Serbi Karishik “mbretëron” në Superligë
Kroati Zlatko Daliç zyrtarizoi sot dorëheqjen nga drejtimi i kampionëve në fuqi. Dinamo, që shpenzoi shuma kolosale në merkaton dimërore, është ende e shokuar pas dy humbjeve rresht në derbin me Tiranën (2-4) dhe Partizanin (1-0).
“Pas dy humbjeve nuk mund të qëndroj me në krye të ekipit. Dinamo mbetet ende pretendente”, - deklaroi Daliç, trajneri i fundit kroat që kishte mundur të mbijetonte deri në javën e 19-të në kampionatin shqiptar të futbollit, Kategoria Superiore.
Më parë kishte dhënë dorëheqjen nga Flamurtari Sllavko Kovaçiç, e më pas boshnjako-kroati i Tiranës, Bllaz Slishkoviç. Aktualisht vetëm një trajner i huaj e drejton në futbollin shqiptar, serbi Esad Karishik i Apolonisë.
Ende nuk ka ndonjë emër për stolin blu të Dinamos, por presidenti Besnik Sulaj është duke punuar për një emër prestigjioz, të aftë të rikthejë Dinamon në udhën e duhur.
Zlatko Daliç është trajneri i dytë që ka dhënë dorëheqjen me rifillimin e kampionatit në vitin 2009, ku janë zhvilluar deri tani 2 javë, e 18-a dhe e 19-a. I pari ishte Edmond Liçaj, i shkarkuar nga bankina e Flamurtarit pas humbjes së skuadrës së tij me Apoloninë (0-2) në Vlorë.
Të vetmit trajnerë të mbijetuar janë Agim Canaj (Vllaznia), Gugash Magani (Shkumbini), Sulejman Starova (Teuta) dhe Mirel Josa (Elbasani), por për këtë të fundit votëbesimi është në prag.
BANKINAT NË 19 JAVË
Vllaznia: Agim Canaj
Tirana: Augustin Kola (Blaz Slishkoviç)
Dinamo: ??????????????(Zlatko Daliç)
Besa: Ilir Daja (Iljaz Haxhiaj)
Shkumbini: Gugash Magani
Teuta: Sulejman Starova
Flamurtari: Eqerem Memushi, (Edmond Liçaj, Slavko Kovaçiç)
Elbasani: Mirel Josa
Apolonia: Esad Karishik (Gert Haxhiu)
Bylis: Hysen Dedja (Faruk Sejdini, Dashnor Dume)
Partizani: Shpëtim Duro (Hasan Lika)
Lushnja: Ilir Gjyla (Saimir Malko, Vasil Bici)
* Në kllapa, trajnerët e shkarkuar apo të dorëhequr
6 Shkurt 2009