqiptar, Kategoria Superiore.
Tri pikë të tjera në vitin 2009, që i mbajnë 23-herë kampionët e Shqipërisë vetëm një pikë larg Vllaznisë kryesuese, dhe e bëjnë atë rivalen më të afërt të shkodranëve që synojnë titullin e 10-të kombëtar.
Përveç dhjetë minutave të parë, ku u pa një dominim territori nga ana e Shkumbinit (fitoi 3 goditje nga këndi), pjesa “madhe” e lojës foli në ngjyrat “bardhe e blu”.
Kronika e rasteve është e pasur për Tiranën. Abraham dha një pas të artë për Migen Memellin, i cili goditi me mjeshtëri në minutën e 10-të, por sfera u bllokua nga shtylla pingule e majtë e portës peqinase, duke shpëtuar portierin Ervin Llani nga goli i sigurt.
Në minutën e 20-të Muzaka harkoi nga e djathta e sulmit, dhe aty Migen Memelli goditi fuqishëm me kokë, por topi përfundoi paksa ngjitur me shtyllën e majtë pingule.
Muzaka ndërmori një vertikalizim të shpejtë nga e majta krosoi milimetrikisht në qendër të zonës peqinase dhe gjiganti Andi Lila, i ardhur nga thellësia e goditi bukur me kokë, duke kaluar në avantazh në minutën e 27-të Tiranës. Goli i katërt sezonal i mbrojtësit të Kombëtares, i cili ka fituar edhe duartrokitjet e trajnerit Ari Han, i pranishëm në tribunën “VIP” të stadiumit “Selman Stërmasi”.
Në minutën e 37-të Shkumbini pati një rast me Fejzon Shenaj, por topi i goditur me kokë nga lojtari peqinas brenda zonës së vogël nuk ishte i rrezikshëm për portierin veteran Blendi Nallbani.
Në pjesën e dytë trajneri i Tiranës, Agustin Kola, hodhi në fushë mesfushorin Saimir Patushi në vend të mbrojtësit Tefik Osmani, të dëmtuar në pjesën e parë. Nga ana e tij, trajneri i Shkumbinit hodhi në fushë Erjon Rizvanollin në vend të Roland Dervishit.
Në minutën e 53-të, portieri Llani bëri mrekullinë, duke grushtuar topin e goditur me kokë nga Daniel Xhafa. Ansi Agolli tregoi klasin e tij si një goditës mjeshtëror i gjuajtjeve të lira, kur shënoi në minutën e 72-të nga një distancë prej 18 metrash. Memelli bëri sikur goditi, muri i Shkumbinit u shpërbë dhe Agolli me një gjuajtje cinike shënoi golin e dytë, që qetësoi edhe trajnerin Agustin Kola. Për Agollin ky ishte goli i tij i dytë sezonal.
Minutat e fundit ofruan disa raste të tjera për Tiranën, kur Daniel Xhafaj, pasi mori një asist perfekt nga Migen Memelli në minutën e 90-të, nuk arriti të shënojë golin e tretë për klubin me më shumë trofe në Shqipëri.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XIX
04.02.2009

Apolonia-Bylis 1-0
Lushnja-Elbasani 1-0
Vllaznia-Besa 4-1
Partizani-Dinamo 1-0
Flamurtari-Teuta 1-1
05.02.2009
Tirana-Shkumbini 2-0

RENDITJA
1.Vllaznia 37
2.Tirana 36
3.Dinamo 29
4.Besa 29
5.Shkumbini 27
6.Teuta 25
7.Flamurtari 24
8.Apolonia 24
9.Elbasani 23
10.Partizani 19
11.Lushnja 17
12.Bylis 17

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›