E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tony Hayward, gati largimi nga British Petroleum

Largimi

Tony Hayward, njeriu më i urryer në SHBA, dhe shefi ekzekutiv i gjigantit të naftës “British Petrolium”, që ka përfunduar nën akuzë për mënyrën se si administroi situatën e katastrofës mjedisore në Gjirin e Meksikës, që u shkaktua nga shpërthimi i platformës “Deepwater Horizont”, është shumë pranë dorëheqjes. Sipas asaj që raporton BBC, Hayward, është duke bërë tratativat e fundit me kompaninë britanike të naftës, ndërsa dorëheqja e tij pritet të ndodhë brenda 24 orëve. Po sipas asaj që shkruan BBC, drejtori i ri ekzekutiv i kompanisë mund të jetë amerikani Bob Dudley, përgjegjësi aktual i operacioneve të pastrimit të naftës në Gjirin e Meksikës. Dorëheqja e Hayward po ndodh në një nga momentet më delikate të kompanisë dhe zyrtarizimi pritet të bëhet nesër, kur mendohet të bëhet edhe analiza për punën tremujore të kompanisë. 53-vjeçari Tony Hayward, prej 28 vjetësh tek BP, ka kryer detyra gjithmonë të rëndësishme. Në vitin 2007 ai u zgjodh si shefi ekzekutiv i kompanisë. Fati i tij u shkrua më 20 prill, kur platforma “Deepwater horizont” shpërtheu duke vrarë 11 persona dhe duke shkaktuar dëmin më të madh ambiental në historinë amerikane. Por, me largimin e tij, do të nisë edhe lufta për pasardhësin. Një ndeshje që duket e përcaktuar në favor të Bob Dudley, njeriut që BP e ka angazhuar për administrimin e krizës nga rrjedhja e naftës. Dudley ka qenë dikur shefi ekzekutiv i “Tnk Bp”. Mendohet se ky post do t’i takojë atij, kjo edhe për shkak të lidhjeve me Amerikën. Pas kësaj katastrofe BP ka nevojë absolute të rikuperojë besueshmërinë në SHBA. Hayward, 53 vjeç, me profesion gjeolog, që ka punuar në shumë vende naftënxjerrëse në të gjithë botën para se të arrinte majat e BP dhe të bëhej shefi ekzekutiv i kompanisë më të rëndësishme të naftës në Europë në vitin 2007, është për nga natyra një person i ndrojtur. Britaniku u bë pjesë e BP pas mori doktoraturën në gjeologji në Universitetin e Edinburgut. Ka reputacionin e një njeriu energjik, të heshtur, me këmbë në tokë, i ndryshëm nga pasardhësi i tij aristokrat, Lord John Brown, që e la drejtimin e kompanisë në vitin 2007 pas një skandali personal. Edhe shumë herë të tjera është folur për largimin nga ky post i Hayward, megjithatë kompania britanike gjithmonë i ka përgënjeshtruar këta zëra. Kësaj here, sipas asaj që shkruan BBC, fati i Tony Hayward është vendosur: ai do të largohet përfundimisht.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›